Champions League, Berlini gati 
 për finalen Juventus-Barcelona

Champions League, Berlini gati <br /> për finalen Juventus-Barcelona
Champions League mbërrin në finish me finalen e madhe që do të zhvillohet sonte në orën 20:45 në stadiumin “Olimpiashtadion” në Berlin. Super sfida pritet të elektrizojë jo vetëm Gjermaninë, por edhe të gjithë botën e futbollit në çdo skaj të planetit, pasi përballë janë dy ekipet më të mira të momentit në Europë. Juventusi dhe Barcelona synojnë tripletën e famshme, por për këtë duhet të fitojnë sonte në Berlin, pasi në kampionatet respektive i kanë mbyllur llogaritë me kampionatin dhe kupën.

Juventusi i ndërtuar mbi forcën e grupit tenton që të ngjitet në çatinë e Europës për herë të tretë në histori, pasi deri tani ka fituar vetëm dy herë këtë kompeticion më 1985 dhe 1996. Hera e fundit kur Juventusi mbërrinte në një finale Champion League ishte në vitin 2003, por nuk arriti të triumfonte në finalen italiane, pasi u mund nga Milani me penallti, pasi koha e rregullat përfundoi pa gola. “Zonja e Vjetër” tenton surprizën në finale sonte, pasi këtë edicion ka eliminuar ekipe pretendente si Dortmundi dhe Reali, por për të ngritur kupën me ‘veshë të mëdhenj’ duhet të mundet Barcelona.

Spanjollët edhe pse Pep u largua kanë trashëguar stilin ‘tiki taka’, por të ndërthurur me kundërsulmet e shpejta duke e bërë më atraktive lojën. Mesi-Neymar dhe Suarez kanë qenë të pandalshëm këtë edicion në kampionat, Kupë dhe Champions, por a do të arrijnë që të depërtojnë në mbrojtjen italiane, e cila ka treguar se këtë edicion rrallë herë ka ‘futur ujë’ duke qenë hermetike.

Megjithatë edhe sikur Enrike të mos triumfonte përballë italianëve, edicioni do të ishte i suksesshëm, pasi ka siguruar dy trofe. Strategjia e Barcelonës do të jetë zotërimi i topit dhe sulmet e shpejta, ndërsa Juve nuk ka rrugë tjetër në Berlin përveçse të mbrohet mirë dhe të shpresojë te kundërsulmet dhe gabimet e kundërshtarit.

Deklaratat para ndeshjes
Pas mbërritjes në Gjermani teknikët e dy ekipeve kanë dhënë edhe deklaratat e fundit para ndeshjes së madhe. Juventini Alegri pengun e vetëm ka mungesën e Kielinit, por beson se Barzagli do ta zëvendësojë më së miri.

“Barcelona është favorite, por finalet janë të paparashikueshme. Jemi optimistë dhe besimplotë se do të fitojmë, por për të arritur aty duhet të bëjmë sa më pak gabime. Duhet të bllokojmë sulmin e Barcelonës dhe të gabojmë sa më pak para portës kundërshtare. Shpresoj që në fund fati të na buzëqeshë ne, pasi kemi bërë një edicion mjaft të mirë” tha ai. Ndërsa Enrike kërkon vetëm përqendrim dhe angazhim për shmangur euforinë. “Shanset janë 50 me 50 në finale”.


Formacionet
Dy teknikët nuk pritet që të bëjnë surpriza përsa i përket formacioneve që do të zbresin në fushë sonte. Alegri vendin e Kielinit të dëmtuar ia ka besuar Barzagli, ndërsa te Barcelona asnjë ndryshim.

Juventus: Buffon; Lichtsteiner, Bonucci, Barzagli, Evra; Marchisio, Pirlo, Pogba; Vidal; Morata, Tevez.

Barcelona: Stegen; Dani Alves, Piquè, Mascherano, Alba; Busquets, Iniesta, Rakitic; Messi, Neymar, Suarez.

Legjendat
Franz Beckenbauer beson se Barcelona do të triumfojë. "Nëse dikush mund të ndalojë Lionel Mesin, Neymar dhe Suarezin është Juventusi. Ata janë të sigurt në mbrojtje. Por, Barça janë ekipi më i mirë individual në Evropë. Pas këtij sulmi fantastike ata gjithashtu kanë Andres Iniesta dhe Ivan Rakiticin. Unë mendoj se Barcelona do të fitojë 2-1 në shtesë”deklaroi ai. Ndërsa Marcelo Lippi shprehet se Juventusi është pengesa kryesore për Barcelonën. “Barcelona është favoritë, por unë nuk mendoj se kjo do të jetë e lehtë për sa thuhet dhe mendohet. Sipas mendimit tim Luis Enrique deri tani nuk ka luajtur përballë një ekipi kaq të guximshëm”tha Lippi.

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

'Bardhi pa kokërr leku', Sara tregon mes lotësh momentin e vështirë dhe kush i ndihmoi për qiranë

'Bardhi pa kokërr leku', Sara tregon mes lotësh momentin e vështirë dhe kush i ndihmoi për qiranë