ITALI - Një pasdite maji merr 'peng' “Allianz Stadium” dhe gjithë ambiciet brenda tij. Barazimi me një skuadër të rënë nga kategoria (Verona) vë në diskutim arritjen minimale të Juventusit, Championsin. Aktualisht në vend të 4-t, por me Romën vetëm një pikë prapa.

Frika e mbetjes jashtë kompeticionit të rëndësishëm është e madhe dhe mbyllja e kampionatit jashtë 4 vendeve të para do të kishte efekt të fortë në klubin bardhezi.

I palëvizshëm në rast dështimi është trajneri Luciano Spalletti. Ai ka vendosur të nisë një aventurë të re për t’i dhënë jetë projektit dy vjeçar. Në diskutim është Damien Comolli (drejtori i përgjithshëm), edhe pse ka vetëm 12 muaj në detyrë, kurse Giorgio Chiellini shihet si njeriu “i fortë” për të ardhmen.

Barazimi me Veronën ka shkaktuar frikë të madhe se mund të ndodhë e keqja. Me Juventusin jashtë Championsit pasojat do të jenë fatale në merkato. Ndikon në vendimet e afrimeve të mundshme, siç është rasti i Bernardo Silvës. Ndikon po ashtu edhe në largimin e mundshëm të disa prej lojtarëve më të mirë të skuadrës bardhezi.

Kenan Yildiz është një nga dëshirat e presidentit të Real Madrid, Florentino Perez. Do të ishte një humbje e madhe për Juventusin, por nuk është vetëm turku. Një kolonë tjetër bardhezi që mund të largohet është Bremer. Pastaj është Dusan Vlahovic, fati i të cilit varet shumë nga Championsi. Sulmuesi mund të largohet me parametra zero.