Britania e Madhe ka ndryshuar udhëzimet për mënyrën se si do të shqyrtohen kërkesat për azil të meshkujve shqiptarë që pretendojnë se kanë qenë viktima të trafikimit. Pas një vendimi të Tribunalit britanik, Home Office ka publikuar një udhëzim të ri, ku vlerëson progresin e Shqipërisë në luftën kundër trafikimit dhe shpjegon se cilët faktorë do të merren parasysh për të vlerësuar nëse një person rrezikon të trafikohet sërish ose të përndiqet në rast se kthehet në Shqipëri.

Ndryshimi lidhet vetëm me meshkujt shqiptarë viktima të trafikimit. Për gratë shqiptare nuk ka ndryshime dhe autoritetet britanike do të vazhdojnë të zbatojnë udhëzimet ekzistuese.

Një nga konkluzionet kryesore të Tribunalit është se meshkujt shqiptarë që kanë qenë viktima të trafikimit përbëjnë një "grup të veçantë shoqëror" sipas Konventës së Refugjatëve. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se çdo person që deklaron se është trafikuar do të përfitojë automatikisht azil.

Sipas Home Office, çdo rast duhet të shqyrtohet individualisht dhe aplikanti duhet të provojë se rreziku që i kanoset lidhet me statusin e tij si viktimë trafikimi.

Kush janë meshkujt shqiptarë që konsiderohen më të rrezikuar?

Në udhëzimin e ri theksohet se nuk ekziston një profil i vetëm i meshkujve shqiptarë që bien viktimë e trafikimit.

Megjithatë, autoritetet britanike rendisin disa faktorë që mund ta bëjnë një person më të ekspozuar.

Mes tyre janë:

  • statusi i ulët socio-ekonomik ose mungesa e strehimit;
  • niveli i ulët i arsimit;
  • vështirësia për të siguruar një punë të ligjshme;
  • problemet e shëndetit fizik ose mendor, përfshirë varësitë;
  • mosha e re;
  • mungesa e mbështetjes familjare ose shoqërore;
  • origjina nga zonat rurale ose veriu i Shqipërisë;
  • përkatësia në një pakicë etnike ose identiteti LGBT.

Dokumenti thekson se edhe një faktor i vetëm mund të jetë i mjaftueshëm për ta bërë një person më të prekshëm ndaj trafikimit, në varësi të rrethanave.

Viktimat rekrutohen më shumë në rrjete sociale

Home Office, duke iu referuar gjetjeve të Tribunalit, vëren se meshkujt shqiptarë mund të trafikohen në forma të ndryshme.

Në dokument thuhet se rrjetet sociale po përdoren gjithnjë e më shumë për rekrutimin e viktimave dhe se në këto raste zakonisht përfshihen grupe të organizuara kriminale. Nga ana tjetër, rrëmbimi i drejtpërdrejtë i personave nuk konsiderohet një metodë e zakonshme trafikimi.

Kur mund të refuzohet ose pranohet azili?

Autoritetet britanike theksojnë se fakti që një person ka qenë viktimë trafikimi nuk mjafton për të marrë azil.

Vendimmarrësit duhet të analizojnë nëse ai përballet me rrezik real të ritrafikimit ose hakmarrjes në rast kthimi në Shqipëri, nëse shteti shqiptar është në gjendje t'i ofrojë mbrojtje dhe nëse zhvendosja në një zonë tjetër të vendit do të ishte një alternativë e sigurt.

Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore

Në udhëzim thuhet se Shqipëria ka bërë përparim në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe se, në përgjithësi, ofron mbrojtje për meshkujt e rritur viktima të trafikimit.

Megjithatë, dokumenti thekson se kjo mbrojtje nuk është e garantuar në çdo rast dhe se autoritetet britanike duhet të marrin në konsideratë rrethanat konkrete të çdo aplikanti.

Një nga problemet që evidentohet është mungesa e një strehe të posaçme për meshkujt e rritur viktima të trafikimit. Sipas dokumentit, strehimi mund të sigurohet me ndihmën e organizatave joqeveritare, të cilat ofrojnë edhe mbështetje për punësim, shërbime shëndetësore dhe ndihmë financiare.

Tirana ofron më shumë mundësi, por nuk është gjithmonë zgjidhje

Sipas gjetjeve të Tribunalit, mundësitë për riintegrim ndryshojnë nga një zonë në tjetrën.

Në qytete të mëdha si Tirana ka më shumë mundësi për strehim dhe punësim, ndërsa në zona të tjera mungesa e banesave sociale dhe e mbështetjes për qiranë e bën më të vështirë rikthimin në jetën normale.

Megjithatë, Tribunali thekson se zhvendosja brenda Shqipërisë nuk është gjithmonë një zgjidhje. Nëse një viktimë vazhdon të jetë në shënjestër të trafikantëve, edhe transferimi në një qytet tjetër mund të mos garantojë sigurinë e saj. Në këto raste duhet të vlerësohen fuqia dhe shtrirja e rrjetit kriminal, lidhjet që ai mund të ketë me autoritetet, si edhe rrethanat personale të viktimës.

Pengesat për riintegrimin

Dokumenti identifikon edhe faktorët që mund ta bëjnë më të vështirë rikthimin në jetën normale. Mes tyre përmenden stigma sociale ndaj meshkujve që kanë qenë viktima trafikimi, frika nga grupet kriminale, gjendja ekonomike, si edhe kapacitetet dhe burokracitë e shërbimeve mbështetëse.

Sipas Home Office, mungesa e aksesit te këto mekanizma mbështetës mund të rrisë sërish rrezikun që një person të bjerë pre e trafikimit.