Nuk ka qenë vetëm përplasja me Papa Leonin, nga e cila presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump doli me kocka të thyera: Në këto javët dhe muajt e fundit, ai ka qenë protagonist i një serie deklaratash të dëmshme, që pasojnë tensionet me agjentët e ICE në Minneapolis në janar dhe, edhe më herët, kur u kuptua se pika e tij e kontaktit emocional me një pjesë të mirë të opinionit publik amerikan ishte shteruar.

Një aspekt shqetësues është mungesa e frenave në daljet e tij, të cilat kanë pësuar si një përshpejtim ashtu edhe një përkeqësim të dukshëm në kërkimin e hiperbolave (“do t’i kthejmë ata bij k*rvash në epokën e gurit, do t’ua fshijmë qytetërimin”, tha duke iu referuar iranianëve). Daljet e tij  janë aq të shumta sa lejojnë identifikimin e kategorive të ndryshme provokuese.

Është ajo përzierje mes manisë së madhështisë dhe prirjes për të hapur sherr që karakterizon sjelljen e banorit të Shtëpisë së Bardhë, të atij që dikur konsiderohej lideri i Perëndimit.

Dikur, funksioni presidencial ushtrohej gjithmonë me distancë, moderim (ndoshta edhe hipokrizi) por kurrë nuk dilte mbi kufijtë. Nuk më kujtohet të kem parë ndonjëherë një  vetëlavdërim te presidentët amerikanë që kam ndjekur që nga Ronald Reagan. Dhe nëse ky tipar provokues te Trump ka arritur nivele krejtësisht të papritura, duhet theksuar një faktor shumë i rëndësishëm, një pikë kthese tashmë e dukshme disa muaj më parë: ai qëndrim vulgar, agresiv, i pazakontë që dikur funksiononte te një pjesë e opinionit publik, sot vazhdon të mos funksionojë si në janar dhe madje përkeqësohet.

Sondazhet e fundit e konfirmojnë qartë këtë prirje. Një matje e American Research Group më 21 mars e nxjerr Trump me vetëm 34% mbështetje, ndërsa 63% janë kundër – niveli më i ulët për një president në këtë fazë para zgjedhjeve të ndërmjetme. Më 10 prill, sipas New York Times, mbështetja e tij ishte rreth 40%, ndërsa mesatarja e sondazheve e mban te 41%, një nivel historikisht i dobët. Një tjetër sondazh i Reuters/Ipsos sjell edhe një sinjal tjetër: 61% e amerikanëve mendojnë se Trump është bërë më i paparashikueshëm me kalimin e moshës. Vetëm 45% e konsiderojnë “mentalish të kthjellët”, nga 54% që ishte ky perceptim në vitin 2023. Ndërkohë, gati gjysma e amerikanëve – 49% – mendojnë se ai është shumë i vjetër për të qenë president. Në shkurt 2024 kjo shifër ishte 34%. Vetëm 39% thonë se mosha nuk është problem.

Rënia në sondazhe dhe vlerësimi gjithnjë e më negativ për Trump, sidomos për moshën dhe stilin e tij, reflektohet qartë edhe te sjellja dhe vendimet që merr vetë ai.

Mjafton të shohësh idetë e fundit për ta kuptuar drejtimin ku po shkon. Ka propozuar prishjen e pjesës historike East Wing të Shtëpisë së Bardhë për të ndërtuar një sallë gjigante vallëzimi. Një tjetër plan është kthimi i dhomës së traktateve në katin e dytë – ku dikur firmosej histori, si marrëveshja për ndalimin e testeve bërthamore nga Kennedy – në një dhomë gjumi luksoze me mermer. Në listë hyn edhe ideja për një Hark gjigant “Paqeje” për 250-vjetorin e Pavarësisë amerikane, me stil të vjetër, si në shekullin XIX. Po ashtu, është përmendur edhe një monedhë argjendi me fytyrën e tij – diçka e paprecedentë për një president në detyrë.

Nuk mbaron këtu. Trump ka kërkuar të vendosë edhe firmën e tij në kartëmonedhën 20 dollarë, ndërsa ka vendosur të ndryshojë emrin e Kennedy Center në Uashington, duke e kthyer në “Kennedy Trump Center”.

