E mërkura do të rezervojë të tjera emocione të forta në Champions League, pasi sonte do të debutojnë 16 skuadra nga grupi A te grupi D. Mbi të tjera spikat përballja mes Bayern Mynchen, kampionës aktuale dhe Atletico Madrid. 90 minutat e këtij takimi do të kenë ndikim të rëndëishëm për renditjen e Grupit A, ndërsa tifozët e futbollit do të privohen nga disa lojtarë për shkaqe të ndryshme. Te Bayern Gnaby është i prekur me koronavirus, ndërsa Sane vijon i dëmtuar. Sakaq te skuadra spanjole nuk janë të disponueshëm Diego Costa, Ginmenez, Niguez dhe Vrsajlko, të katër të dëmtuar. Ndeshja tjetër e këtij grupi është ajo mes Salzburg dhe Lokomotiv Moscoë, që luhet në orën 18:55.
Ndërkohë për llogari të grupit B, Reali që vjen pas një turpërimi nga debutuesit e Cadiz në La Liga do të presë Shakhtar Donetsk. Në këtë sfidë gjithsesi ‘galaktikët’ janë dukshëm të avantazhuar, ndërsa ndeshja tjetër e grupit është ajo mes Interit dhe Monchengladbach. Zikaltërit që dy sezonet e fundit kanë dështuar të kalojnë grupin, vijnë pas një humbje me Milanin dhe kundër Gjermanëve një tjetër hap fals do të godiste moralisht zikaltërit. Për këtë ndeshje Conte-s do t’i rikthehen Nainggolan dhe Bastoni, ndërkohë që koronavirusi mban ende jashtë skuadrës Skriniar dhe Young, ndërsa Vecino është i dëmtuar.
Në grupin C Manchester City do të presë Porton me objektivin e vetëm për të fituar, ndërsa Midtjylland pret suprizën e sezonit të kaluar, Atalanta-n, që këtë herë duket se ka rivale Porton për të kaluar në 1/8.
Mjaft interesante do të jetë edhe përballja në grupin D mes Ajax dhe Liverpool, me anglezët të cilët duan ta nisin me këmbën e mbarë. Sfisa tjetër e këtij grupi është mes Olympiacos dhe Marseille.