Kriza në Lindjen e Mesme mund të jetë një mundësi për Vladimir Putin.
Ndërsa lufta në rajon përshkallëzohet dhe çmimet e naftës rriten, në Moskë po bëhen llogari të tjera. Kryeministri polak Donald Tusk e ngriti hapur këtë dyshim në rrjetin X: nëse Uashingtoni zbut sanksionet ndaj naftës ruse për shkak të krizës, kush del realisht fitues nga kjo situatë?
Sipas zhvillimeve diplomatike dhe ushtarake të ditëve të fundit, Kremlini duket se po përpiqet të përfitojë nga kjo situatë. Katër vjet pas pushtimit të Ukrainës, mbijetesa politike e Putin lidhet gjithnjë e më shumë me rezultatin e kësaj lufte.
Modeli që Moska ka përdorur më parë në vende si Venezuela dhe Siria mund të përdoret edhe me Iranin: të mos mbrojë plotësisht aleatin, të ruajë vetëm interesat kryesore ushtarake dhe ekonomike dhe në këmbim të kërkojë një përfitim politik nga Uashingtoni.
Irani mund të shërbejë si një kartë për ta bindur president Donald Trump të heqë dorë nga mbështetja për Kievin. Në këtë kontekst shihet edhe telefonata që Putin i bëri presidentit iranian Masoud Pezeshkian të premten në mbrëmje. Sipas raportimeve, Putin i kërkoi atij të ndalojë bombardimet hakmarrëse, ndërsa Irani ndodhet prej ditësh nën sulm.
Në planin ekonomik duket se Moska ka marrë tashmë një sinjal pozitiv. Sipas Bloomberg, Departamenti i Thesarit në SHBA ka zbutur disa kufizime ndaj naftës ruse, duke lejuar rafineritë indiane të blejnë miliona fuçi deri në fillim të prillit. Një zhvillim që shihet si një fitore e parë për Kremlinin, i cili prej kohësh përballet me sanksione dhe presion ndaj flotës së tij të anijeve që transportojnë naftë.
Në të njëjtën kohë, në planin ushtarak dhe të inteligjencës, Moska duket se po luan një lojë të dyfishtë. Në tryezat diplomatike mban një qëndrim të moderuar, ndërsa në prapaskenë vepron ndryshe.
Sipas Washington Post, Rusia mund t’i ketë kaluar Iranit informacione për pozicionet e bazave amerikane, anijeve luftarake dhe avionëve në rajon, si edhe për qendra komandimi, radarë dhe një stacion të CIA-s në ambasadën amerikane në Riad.
Irani ka pak satelitë dhe kapacitete të kufizuara për të identifikuar objektiva të tillë. Për këtë arsye dyshohet se Moska mund t’i ketë dhënë Teheranit imazhe satelitore dhe koordinata të përpunuara gjatë viteve të luftës në Ukrainë.
Sipas Forbes, muajin e kaluar Rusia mund t’i ketë dhënë Iranit edhe sisteme komunikimi kundër satelitëve. Kremlini ka furnizuar gjithashtu Teheranin me mjete të blinduara Spartak dhe programe për njohjen e fytyrës që përdoren për të shtypur protestat brenda vendit.
Megjithatë, përpjekja e Putin për ta përdorur Iranin si kartë në betejën për Ukrainën mund të mos funksionojë. Shtëpia e Bardhë ka thënë se ndërhyrjet ruse dhe kineze në këtë konflikt nuk kanë ndikim real.
Ndërkohë lufta në Ukrainë vazhdon. Pas disa ditësh qetësie, gjatë natës së fundjavës sulmet ruse rifilluan dhe në Kharkiv u raportuan më shumë se dhjetë viktima.
Në Kiev askush nuk beson se këto zhvillime janë thjesht rastësi. Për këtë arsye ushtria ukrainase njoftoi se ka goditur një bazë ruse pranë aeroportit të Donetskut ku përgatiteshin dhe lëshoheshin dronë iranianë Shahed.
Sulmi u krye me raketa franko-britanike SCALP (Storm Shadow) dhe me raketa amerikane ATACMS. Një mesazh i drejtpërdrejtë për Kremlinin në një lojë gjeopolitike që po bëhet gjithnjë e më e tensionuar./CorrieredellaSera
Komente











