Champions League ka përmbyllur ndeshjet e javës së tretë dhe skuadrat e mëdha dhe pretendente kanë hipotekuar fitore për të forcuar pozitat në grupet respektive.
Interi ka mposhtur Borussia Dortmund falë një goli në pjesë të parë të Lautaro Martines. Në pjesën De Vrij dërgoi një top të gjatë nga mesfusha në zonën e Dortmund, dhe argjentinasi e shfrytëzoi mjaft mirë hendekun e madh mes mbrojtjes dhe portierit për të dalë i vetëm para katërkëndëshit të verdhezinjve. Po Martinez do të bëhej protagonist në minutën e 81’ por kësaj radhe humbi një penallti të shkaktuar nga Matts Hummels ndaj tij. Por për golin e sigurisë mendoi Antonio Candreva i cili pas një kundërsulmi të frikshëm të zikaltërve vulosi fitoren.
Ndërsa Barcelona fitoi në Çeki ndaj Slavia Pragas. Messi kaloi të tijët në minutën e 3’ në avantazh por me fillimin e pjesës së dytë vendasit barazuan. Shkak i fitores së Barcelonës u bë Peter Olayinka, ish- lojtari i Skënderbeut dhe Bylisit të Ballshit devijoi në portën e tij një gjuajtje të Luis Suarez shumë afër portës.
Me këtë fitore Barcelona shkëputet në krye të grupit F, ndërsa Inter barazon me 4 pikë Borussia Dortmund.
Kampionët në fuqi të Evropës, Liverpool shpartalluan Genk-un në Belgjikë. Chamberlain hapi serinë e golave me një dygolësh personal në pjesën e parë ndërsa në të dytën Mane dhe Salah katërfishuan. Golin e nderit për Genk shënoi Stephen Odey, ndërsa në sy ra goli i dytë i Chamberlain i cili u shënua në mënyrë shumë të veçantë me pjesën e jashtme të këmbës duke e çuar topin në trekëndësh. Nga ana tjetër Napoli mposhti Salzburgun në Austri. Dries Mertens kaloi napoletanët në avantazh, ndërsa gjigandi norvegjez Erling Braut Haaland barazoi. Sërish Mertens kaloi të tijët në avantazh po i njëjti skenar u përsërit, Haaland barazoi për herë të dytë. Një minutë zgjati barazimi i dytë dhe Insigne vulosi fitoren me goli ne tretë në minutën e 73’.
Në grupin G, Benfica mposhti 2-1 Lyon duke marrë pikët e para për këtë sezon në Champions League ndërsa Valencia u ndal në një barazim në Lille pasi francezët barazuan në fund avantazhin e dhënë nga Cheryshev. Me këtë barazim spanjollët mbeten 2 pikë mbrapa Chelsea-s dhe Ajax-it.