Juventusi sfidon sonte Chelsean kampionen në fuqi të Champions League. Bardhezinjtë dhe blutë e Londrës përplasen sonte në orën 21:00 në atë që është sfida më interesante e ndeshjeve të dyta në grupet E,F,G dhe H. Bardhezinjtë kanë tre pikë dhe në sulm janë pa Dybala-Morata dhe titullar priten Chiesa e Kean. Trajneri Allegri thotë se është konfuz dhe se ndaj Chelseat duhet një ndeshje e madhe.
Në kampin e Chelseat janë gati. Po ashtu edhe Lukaku për një tjetër duel me Chiellinin. Trajneri Tuchel thotë se Juventusi është i fortë edhe pa Ronaldon ndërsa dyshja e sulmit do jetë Lukaku-Werner.Po për grupin H në 18:45 Zenit pret Malmoe. Pasi mposhti Barcelonën në ndeshjen e parë Bayern Mynih nuk pritet të ketë probleme në ndeshjen e sotme ndaj Dinamo Kiev.
Ndërsa Barcelona duhet me patjetër ta fitojë sfidën ndaj Benficës në transfertë për grupin E. Katalanasit në kampionat u rikthyen tek fitorja dhe duan të sigurojnë pikët e para edhe në Champions.
Në grupin F Manchester United nuk i lejohet tjetër hap fals. Anglezët u mposhtën në sfidën e parë nga Young Boys dhe ndaj Villarreal në “Old Traford” punë bën vetëm fitorja. Sytë sërish janë drejtuar nga Cristiano Ronaldo.Në ndeshjen tjetër të grupit Atalanta pret në Bergamo kryesuesit e grupit zvicerianët e Young Boys. Ndërkaq dy sfidat e grupit G janë Salzburg-Lilë e Wolfsburg-Sevilla./ Përgati Andi Kapxhiu