Duket mëse e besueshme në pamje të parë, pasi arsyetimi qëndron. Nëse ka qenë një fakt i vërtetë, kjo mbetet për t’u vlerësuar. Gjithsesi informacionet vinin nga brenda Shqipërisë, ish-të arratisur, ish-komunistë të zhgënjyer, agjentë të shërbimeve sekrete fqinje apo britanike e amerikane.
Kjo pak rëndësi ka, porse përmbajtja të çon të mendosh mbi një fenomen, për të cilin mendja edhe mund të na kishte shkuar ndonjëherë, porse asnjëherë nuk kishim një dokument apo informacion që ta bënte më evident këtë aludim.
Në fakt edhe vetë hartuesit e raportit arrijnë në këtë përfundim, duke shprehur pak rezerva, por nuk mohojnë tendencën që po hasej në Shqipëri në fillim të viteve ’50, kur pas një vrulli pas prishjes me jugosllavët, ndoshta rusët për disa arsye, (që pjesërisht shprehen qartë edhe në raport) po ia linin vendin dalëngadalë bullgarëve, vendit më besnik ndaj Moskës brenda ish-kampit socialist.
Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bullgarinë në atë kohë, dihet se ishin mëse miqësore në fakt, çka e vërteton përveç të tjerave, edhe një intervistë e ish-liderit komunist bullgar, Todor Zhivkov në vitin 1996 ( shih: “Nga Gorbaçovi tek Ramiz Alia”, Pavllo Gjidede, “Botimet Erik”, 2000, fq. 254-256)
Raporti në fjalë jep konkretisht shifra e fakte të konsiderushme, por në fund pohon se gjithsesi nuk dihet numri i saktë i bullgarëve të mbërritur në Shqipëri. Gjithashtu, nuk mund të marrim dot saktësisht vesh burimin origjinal të informacionit, i cili i transmetohej shërbimeve perëndimore nëpërmjet Italisë e mbërrinte pastaj Mynihun, ku ishte edhe dega e CIA-s që merrej me përpunimin e informacioneve e misioneve antikomuniste në Europën Lindore.
Realisht janë dy raporte, në vitet 1952 e ’53, të cilat vërtetojnë fenomenin në fjalë, ndërkohë që faktin e ekzistencëës së një ure ajrore mes Bullgarisë e Shqipërisë në atë kohë na e vërteton edhe një foto apo skicë e vitit 1949 në revistën gjermane “Der Spiegel”( 15 shtator 1949, fq. 16), e cila e paraqet qartë këtë fakt.
Më vonë, hasen edhe dy raporte të tjera rreth kësaj tematike, që nuk e mohojnë, porse e relativizojnë të ashtuquajturin “kolonizim të Shqipërisë” nga bullgarët. Në raportin kryesor, të vitit 1952, Enver Hoxha nuk përmendet fare, ndërkohë që thuhet se Mehmet Shehu ndjehej në atë kohë shumë i bezdisur nga ky fenomen, megjithëse ai s’kishte drejtuar asnjë protestë, me shkrim a me gojë qoftë, ndaj autoriteteve sovjetike, për atë çka po ndodhte. Gjithashtu raporti na jep shumë detaje të paditura më parë rreth prezencës apo qëllimeve sovjetike e bullgare në Shqipëri etj.
Më poshtë, përmbajtja e plotë e dy raporteve:
***
SHQIPËRIA PO DREJTOHET NGA NJË SATELIT RUS
Bashkimi Sovjetik ka riorganizuar marrëdhëniet inter-kominformiste dhe ka krijuar një tip të ri të administrative satelite: megjithëse akoma nën kontrollin suprem të Moskës, Shqipëria tashmë po drejtohet nga një satelit tjetër, më konkretisht nga Bullgaria.
Kalimi interesant nga kolonizimi sovjetik në atë bullgar të Shqipërisë, ka nisur të marrë jetë që nga fundi i prillit të vitit 1952, kur Moska sponzorizoi Traktatin e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Bullgarisë në Tiranë, në prezencë të ministrit sovjetik (Ambasadorit) Çuvakin, kreu i Misionit sovjetik në Shqipëri.
Ky traktat parashikon linjat e bashkëpunimit teknik e shkencor mes dy vendeve: dhe u nënshkrua për të mbuluar administrimin bullgar të Shqipërisë. Duke ndjekur efektet e kësaj marrëveshjeje, zyrtarët civilë dhe ata ushtarakë bullgarë, janë hedhur anembanë vendit për të marrë në dorë pozicionet kyçe nga sovjetikët. Shumë prej tyre janë trajnuar në Bashkimin Sovjetik dhë të gjithë ata flasin rusisht dhe shqip.
