Këtë të martë Champions League do mësojë katër skuadrat e para çerekfinaliste, teksa në program janë katër ndeshjet e kthimt të fazës së 1/8-ave.

Me fillim në orën 18:45 në Lisbonë, Sportingu vendas ka një detyrë shumë të vështirë për të përmbysur humbjen 3-0 të ndeshjes së parë kundër Bodo/Glimt. Këta të fundit janë një realitet në futbollin evropian duke qenë një nga surprizat më të bukura të këtij edicioni.

Në orën 21:00 luhen tre ndeshjet e tjera që premtojnë emocione.

Në 'Etihad', vendasit e Manchester Cityt presin Real Madridin për atë që është quajtur si 'Klasikja' e Evropës. Në ndeshjen e javës së shkuar Real Madridi fitoi 3-0 në 'Bernabeu' falë tripletës së kapitenit Valverde dhe sot djemtë e Pep Guardiolës kanë një detyrë të vështirë për të përmbysur këtë rezultat.

Fillimisht duhen tre gola për ta dërguar sfidën në shtesë dhe më pas 'Qytetarët' do kërkojnë mrekullinë, që për hir të së vërtetës është më shumë se e vështirë, duke parë formën e madrilenëve dhe tre golat avantazh. 'Galaktikët' do kenë të gatshëm Kylian Mbappe, me francezin që nuk projektohet nga minuta e parë. Gjithsesi, për spanjollët do mungojnë Asencio, Ceballos, Eder Militao, Mendy dhe Rodrygo. Nga ana tjetër Pep Guardiola nuk do ketë të gatshëm Josko Gvardiol.

Shifrat - Në 16 përballjet mes tyre në gjithë historinë, Real Madridi ka fituar në shtatë raste, pesë janë fitore të Manchester Cityt, ndërsa katër duele të tjera janë mbyllur në barazim. Prej vitit 2022 skuadrat janë përballur pesë herë në fazën me eliminim direkt të Champions League.

Në 'Emirates' të Londrës, Arsenali do kërkojë fitoren kundër gjermanëve të Bayer Leverkusen, me ndeshjen e parë mes tyre që u mbyll 1-1 në 'BayArena'.

Në 'Stamford Bridge' të Londrës, Chelsea ka një detyrë të vështirë për të përmbysur humbjen 5-2 të ndeshjes së parë në Paris kundër PSG-së. Francezët, kampionë në fuqi të këtij eventi janë 'me një këmbë' në fazën çerekfinale.

Champions League, faza e 1/8-ave, ndeshjet e kthimit:

E martë, 17 mars 2026

18:45

Sporting Lisbone - Bodo/Glimt (0-3)

21:00

Arsenal - Bayer Leverkusen (1-1)

Chelsea - PSG (2-5)

Manchester City - Real Madrid (0-3)

E mërkurë, 18 mars 2026

18:45

Barcelona - Newcastle (1-1)

21:00

Bayern Munich - Atalanta (6-1)

Liverpool - Galatasaray (0-1)

Tottenham - Atletico Madrid (2-5)

Shënim: Në kllapa () rezultatet e ndeshjeve të para

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:35
Mbappe e nis ndeshjen nga stoli, formacionet e mundshme të Manchester City - Real Madrid

1773758244_championsleague.JPG

Sot në mbrëmje rikthehet spektakli i Champions League me ndeshjet e kthimit të fazës së 1/8-ave, teksa priten përballje të zjarrta dhe beteja për kualifikim.

Vëmendja kryesore është në 'Klasiken' mes Manchester Cityt dhe Real Madridit, me madrilenët që kanë fituar 3-0 në takimin e parë dhe janë shumë pranë kualifikimit për në fazën çerekfinale. Për "Galaktikët" Kylian Mbappe ka lënë pas lëndimin dhe pritet ta fillojë ndeshjen nga stoli.

Ky takim luhet me fillim nga ora 21:00, kurse këto pritet të jenë formacionet e dy skuadrave:

Manchester City: Donnarumma; Nunes, Dias, Guehi, Ait-Nouri; Bernardo, Rodri, O’Reilly; Semenyo, Haaland, Cherki Trajner: Pep Guardiola

Real Madrid: Courtois; Alexander-Arnold, Huijsen, Rudiger, Garcia; Valverde, Tchouameni, Camavinga; Diaz, Guler, Vinicius Jr Trajner: Alvaro Arbeloa

Ora 15:13
Man. City sot me mision të vështirë, Pep Guardiola: Eliminimi nga Champions League nuk është dështim

1773756853_pepguardiola.JPG

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka dhënë mesazhe qetësie për tifozët para sfidës vendimtare kundër Real Madrid, në ndeshjen e kthimit të raundit të 1/8-ave të Champions League. 'Qyetarët' kanë një mision të vështirë për të përmbysur humbjen 3-0 të ndeshjes së parë.

“Mos e quani dështim”, tha Guardiola, edhe pse City duhet të përmbysë humbjen.

“Gjëja e rëndësishme është që të mos mendoni se keni dështuar. Asnjë nga ekipet e mëdha në histori nuk ka fituar gjithmonë. Në sport, humbet më shumë sesa fiton.”

Guardiola ka theksuar se përpjekja e ekipit është ajo që ka vërtet rëndësi. Megjithatë, ai ka nënvizuar se një eliminim nuk është dështim, por një mundësi për të mësuar dhe për t’u përmirësuar.

"Është normale që të tjerët të jenë më të mirë se ti, duhet ta pranosh dhe të përpiqesh përsëri vitin tjetër. Ajo që ka rëndësi është përpjekja, përkushtimi, dashuria për sportin dhe respekti për njerëzit e tu. Nuk ka ekip që fiton gjithmonë, nuk ka karriera perfekte. Mund të ndihesh mirë, të jesh i bindur se ke bërë gjithçka dhe prapë të jesh jashtë. A ishim një dështim?”, tha Guardiola.