Sot luhen ndeshjet e dyta në grupet e Champions. Dy sfidat që spikasin mbi të gjitha janë PSG-City e Milan-Atletico Madrid. Në grupin A në Paris luhet supersfida mes PSG-së dhe Manchester City-t. Francezët kanë vetëm një pikë pasi ndeshjen e parë e kanë barazuar ndërsa City vjen në këtë duel me pikët e plota. Lionel Messi dje është stërvitur me grupin dhe është në dispozicion ndërsa trajneri Pochettino thotë se pas sherrit në fundjavë Mbappe e Neymar bënë paqe.
City është gati për të bërë një tjetër paraqitje të mirë në Champions. Pep Guardiola vlerëson ekipin rival dhe kërkon që Messi të jetë në fushë. Sfida tjetër e grupit A është Lajpcig-Klub Bryzh.
Në grupin B Milani kërkon pikët e para në Champions ndaj Atletico Madrid. Skuadra e Piolit e humbi ndeshjen e parë ndaj Liverpool por është gati për një tjetër sfidë gjigandësh. Rebic-Leao e Diaz janë futbollistët me të cilët do kërkohet goli ndërsa trajneri thotë se mungesa e eksperiencës do mbulohet nga entuziazmi.
Simeone respekton kuqezinjtë por kërkon nga skuadra e tij që të kthehet ajo Atletico e zakonshme për t’i bërë dëm kundërshtarit. Në sulm pritet dyshja Suarez-Griezmann. Liverpool ka udhëtuar në Portugali ku do të përballet me Porto-n. Anglezët e kanë fituar ndeshjen e parë në grup.
Pasi humbi në ekstrem ndaj Realit , Interi kërkon sot pikët e para ndaj Shakhtar Donetsk në sfidën që luhet në 18:45. Trajneri Simone Inzaghi kërkon të largojë tensionin nga skuadra duke mos e cilësuar si sfidë vendimtare. Dzeko-Lautaro do luajnë në sulm ndërsa si titullar pritet ta nisin Dumfries e Vecino.
Reali pret në 'Bernabeu' moldavët e Sheriff Tiraspol që në ndeshjen e parë bënë surprizën. Trajneri Ancelotti ka kërkuar kujdes por los blancos nuk pritet të kenë problem për të marrë fitoren e dytë në grupin D. Ndërsa për grupin C luhet sfidat Dortmund-Sporting e Ajax-Beshiktash. Ndeshjet nisin në orën 21:00 me përjashtim të sfidave të Interit e Ajaxi-t./ Përgatiti Andi Kapxhiu