Chelsea ka siguruar një fitore të madhe ndaj Watford që e rendit në vendin e tretë. Golat në pjesën e dytë të Loftus- Cheek, Luiz dhe Higuain mjaftuan që blutë të katapultohen pas Liverpool dhe Manchester City, me një pikë më shumë se Totenhami dhe me një ndeshje nga fundi janë të sigurtë drejt një vendi në Champions vitin tjetër. Një fitore e djemve të Sarrit ndaj Watford pritej edhe pse do të ishte një ndeshje e vështirë, por në Huddersfield ndodhi e papritura. Vendi i fundit ndal Manchester United në një ndeshje e cila ishte jetike për djajtë e kuq.
Ekipi nga Manchesteri është zyrtarisht jashtë zonës Champions për këtë vit pas barazimit pasditen e sotme. Goli i Mc Tominay në minutat e para të ndeshjes nuk mjaftoi që djajtë të siguronin fitoren e shpresës, pasi Isaac Mbenza me golin në minutën e 60' do të shuante shpresat e të besuarve të Solskjaer.
Një ndeshje nga përfundimi, Chelsea renditet në vendin e tretë me 71 pikë, Totenham i katërti me 70 pikë ndërsa Arsenal me një ndeshje më pak në vendin e 5-të me 66 po aq sa Manchester United me barazimin e sotëm.
Në ndeshjet e javës së fundit Chelsea udhëton në Leicester, Totenham pret Evertonin, Arsenal udhëton në Burnley ndërsa pret Cardiff City për të luftuar për vendin i cili të paktën do e çojë direkt në Europa League.