Kompeticioni më i rëndësishëm për klube në Evropë, Champions League, do zhvillojë këtë të mërkurë katër ndeshjet e fundit play-off, nga ku do mësohen katër skuadrat e mbetura për të plotësuar fazën e 1/8-ave. Tetë skuadra janë në garë për katër biletat e mbetura, teksa për disa prej tyre nevojitet shumë punë për të përmbysur rezultatet e sfidave të para.
Në Torino, Juventusi pret Galatasarayn në orën 21:00. Turqit fituan 5-2 një javë më parë në Stamboll dhe kanë tre gola epërsi, ndërsa 'Zonja e Vjetër' nuk është në formë sportive, por do tentojë përmbysjen e madhe. Trajneri Luciano Spalletti nuk do ketë të gatshëm Juan Cabal, Andrea Cambiaso, Emil Holm, Arkadiusz Milik dhe Dusan Vlahovic.
Në Bergamo vendasit e Atalantës luajnë kundër Dortmundit në orën 18:45. Gjermanët e kanë fituar 2-0 ndeshjen e parë dhe do futen në fushë për të administruar rezultatin. Italianët do kenë një detyrë të vështirë.
Në 'Parkun e Princave' luhet PSG - Monaco. Kampionët në fuqi të këtij eventi fituan 2-3 me përmbysje në ndeshjen e parë.
Në 'Bernabeu' Real Madridi luan kundër Benficas. Spanjollët fituan 0-1 në Portugali një javë më parë, por 'Shqiponjave' të Mourinhos nuk u zihet besë dhe këtë e treguan një muaj më parë kur mposhtën pikërisht Real Madridin. Alvaro Arbeloa nuk do ketë të gatshëm sulmuesin Kylian Mbappe, me francezin që vuan një dëmtim në gjurin e majtë. Veç Mbappesë, për Realin në sfidën e sotme do mungojnë edhe Jude Bellingham, Dani Cabellos, Eder Militao, Dean Huijsen dhe Rodrygo.
Champions League, faza play-off, ndeshjet e kthimit:
E mërkurë, 25 shkurt 2026
18:45
21:00
Juventus - Galatasaray (2-5)
PSG - Monaco (3-2)
Real Madrid - Benfica (1-0)
E martë, 24 shkurt 2026
18:45
Atletico Madrid 4-1 Club Brugge (3-3)
21:00
Bayer Leverkusen 0-0 Olympiacos (2-0)
Inter 1-2 Bodo/Glimt (1-3)
Newcastle 3-2 Qarabag (6-1)
Shënim: Në kllapa () janë rezultatet e ndeshjeve të para mes secilit çift

Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk, ka folur me kujdes para sfidës së kthimit kundër Juventusit, duke theksuar se epërsia 5-2 e turqve nga ndeshja e parë e play-off-it të Champions League nuk garanton asgjë.
Në një intervistë për 'Sky Sport', tekniku turk u shpreh se skuadra e tij duhet të qëndrojë e përqendruar maksimalisht, pavarësisht fitores bindëse në përballjen e parë.
“Gjithçka është ende e hapur. Kemi fituar vetëm ndeshjen e parë. Na pret një sfidë shumë e rëndësishme dhe e vështirë në kthim. Juventusi është një ekip i fortë dhe drejtohet nga një trajner i shkëlqyer si Spalletti. Nuk jemi kualifikuar ende, kemi edhe 90 minuta për të luajtur”, deklaroi Buruk.
Galatasaray udhëton me avantazhin e tre golave, por trajneri turk nuk dëshiron ulje të ritmit.
“Ndeshja e dytë do të jetë ndryshe. Duhet të luajmë lojën tonë dhe të jemi edhe më të fortë se në takimin e parë. Nuk jemi të qetë”, theksoi ai.
Tekniku veçoi disa nga rrezikshmëritë e kundërshtarit, duke përmendur emra si Kenan Yildiz, Francisco Conceiçao dhe Jonathan David si lojtarë që mund të bëjnë diferencën.
Sa i përket gjendjes së skuadrës, Buruk konfirmoi se sulmuesi Victor Osimhen ka kaluar problemin në gju dhe është gati për të luajtur, ndërsa rotacioni i bërë në ndeshjet e fundit ka ndihmuar ekipin të ruajë freskinë fizike.
Juventusi dhe Galatasaray do përballen sot në orën 21:00 në Torino, për sfidën e kthimit në Champions League.
Real Madridi do të përballet sot me Benficën pa yllin e sulmit, pasi është konfirmuar mungesa e Kylian Mbappe për ndeshjen e kthimit në fazën play-off të Champions League, e cila do të zhvillohet sot në orën 21:00 në 'Bernabeu'.
Sulmuesi francez vazhdon të ketë probleme me gjurin e majtë dhe u detyrua të ndërpresë para kohe seancën stërvitore të së martës. Ekzaminimet mjekësore të kryera më pas treguan se gjendja e tij është ende larg rikuperimit, duke e bërë të pamundur aktivizimin kundër portugezëve.
Mungesa e tij është e pashmangshme, ndërsa ende nuk dihet sa do të zgjasë periudha e rikuperimit. Zbatimi i një protokolli të veçantë trajtimi është konsideruar i domosdoshëm për sulmuesin francez.
Paradoksalisht, vetëm pak orë më parë trajneri Alvaro Arbeloa kishte deklaruar se Mbappe ishte gati për të luajtur, duke vlerësuar përkushtimin e tij maksimal ndaj skuadrës. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë ndryshuar situatën.
Në mungesë të golashënuesit kryesor, pritet që nga minuta e parë të aktivizohet Gonzalo Garcia, i cili do të ketë barrën kryesore në repartin sulmues të “Los Blancos” në një duel vendimtar për kualifikimin.
Veç Mbappesë, për Realin në sfidën e sotme do mungojnë edhe Jude Bellingham, Dani Cabellos, Eder Militao, Dean Huijsen dhe Rodrygo.

Luciano Spalletti beson se Juventusi mund të tentojë mrekullinë në Champions League, por thekson se mbështetja e tifozëve do të jetë vendimtare në sfidën e kthimit kundër Galatasarayt.
Bardhezinjtë zbresin në fushë sot në mbrëmje në orën 21:00 me misionin e vështirë për të përmbysur humbjen 2-5 të ndeshjes së parë dhe për të siguruar një vend në raundin e 1/8-ve.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, tekniku italian e cilësoi momentin delikat për skuadrën, duke kërkuar bashkim mes ekipit dhe tifozëve.
“Ka ndeshje që nuk luhen vetëm në fushë, por edhe në atmosferë. Kemi nevojë për 'zemrën' e tifozëve tanë. Me ta pas nesh jemi më të fortë. Është një periudhë e vështirë dhe u kërkojmë të na qëndrojnë pranë. Do të luftojmë deri në fund”, deklaroi Spalletti.
Trajneri theksoi se dita e pushimit ka ndihmuar ekipin të rikuperohet sa më mirë të jetë e mundur, ndërsa vëmendja është e gjitha te përballja me turqit e Galatasarayt.
“Jemi përgatitur maksimalisht për vështirësitë e kësaj ndeshjeje. Për të ardhmen do të mendojmë vetëm pasi të përfundojë kjo sfidë dhe të shohim rezultatin”, u shpreh ai.
Komente







