-Veseli: Kosova me vlerat e saj, ishte, është dhe duhet të jetë pjesë e Evropës
PRISHTINË, 18 Shtator /ATSH-B.Jashari/.-Kryesuesi i delegacionit të senatorëve italianë në Komisionin për Politika të BE-së, Vannino Chiti, tha sot në Prishtinë se, në Senatin italian Kosova gëzon përkrahje nga çdo përbërje e tij.
"Ndërsa takimet e deritashme Senat-Kuvend i Kosovës, dëshmojnë se Italia e do Kosovën në BE", shtoi ai në takim me kryetarin e Kuvendit kosovar, Kadri Veseli, ku u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit të gjithanshëm Kosovë-Itali, me theks në procesin e integrimit të Kosovës në BE dhe bashkëpunimin ekonomik.
"Senati italian dhe shteti ynë është në anën tuaj në procesin e integrimeve, është aleati juaj besnik në këtë rrugë, duke mos ndalur që bashkëpunimi të forcohet në të gjitha lëmenjtë. Italia e do Kosovën në BE", theksoi senatori Chiti.
Kryetari Veseli e informoi senatorin Chiti se së shpejti formalisht do të konfirmohen krijimi i grupeve të miqësisë brenda Kuvendit të Kosovës dhe pritet intensifikim i bashkëpunimit.
Kryetari Veseli falënderoi senatorin Chiti, nëpërmjet tij edhe senatin e Republikës së Italisë që u gjend vazhdimisht pranë Kosovës dhe popullit të saj. Në takim u theksua nevoja e përmirësimit të informacionit në Bashkimin Evropian për Kosovën.
Ndërsa, për sa i takon investimeve, Veseli tha se prania e Italisë në fushën e ekonomisë duhet të jetë më e dukshme, jo vetëm me banka, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme por edhe në binjakëzimin e qyteteve.
Kryetari Veseli tha se përvoja nga Senati italian në eurointegrime është e mirëseardhur.
"Kosova me vlerat e saj, ishte, është dhe duhet të jetë pjesë e Evropës. Ne kemi nevojë për integrim dhe prania jonë në Bashkimin Evropian do të jetë vlerë e shtuar për demokracinë e madhe evropiane. Është e padrejtë që rinia jonë të ketë kufizime, kur dihet rëndësia e lëvizjes së lirë", theksoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Veseli.
Edhe Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës priti në takim delegacionin e senatorëve italianë nga Komisioni për Politika të Bashkimit Evropian, i cili në vazhdim të vizitës takon edhe kryeministrin Isa Mustafa.











