Premier League e futbollit në Angli nisi këtë të shtunë raundin e tetë. Në 'City Ground', vendasit e Nottingham Forest u mposhtën 0-3 nga Chelsea. Nëse sheh vetëm rezultatin të krijohet përshtypja e një tripikëshi të lehtë për 'Blutë', por në fushë gjërat nuk ishin të thjeshta.
Ishte Nottingham që kishte kontrollin e lojës në pjesën e parë, duke humbur disa raste për gol. Chelsea me Marescan në tribunë ishte me fat që nuk pësoi dhe pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Në nisjen e fraksionit të dytë, konkretisht në minutën e 49-të, një pasim i Pedro Netos u devijua me kokë nga 19-vjeçari Acheampong dhe u ndal në rrjetë. Me euforinë e golit, Chelsea pa drejt sulmit dhe gjeti golin e dytë. Këtë herë Pedro Neto e ndali vetë sferën në rrjetë.
Nottingham u befasua dhe vendasit u tronditën nga dy golat e pësuar, aq sa presidenti Evangelos Marinakis u largua nga tribuna. Vendasit goditën dy herë shtyllën gjatë një aksioni, por nuk qe e thënë që sfera të ndalej në rrjetë paçka rasteve.
Në minutën e 84-t duhej Reece James që të 'vuloste' suksesin 0-3 dhe t'i dërgonte 'Blutë' në vendin e katërt në kuotën e 14 pikëve, dy më pak se kryesuesit e Arsenal që kanë një ndeshje më pak. Në fund kishte vend edhe për kartonin e kuq të Malo Gusto, me Chelsea që e mbylli me dhjetë futbollistë.
Sa i takon Nottingham, e ardhmja e trajnerit Ange Postecoglou u vendos 30 minuta pas humbjes. Presidenti grek vendosi të shkarkonte Ange Postecoglou pas 39 ditësh, pasi në 8 ndeshje mori 5 humbje, 3 prej tyre radhazi.
Komente