Pastaj ka qenë shpërthimi i tij kundër presidentit të Bankës Qendrore Powell, me akuza për dëme ndaj shtetit, akuza pa kuptim për një njeri të pakorruptueshëm si Powell, të cilat janë hedhur poshtë me të drejtë nga gjykatat. Humbja e fundit e tij, dje, gjithmonë në planin e imazhit, është refuzimi nga një tjetër gjyqtar i kërkesës për një gjobë prej 10 miliardë dollarësh ndaj Rupert Murdoch dhe Dow Jones për publikimin e një note të supozuar urimi “pikante” për Jeffrey Epstein, në kohën kur ata njiheshin.

Dhe mund të vazhdojmë më tej. Për shembull, pas përplasjes në distancë të së dielës me Papa Leonen, ai publikoi në internet një imazh ku e krahasonte veten me Jezu Krishtin që bën mrekulli mbi të sëmurët. Një imazh qesharak për shumicën, por jo për Trump, edhe pse më pas e hoqi nga profili i tij duke thënë se mendonte se ishte një doktor, duke qenë se edhe ai vetë “bën shumë të mira për të gjithë”.

Me pak fjalë, ai i beson vërtet asaj që thotë! Gjithçka është mbi kufijtë, gjithçka shoqërohet me një ndjenjë të fortë madhështie dhe omnipotence. Sipas disa prej vetë mbështetësve të tij në lëvizjen MAGA, kjo tregon një narcizëm të theksuar. Ky narcizëm krijon një kombinim problematik: e pengon të pranojë gabimet dhe kufijtë e vet, deri në pikën që mohon realitetin kur faktet tregojnë të kundërtën. Një sondazh negativ? Për të është i manipuluar.
Një rezultat ndryshe nga ai që kishte premtuar apo pritur? Për të është një komplot. Madje shkon edhe më tej: e konsideron si një gënjeshtër të shpikur nga kundërshtarët politikë, sepse në mendjen e tij rezultati pozitiv ka ndodhur vërtet. Në thelb, gjithçka rrotullohet rreth një ideje të vetme: fitorja, suksesi dhe bindja se mund të bëjë gjithçka vetë.

Le të marrim si shembull Harkun e Triumfit. Mund të kishte qenë edhe një ide e bukur nëse do t’ua kishte besuar, përmes një konkursi, katër ose pesë arkitektëve amerikanë të njohur, si Richard Meier, Peter Eisenman, Frank Gehry apo të tjerë. Secili, sipas stilit të vet, do të kishte krijuar diçka vërtet të re, kreative dhe me ndikim. Gehry do ta kishte kthyer harkun në një gjest të lëvizshëm, emocional; Eisenman, intelektuali ekstrem, do të kishte sjellë një qasje kritike, pa qendër apo hierarki, por gjithsesi me një kuptim të fortë emocional, si te monumenti i Holokaustit në Berlin. Meier do të kishte ofruar një kornizë të bardhë, racionale: triumfi si rend, proporcioni dhe qartësi, një perspektivë tradicionale e rishikuar dhe e vlerësuar, si te Ara Pacis në Romë. Dhe ndoshta ai do të ishte zgjedhur, përballë të tjerëve që, nga dekonstruktivizmi te racionalizmi, mund të ishin tepër për shumë amerikanë. Por pikërisht ajo që nuk ka zgjedhur për harkun tregon personalitetin e presidentit amerikan: ai lloj qasjeje kulturore nuk i përket, për një arsye të thjeshtë — do të ishte “monumenti i tyre”, i arkitektëve dhe amerikanëve, jo i tij.

Këto tipare të forta të personalitetit, të lëna pa kontroll, mund të tërhiqnin vëmendje dhe mbështetje, por kur aplikohen në vendime konkrete — një monument, një veprim politik, një luftë, një proces i panevojshëm për hakmarrje — ato krijojnë përçarje. Paparashikueshmëria dhe qëndrimi gjithnjë e më ekstrem i kohëve të fundit kanë prodhuar tre lloje reagimesh.

