ITALI, Milano - Të martën (nesër) në orën 21:00 Interi dhe Bodo/Glimt do përballen në aktin e dytë të fazës play-off në Champions League. Zikaltërit e trajnerit Cristian Chivu humbën 3-1 në Norvegji një javë më parë dhe kërkojnë përmbsyjen e madhe që do i dërgonte në fazën e 1/8-ave dhe do largonte turpërimin për ekipin e Serie A. Trajneri rumun i Interit, Cristian Chivu, nuk e shmangu dot një përplasje me një gazetar nga Norvegjia në konferencën për mediet.
"Ndeshja e parë na mësoi atë që e dinim tashmë, se kundër një skuadre si kjo, nuk është kurrë e lehtë, asgjë nuk ndodh rastësisht kundër Bodo/Glimt. Unë marr meritat për përulësinë dhe rritjen tonë, duam të vazhdojmë të marshojmë përgjatë kësaj rruge sepse për tre muaj kemi treguar besimin e duhur dhe humbjet nuk na kanë ndryshuar kurrë. Nuk kemi detyrim, por detyrë, të përpiqemi, nëse ka një skuadër që mund ta përmbysë një ndeshje si kjo, është e jona", tha trajneri i Interit, që nuk do ketë të gatshëm kapitenin Lautaro Martinez për ndeshjen e nesërme.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes së Champions League, një gazetar norvegjez e pyeti se sa "e turpshme" do të ishte të dilte nga gara kundër një ekipi të vogël nga një qytet me 50,000 banorë. Trajneri nuk i kurseu sulmet, duke kërkuar respekt.
"Oh, e thua këtë dhe qesh? Urime... Nuk ka asgjë të turpshme në futboll. Ne duhet t'i respektojmë kundërshtarët tanë, meqenëse ju nuk na respektoni duke thënë se do të ishte një turp për ne. Ne, nga ana tjetër, e respektojmë dhe e përgëzojmë Bodon, ekip i cili fitoi në Madrid ku ne dështuam", tha ai mes të tjerash.
Tensionet janë duke u rritur shumë kohë para mbrëmjes së nesërme, në të cilën Interi do duhet të përmbysë humbjen 3-1 të ndeshjes së parë.
Komente