BULLGARËT, NGARKESË “RUTINË” PËR NË VLORË
Kalimi i kompetencave u bë nga gjenerali Valkov, kreu i Misionit të Shërbimit Inteligjent sovjetik në Sofie. Ky njeri strikt dhe i ashpër, ishte përgjegjës që operacioni të bëhej me kujdes e në fshehtësi të plotë. Ai shoqëroi ngarkesën e parë të bullgarëve me vaporë, duke udhëtuar nga porti i Stalinit në Detin e Zi, deri në atë të Vlorës në Shqipëri.
Ekspedita ishte kamufluar si një udhëtim normal me ngarkesë ushqimore, të cilës i ishin shtuar edhe ekuipazh marinar që do të kontrollonte edhe mbarëvajtjen e udhëtimit të anijeve të tjera bullgare në Detin Mesdhe. Kështu, udhëtimi i dërgatës bullgare kaloi pa patur shqetësim në ngushticën turke të Marmarës dhe mbërriti në fund në Vlorë, më 7 prill 1952.
Disa teknikë bullgarë dhe instruktorë ushtarakë kanë mbërritur në mars, shumë përpara se të nënshkruhej marrëveshja, për të marrë takime speciale me homologët e aprorët e tyre sovjetikë në Tiranë. Ngarkesa e fundit e bullgarëve zbarkoi së fundmi në brigjet shqiptare në mesqershor, dhe me këtë, misioni i tyre u kompletua me sukses. Gjenerali Valkov u rikthye në postin e tij në Sofie më 2 korrik 1952.
187 SPECIALISTË BULLGARË PËR SEKTORËT KYÇ
187 civilët ardhur nga Bullgaria që morën në dorëzim postet nga zyrtarët sovjetikë, tashmë okupojnë pozicione kyçe në menaxhimin e sektorëve të minierave dhe transportit, ndërsa disa prej tyre funksinojnë si kontrollorë në bujqësi.
Është detyra e tyre kryesore që të mbikqyrin aktivitetin prodhues në sektorin e lëndëve të para minerare dhe atyre bujqësore, të kërkuar nga sovjetikët që të bëhet shpejt dhe me efektivtet, dhe që furnizimet të mos vonojnë të arrijnë destinacionin, dmth. Bashkimin Sovjetik, apo satelitë të tjerë, të përcaktuar sipas listës së Misionit Sovjetik në Tiranë.
OFICERËT BULLGARË ZËVENDËSOJNË RUSËT
Në të njejtën kohë kur zyrtarët bullgarë arritën në Shqipëri, një sasi prej mbi 100 oficerësh bullgarë të ushtrisë dhe të forcave të sigurisë zbarkuan gjithshtu në Vlorë. Ata përfshinin dy kolonelë, dhjetë lejtnant-kolonelë, rreth një dyzinë majorësh dhe një numër të madh oficerësh të rinj më grada të ulëta etj.
Gradat dhe numri i saktë i anëtarëve të milicisë dhe njësive të tjera të forcave të sigurimit të brendshëm bullgar, dërguar në Shqipëri, gjithsesi nuk dihet saktësisht. Këta oficerë gjithashtu po zëvendësojnë sovjetikët: dhe ata kanë okupuar tashmë pozicionet kyçe në ushtrinë shqiptare dhe ato të forcave të sigurisë.
IMPLEMENTIMI I “REFORMAVE” SOVJETIKE
Ata janë aty për të garantuar implementimin e metodave sovjetike në trajnimin e njerëzve dhe shkollimin e oficerëve; janë aty për të kontrolluar edukimin politik të anëtarëve të forcave shqiptare që është në terma të tjerë indoktrinimi i tyre me principet marksiste dhe në fund; ata janë përgjegjës për parandalimin e revoltave të tjera ushtarake, siç ndodhi më shkurt 1952, gjë që acaroi autoritetet sovjetike, deri në shtëpi, në Moskë.
Bullgarët komandohen nga Koloneli Georgi Sabev, i cili është një oficer karriere me trajnim ushtarak e karrierë të gjatë në shërbimet e fshehta e që ka shërbyer jashtë vendit në misionet ushtarake në Turqi e Jugosllavi. Ai ka lindur më 17 shkurt 1901 dhe konsiderohet një administrator i mirë.
Ai asistohet nga një komisar politik me emrin Avramov, një njeri me reputacion të keq që është i njohur për metodat e tij mizore në torturimin e kundërshtarëve të dyshuar politikë, ndërsa drejtonte një çështje të sigurisë së brendshme në Sofie, kohë më parë. Ai është një pasues e mbështetës fanatik i sovjetikëve.
“DORË E LIRË” PËR BULLGARËT
Oficerët bullgarë dhe zyrtarët kanë dorë të lirë në punën e tyre dhe mund të marrin vendime të rëndësishme në vend; por ata duhet të raportojnë menjëherë të tilla vendime tek Misioni Sovjetik në Tiranë, tek i cili ata kanë përgjegjësinë për të dërguar shpesh raporte periodike mbi aktivitetet e tyre dhe sukesin e punës që kryejnë.
