Në letër është favoritë, por Milan sonte duhet të paktën të barazojë kundër Salzburg për të kaluar në fazën tjetër të Champions League. ‘Djalli’ që vjen pas humbjes me Torino-n do hedhë sonte në fushë të gjithë armatën, ndërsa trajneri Pioli është shprehur se ‘nuk do luajnë në mbrojtje’, pasi në këtë mënyrë janë më afër humbjes. Milan renditet në vendin e dytë në grupin E me 7 pikë, 1 më shumë se Salzburg që tenton befasinë e madhe. Ndeshja tjetër e këtij grupi është mes Chelsea-s së kualifikuar dhe Dinamo Zagreb, që ka pretendime për të shkuar në Europa League. Për këtë duhet të mposhtë londinezët, të cilët duan hakmarrjen me Brojën në sulm për ndeshjen e parë në Kroaci.
Përveç grupit E bileta tjetër e vetme në diskutim është në grupin F. Shakhtar i vendit të tretë me 6 pikë pret Leipzig me alternativën e vetme fitoren, pasi gjermanët e vendit të dytë kanë 9 pikë. Sakaq Real Madridi kryesues duhet të bëjë detyrën kundër Celtic për të mos rrezikuar vendin e parë. Skocezët nga ana tjetër nuk kanë asnjë pretendim.
Me interes mbrëmjen e sotme pritet edhe sfida mes Juventusit dhe Paris SG. Italianët janë eliminuar nga Champions-it, por duhet të bëjnë pikë për të shkuar në Europa League. Paris SG është i kualifikuar, por duelon me Benfica-n për vendin e parë në grupin H. Portugezët nga ana tjetër kanë udhëtuar në Izrael për t’u përballur me Macabi Haiffa-n, që gjithashtu shpreson të shkojë në Europa League.
Në grupin G gjithçka është vulosur me Manchester City-t që kualifikohet si e para dhe Dortmundi i dyti. Sonte gjithsesi anglezët përballen me Sevillia-n, ndërsa gjermanët e Dortmund me Copenhagen në transfertë.