Sot Kuvendi do të miratojë në parim projektbuxhetin dhe paketën fiskale 2027 të paraqitur në fund të tetorit nga qeveria. Miratimi i Buxhetit të Shtetit 2027 është një moment i rëndësishëm për ekonominë dhe shoqërinë tonë. Jo thjesht për shkak të madhësisë së tij prej 10.7 miliardë eurosh, por për ndikimin që pritet të ketë në jetën e përditshme të qytetarëve tanë dhe në aktivitetin e bizneseve.

Pyetja që duhet të shtrojmë nuk është vetëm sa para do të shpenzojë shteti vitin e ardhshëm, por sa do të përfitojnë realisht familjet tona, pensionistët, fermerët, sipërmarrësit dhe punonjësit.

Buxheti dhe paketa fiskale 2027 kanë disa masa pozitive, të cilat shpresojmë se do të arrijnë të ndikojnë në uljen e kostos sonë të jetesës dhe në rritjen e të ardhurave tona, sidomos për qindra mijëra familjet tona me të ardhura modeste ose në kufirin e varfërisë.

Çfarë fitojnë drejtpërdrejt qytetarët nga paketa fiskale 2027?

Përfitimi më i dukshëm potencial për konsumatorët vjen nga ulja e TVSH-së për 54 kategori produktesh ushqimore bazë, nga 20% në 6%, duke filluar nga 1 janari 2027. Nëse nuk do të jenë 130 milionë euro më shumë të gjitha në xhepat tanë si qytetarë-konsumatorë, të paktën shpresojmë të jenë 110 milionë, ose ulje 11 përqind e ushqimeve të përditshme.

Nëse ulja e TVSH-së reflektohet plotësisht në çmimin përfundimtar, një produkt që kushton 100 lekë pa TVSH do të kushtonte 120 lekë me normën aktuale, ndërsa me TVSH-në e re do të kushtonte 106 lekë. Kjo do të thotë një ulje prej rreth 11,7% e çmimit përfundimtar, në kushtet kur kostot dhe marzhet e tjera mbeten të pandryshuara.

Në shpenzimet mujore, kjo do të përkthehet në mesatarisht 4-5 mijë lekë më pak shpenzime për ushqimet për seicilën nga të 650 mijë familjet që kemi në atdhe.

Kjo masë synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve për produktet e përditshme, veçanërisht për pensionistët dhe shtresat me të ardhura të ulëta.

Një tjetër lehtësim me ndikim të drejtpërdrejtë është heqja e taksës së qarkullimit mbi naftën, në masën 32,4 lekë për litër. Me një çmim orientues prej 210 lekësh për litër naftë, heqja e kësaj takse përfaqëson një lehtësim prej rreth 15% të çmimit aktual. Nëse masa reflektohet plotësisht në treg, një familje që konsumon 100 litra naftë në muaj mund të kursejë rreth 3.240 lekë në muaj, ose 38.880 lekë në vit, duke patur taksën vjetore të rritur për të dy automjetet e saj maksimumi 240 mijë lekë në total. I bie një përfitim neto mbi 14 mijë lekë në vit mesatarisht për familje. Pa folur për efektin kaskadë pozitiv të uljes së kostos në të gjitha bizneset ku kosto e transportit është e lartë.

Nafta është një input i rëndësishëm për transportin, bujqësinë, logjistikën dhe shumë aktivitete ekonomike. Prandaj, ulja e kostos së karburantit ndihmon edhe në uljen e kostove të prodhimit dhe të transportit të mallrave.

Pensionistët dhe familjet me fëmijë: më shumë mbështetje sociale

Një tjetër përparësi e buxhetit 2027 është orientimi i një pjese të konsiderueshme të shpenzimeve drejt mbrojtjes sociale. Pensionistët mbeten një ndër kategoritë më të ndjeshme ndaj inflacionit, rritjes së çmimeve të ushqimeve, energjisë dhe shërbimeve shëndetësore. Shtimi mesatar i parave për pensionist është rreth 2,400 lekë të reja në muaj, përmes bonuseve dhe indeksimit nga 1 prilli 2027.

Pozitive janë edhe masat e parashikuara për familjet me fëmijë dhe kategoritë në nevojë, përfshirë bonusin e bebes dhe mbështetjen mujore deri në moshën pesëvjeçare, sipas skemës së propozuar.

Po kështu, dyfishimi i mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe lehtësitë që lidhen me sigurimet për kujdestarët janë masa me rëndësi sociale.

Sfida është që këto politika të mos mbeten thjesht transferime financiare, por të shoqërohen me shërbime më të mira sociale, shëndetësore dhe arsimore.

Investimet kapitale: a do të kthehen rreth 1 miliardë euro në zhvillim ekonomik?

Një nga treguesit kryesorë të një buxheti zhvillimor është niveli dhe cilësia e investimeve publike. Me 35.1 miliardë lekë ose 385 milionë euro për rrugët, Buxheti i Shtetit i vitit 2027 pritet të shënojë një fazë të rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës sonë rrugore.

Ai do të synojë përfundimin e disa prej projekteve të mëdha rrugore që janë aktualisht në ndërtim, përshpejtimin e punimeve në korridoret kombëtare dhe hapjen e kantiereve të reja në disa rajone të vendit.

Autostrada Tiranë–Durrës, aksi Tiranë–Ndroq–Plepa dhe Bypassi i Elbasanit do të mbështeten drejtpërdrejt nga Buxheti i Shtetit, ndërsa Korridori VIII dhe Korridori Blu do të jenë dy prej prioriteteve kryesore të investimeve infrastrukturore.

Sfida më e madhe mbetet cilësia e shpenzimeve publike. Shqipëria nuk mund të mbështetet pafundësisht te konsumi, ndërtimi dhe turizmi, pa forcuar njëkohësisht industrinë, bujqësinë, arsimin, shëndetësinë dhe kërkimin shkencor.