Ka humbur jetën në burgun e Fierit i dënuari Ardjan Malasi. Paraprakisht dyshohet se 58-vjeçari ndërroi jetë për shkak të hemorragjisë cerebrale, por do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të përcaktojë qartë shkakun e vdekjes.
Burime nga burgu i Fierit bëjnë me dije se Malasi ka kërkuar ndihmë mjekësore nga punonjësi i policisë së burgjeve teksa ishte në qeli, pasi nuk po ndihej mirë. Rreth orës 8 të mëngjesit të sotëm ai është transportuar drejt spitalit me shenja jete, por ka ndërruar jetë sapo ka hyrë në sallë.
Malasi ndodhej në burg që prej 26 tetorit të 2023-it pasi ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, si dhe për “Grup të strukturuar kriminal”. Ai ishte dënuar me tetë vite burg dhe i kishin mbetur për të kryer edhe 3 vite të tjera..
Malasi ishte pjesë e grupi kriminal që u akuzua për pastrim parash nga trafiku i drogës bashkë me tre të tjerët, vëllezërit Besjan dhe Leonard Ramaj, si dhe Rajmonda Dashi, ish-drejtoreshë e Kadastrës së Durrësit. Ata pastruan 1.25 milionë euro para të përfituara nga trafiku i drogës në Belgjikë.










Komente
Komento