‘Yjet’ sonte do të lënë qiellin, pasi do të zbresin në fushë. Dhe këtë e bën pikërisht Champions League, që këtë të mërkurë rezervon përballje të historisë botërore si Inter-Real Madrid apo Liverpool-Milan.
Në ‘San Siro’ në orën 21:00 kampionët e Italisë, Interi, pret Real Madrid për ndeshjen e vlefshme për grupin D. Zikaltërit e nisin sezonin në Champions me synimin për t’i dhënë fund mallikimit të grupeve, pasi hera e fundit që kanë kaluar në 1/8 është në 2012. Kundër ‘galaktikëve’ zikaltërit kanë të padisponueshëm vetëm Sensin, ndërsa Bastoni është gati për t’u hedhur në fushë. Nga ana tjetër dhimbje koke për Anchelotti-n, i cili në ‘La Scala-n’ e futbollit duhet t’ia dalë pa Mendy-n, Toni Kross, Ceballos, Bale dhe Marcelo, ndërsa Alaba është në pikëpyetje. Në prag të sfidës trajneri i Real Madrid Carlo Ancelotti e ka pranuar së fëmijë ka qenë tifoz i Interit, ndërsa ka shtuar se pavarësisht ndryshimeve të rëndësishme në organikë ‘zikaltërit’ kanë mbetur shumë të rrezikshëm’. Inter-Real Madrid do të ndiqet nga 37 mijë tifozë në stadium, që është edhe kapaciteti maksimal për shkak të pandemisë. Sfida tjetër e këtij grupi do të jetë mes Sherif Tiraspol dhe Shakhtar Donetsk.
Ndërkohë tifozët e futbollit do të jenë të fokusuar edhe në Angli, pasi Liverpool përballet me Milanin, dy skuadra që kundër njëra-tjetrës kanë bërë këdo me zemër në dorë. Skuadra italiane rikthehet pas 7 vitesh në Champions, ndërsa për këtë sfidë humbi Ibrahimovic, ndërsa mungesat e tjera të Piolit do jenë Bakayoko dhe Krunic. Për Liverpool mungon vetëm Firminho dhe Elliot, ndërsa Jurgen Kloop shprehet me fjalë të mëdha për kundërshtarin, duke thënë se këtë të mërkurë do të luhet një nga sfidat më të bukura të këtij kompeticioni. Përballja tjetër e grupit B do jetë mes Atletico-s dhe Portos.
Sakaq sonte në fushë zbresin edhe Paris SG me Manchester City-n. Sheikët e Francës luajnë në Belgjikë kundër Club Brugge, ndërsa sipas trajnerit Pochetino për herë të parë do jenë në fushë Messi, Neymar dhe Mbappe. City ndërkohë pret Leipzig në Angli për ndeshjen tjetër të grupit A.
Në grupin C Besiktas pret në Turqi Dortmundin, ndërsa Ajaxi sfidon në Portugali Sportingun.