PARIS - U cilësua si finalja e parakohshme e këtij sezoni në Champions League dhe dueli i ‘Parkut të Princave’ në Paris nuk zhgënjeu. PSG, kampion në fuqi i këtij eventi fitoi sot me përmbysje 5-4 kundër Bayern Munich në gjysmëfinalen e parë të Champions League, duke lënë gjithçka të hapur për sfidën e kthimit që luhet më 6 maj në Gjermani. Asnjëherë më parë nuk ishin shënuar nëntë gola në një ndeshje gjysmëfinale të Champions League. PSG mposhti Bayern në Champions për herë të parë që nga 7 prilli 2021, pas një serie prej pesë ndeshjesh pa fitore.

Bavarezët kaluan në epërsi pas 17 minutash lojë me golin e Harry Kane nga pika e bardhë e penalltisë, teksa anglezi ka shënuar 54 gola këtë sezon për Bayern. Goli i pësuar e ‘zgjoi’ PSG-në që përmbysi ndeshjen me supergolin e Kvaratskhelias dhe atë të Neves, para se Olise të barazonte për 2-2 në minutën e 41-të. Fundi i pjesës së parë solli edhe golin e tretë për vendasit me Ousmane Dembele pas 11 metërshit që u akordua nga VAR, teksa fraksioni i parë u mbyll 3-2.

Edhe pjesa e dytë nisi aty ku u ndal e para dhe PSG shënoi dy herë të tjera me Kvaratskhelian dhe Dembele për rezultatin 5-2. Kur u duk se PSG do e kishte të lehtë për të kaluar në finale, Bayern shënoi dy gola me Upamecanon dhe Diaz për rezultatin final 5-4. PSG fitoi betejën, por jo luftën ndaj Bayernit.

Gjithçka në këtë çift mbetet e hapur për sfidën e radhës që do të zhvillohet më 6 maj në Munich, aty ku do të vendoset se cili mes dy ekipeve do të luajë në finalen e Budapestit. Paris Saint Germain ka ndërprerë serinë prej 19 ndeshjeve pa humbje të Bayern.

Ndeshja e parë e gjysmëfinales tjetër mes Atletico Madridit dhe Arsenalit do të luhet nesër në orën 21:00.