Le të nisim me reagimet brenda vetë lëvizjes së tij, MAGA, që ka filluar të distancohet në mënyrë të fortë. Ish-deputetja e Xhorxhias, Marjorie Taylor Greene, që është shkëputur nga Trump, ka kërkuar përdorimin e Amendamentit të 25-të për ta larguar nga detyra, duke e quajtur retorikën e tij ndaj Iranit “jo një kërcënim i fortë, por çmenduri e pastër”, siç deklaroi për New York Times. Alex Jones, themelues i Infowars dhe teoricien konspiracioni, ka qenë edhe më i drejtpërdrejtë: “Flet pa lidhje dhe duket sikur truri nuk funksionon shumë”. Candace Owens, me miliona ndjekës, e ka quajtur “një i çmendur gjenocidal”. Të njëjtën linjë kanë mbajtur edhe Tucker Carlson apo Megan Kelly. Edhe pse jo të gjithë konsiderohen modele stabiliteti, këto reagime tregojnë sa është zgjeruar hendeku mes mënyrës së komunikimit të Trump dhe realitetit, edhe mes ish-bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.

Për demokratët nuk ka shumë për të thënë, pasi kritikohen lehtë si të njëanshëm në klimën aktuale të polarizuar, por pothuajse unanimisht kërkojnë ose “impeachment” ose përdorimin e Amendamentit të 25-të.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e republikanëve në Parlament mbetet ende në linjë me Trump, edhe pse po shfaqen çarje, sidomos kur vihet në lojë  besueshmëria dhe e ardhmja e tyre politike.

Kthesa më e pamatur dhe më e fundit e Trump lidhet me sulmin ndaj Papa Leonit. Papa ka treguar që në fillim një stil të matur dhe inteligjencë të thellë, ndryshe nga Papa Françesku, me të cilin Trump ishte përplasur më herët. Por këtë herë sulmi ndaj Papës, sidomos në mënyrën si u bë dhe i shoqëruar me imazhin ku Trump e paraqiste veten si figurë hyjnore, ka kaluar çdo kufi. I pari që reagoi ishte arqipeshkvi Paul S. Coakley, president i Konferencës Ipeshkvore Katolike të SHBA: “Më trishton që Presidenti Trump ka zgjedhur të përdorë fjalë kaq denigruese ndaj Atit të Shenjtë… Papa nuk është rivali i tij; ai nuk është politikan. Është Vikari i Krishtit që flet për të vërtetën e Ungjillit dhe për kujdesin ndaj shpirtrave”.

Në të njëjtën linjë reaguan edhe figura të tjera të larta të Kishës, si kardinali Blase Cupich në Chicago, arqipeshkvi George Leo Thomas në Las Vegas, madje edhe peshkopi konservator Robert Barron, i cili i kërkoi Trump të kërkojë falje. Në thelb, Trump arriti të përplasë njëkohësisht një pjesë të madhe të Kishës Katolike amerikane dhe të krishterëve në përgjithësi. Imazhi i tij si një “Krisht në tokë” u konsiderua blasfemi.

Në këtë klimë, janë aktivizuar edhe shumë ekspertë të shëndetit mendor. Më herët, rreth 200 terapistë kishin firmosur një letër ku shprehnin shqetësim për një çrregullim antisocial. Sot, figura si profesori John Gartner flasin për “narcizëm malinj” dhe një personalitet destruktiv. Të tjerë, si Allen Frances, kundërshtojnë diagnozat në distancë, duke theksuar rregullin Goldwater.

Në përgjithësi, flitet për një narcizëm të fortë, prirje për madhështi dhe humbje të frenave, të lidhura edhe me moshën. Ekspertët përmendin edhe shenja të mundshme të rënies njohëse, si mënyra e çrregullt e të folurit dhe devijimi nga tema. Një shembull është përsëritja e shprehjes “dy javë” për çdo çështje.

Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë këto akuza, duke thënë se Trump është plotësisht i kthjellët dhe përdor stil të paparashikueshëm për të mbajtur kundërshtarët në presion. Megjithatë, siç shkruan New York Times, shpërthimet e tij kanë ngritur pikëpyetje për lidershipin amerikan në kohë lufte.

Dhe vetë Trump? Ai nuk tërhiqet. Për kritikët e tij thotë: “Janë njerëz budallenj… janë të çmendur, nxitës trazirash dhe do të thonë çdo gjë për pak reklamë”. Toni mbetet i njëjtë: luftarak dhe me bindjen se ka gjithmonë të drejtë.

Edhe kur përballë ka Papa Leonin./CorrieredellaSera