Elita e futbollit evropian, Champions League, do rikthehet këtë të martë me nëntë takimet e para të fazës së ligës për raundin e katërt. Në orën 18:45 luhen Napoli - Eintracht Frankfurt dhe Slavia e Pragës - Arsenal.
Napoli kërkon të rikthehet te fitorja pas humbjes turpëruese 6-2 nga PSV në Holandë. Conte nuk do ketë të gatshëm De Bruyne, Lucca, Lukaku dhe Meret. Ndërkohë që Arsenali ka tre fitore dhe dëshiron të vijojë formën e mirë që ka edhe në kampionat. Arteta nuk do ketë të gatshëm shumë emra, mes të cilëve Kepa, Gabriel Jesus, Gyokeres, Havertz, Madueke, Martinelli, Odegard dhe Zubimendi.
Në orën 21:00 do zhvillohen shtatë takimet e tjera, ku spikat padyshim Liverpool - Real Madrid. Të kuqtë po kalojnë një formë jo të mirë, por kërkojnë të surprizojnë 'Galaktikët' që nga ana e tyre kanë tre fitore në Champions. Për Liverpool nuk do jenë gati Alisson, Chambers, Frimpong, Isak dhe Leoni. Te Reali trajneri Xabi do duhet të bëjë pa Alaba, Carvajal, Rudiger dhe Mastantuono.
Në Paris, vendasit e PSG-së do përballen me Bayern Munich. Kampionët në fuqi nuk kanë të gatshëm Doue të dëmtuar dhe Zabarnyi të ndëshkuar me kartona. Te Bayern mungojnë Davies, Ito dhe Musiala.
Në Torino, Juventusi kërkon të marrë fitoren e parë, pasi ka dy barazime dhe një humbje. "Zonja" përballet kundër Sportingut të Lisbonës që më herët ka fituar kundër Marseille dhe Kairat Almaty. Trajneri Spalletti do duhet të bëjë pa Bremer, Cabal, Milik dhe Pinsoglio.
Champions League, raundi 4-t:
E martë, 04 nëntor 2025
18:45
Napoli - Eintracht Frankfurt
Slavia e Pragës - Arsenal
21:00
Atletico Madrid - Royale Union SG
Bodo/Glimt - Monaco
Juventus - Sporting Lisbone
Liverpool - Real Madrid
Olympiacos - PSV
PSG - Bayern Munich
Tottenham - FC Copenhagen
Renditja:
Pas fitores kundër Cremoneses (1-2), Juventusi përgatitet sot për debutimin e trajnerit të ri Luciano Spalletti në Champions League. Në konferencën për shtyp, Spalletti theksoi se sfida kundër Sportingut do të jetë jashtëzakonisht e vështirë.
“Sporting është një ekip shumë i aftë në ndryshimin e roleve dhe ka një kontroll të jashtëzakonshëm të topit në mesfushën sulmuese”, shpjegoi trajneri bardhezi.
Ai foli edhe për disa prej lojtarëve: “Yildiz është i disponueshëm dhe më kujton pak Kvarën dhe Di Natalen. Cambiaso është një lojtar modern dhe shumë i fortë. Vlahovic do të ishte shumë i lumtur të qëndronte këtu”, vijoi ai.
Spalletti theksoi rëndësinë e mentalitetit dhe përqendrimit: “Liga e Kampionëve është një privilegj. Duhet të kemi personalitet dhe guxim për të zgjedhur atë që duam të bëjmë në fushë. Pasiguria është më e keqe se një gabim”, tha mes të tjerash 66-vjeçari.
Juventus - Sporting luhet sot në orën 21:00 në Torino.

Xabi Alonso kthehet sot në "Anfield Road", por këtë herë si kundërshtar. Nga 2004-2009 spanjolli ka qenë pjesë e Liverpool si futbollist, ndërsa tani është trajneri i Real Madrid.
Përballja e sotme nis në orën 21:00 dhe vlen për raundin e katërt në fazën e ligës së Champions League. 43-vjeçari Xabi është i përfshirë nga nostalgjia për vitet e kaluara si i kuq dhe dëshira për të marrë tri pikë sot.
"Është bukur të rikthehesh në një vend ku të kanë dashur kaq shumë. Përpiqem të përqendrohem, por në këto ndeshje është e vështirë.”
Sa iu përket penalltive, trajneri spanjoll tha: “Ne përcaktojmë se kush është gjuajtësi dhe më pas ata vendosin. Për sot, i pari në listë është Kylian”. Për Trent Alexander-Arnold: “Është mirë dhe në dispozicion. Mund të luajë sot. Pas dëmtimit, kemi nevojë për cilësitë e tij, është në një fazë të re dhe duhet ta ndihmojmë të japë maksimumin”.
Duke kujtuar periudhën e tij në Liverpool: “Me Rafa Benitezin mësova shumë. Ishin vite shumë të mira, më ndihmojnë ende sot”.
Për atmosferën në “Anfield”: “Lojtarët e dinë tashmë si të përballen me presionin kur stadiumi ulëret”. Ai kujtoi gjithashtu: “Në finalen e Stambollit, gjuajtja e penalltisë prej meje ndryshoi historinë time”.
Përpara ndeshjes, një përfaqësi e Real Madrid me Xabi Alonson në krye, kreu homazhe në nderim të Diogo Jotës, ish-sulmuesit të Liverpool që u nda nga jeta tragjikisht.
Komente