Një major me emrin Pençev, që ishte në vend deri sa u largua, me ç’duket është një specialist radiondërlidhjeje, përgjegjës për të vendosur linja komunikimi speciale për Misionin bullgar; ai la pas një lejtnant të ri në Shqipëri, që përgjigjet për mbajtjen dhe sigurinë e këtyre linjave.
MEHMET SHEHU: PËRSE BULLGARË DHE JO RUSË?!
Qarqe të mirinformuara e të besueshme nga Shqipëria raportojnë se Mehmet Shehu, shtylla e qeverisë sovjetike në Shqipëri, i cili tashmë mban gjithë fuqinë në duart e veta si Ministër i Brendshëm, shef i forcave të sigurisë dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, është shumë i pakënaqur me këto zhvillime.
Megjithëse ai gjithmonë i ka përshëndetur sovjetikët në administrimin e vendit dhe të forcave të armatosura, prezenca tashmë e bullgarëve, i ka sjellë atij shumë bezdi; por ai nuk ka dorëzuar ndonjë protestë zyrtare tek sovjetikët për këtë problem, dhe as ka diskutuar çështjen me ta, duke pasur frikë se mos ky hap do ta çonte atë drejt rrëzimit të sigurtë dhe humbjes së mbështetjes sovjetike.
REZISTENCA: RUSËT DUAN T’I RRISIN PRESTIGJIN SOFIES
Vëzhguesit nga radhët e grupeve të fshehta të rezistencës në Shqipëri, nuk besojnë se kjo lëvizje është në ndonjë mënyrë apo tjetër, e drejtuar kundër Shehut dhe regjimit të tij: në fakt, ata madje nuk besojnë se kjo është e lidhur me Shqipërinë fare; ata besojnë më shumë se do ndodhë njëra nga të dyja këto skenare: sovjetikët tashmë duhet të jenë më pak të interesuar për Shqipërinë dhe duan të kujdesen për eksportet dhe oficerët e tyre për t’i dërguar diku tjetër, ose në të njejtën kohë, ata duan të rrisin krenarinë e prestigjin e bullgarëve mes satelitëve të tjerë, si vendi më besnik i Moskës.
Aktualisht, bullgarëve po u jepen pjesë nga “plaçka” që rusët po marrin nga Shqipëria në kompensim të ushtrimit të detyrave të tyre administrative atje.
JA EKSPORTET DHE IMPORTET E VËRTETA SHQIPTARE
Kjo është fshehur në mënyrë të zgjuar në statistikat e kontrolluara nga sovjetikët, të cilat periodikisht u dorëzohen edhe zyrtarëve shqiptarë. Këto statistika demonstrojnë një sens tregtar me dy kalime, me përfitim të dyanshëm, i cili është pak a shumë i balancuar në vlerë; por në realitet, aty nuk ka kurrfarë balance, Shumica e mallrave të importuara nga Shgipëria, nga Bashkimi Sovjetik dhe Bullgaria, nuk kanë shkuar kurrë në Shqipëri dhe tregjet e saj.
Ato janë më shumë, ose pajisje makinerish të nevojshme për rritjen e sektorit minerar shqiptar, ose janë mallra të destinuara për konsumin personal të sovjetikëve e bullgarëve të stacionuar në atë vend. Në këtë mënyrë, ato nuk përfaqësojnë ndonjë nga prodhimet e eskportuara nga Shqipëria në mënyrë permanente apo çfarëdoqoftë, drejt Bashkimit Sovjetik apo Bullgarisë.
BULLGARËT FLASIN SHQIP ME AKSENT RUS
Gjithsesi, skllavërimi i Shqipërisë po vazhdon me shpejtësi të plotë, megjithëse shumica e popullit shqiptar, me siguri se akoma nuk ka vënë re faktin se ata tashmë janë kthyer në një koloni bullgare brenda Perandorisë së madhe sovjetike. Bullgarët mbajnë veshur uniforma sovjetike dhe flasin shqip me thuajse të njejtin aksent sikurse dhe sovjetikët, por fshehin me zgjuarsi këtë fenomen.
Koment: Thashetheme të ndryshme që flasin për specialistët bullgarë në Shqipëri, janë raportuar para këtij raporti. Por ky është i pari raprort që jep një panoramë kaq të plotë mbi këtë fenomen.
Raport i datës 14 gusht 1952, Nr. 10420
NË SHQIPËRI, AKOMA SHUMË SPECIALISTË RUSE
Sipas raportit të datës 14 gusht 1952, me numër 10420, është konfirmuar se specialistët bullgarë kanë marrë kontrollin mbi disa zyra e sektorë të rëndësishëm administrativë në Shqipëri nga specialistët sovjetikë, por në atë vend ka akoma shumë ekspertë sovjetikë dhe nuk ka shenja se numri i tyre është ulur së fundmi.
Besohet se BRSS gradualisht po tërheq personelin sovjetik nga Shqipëria dhe se vendin e tyre do ta zenë komunistët bullgarë, që tashmë raportohet se mbajnë poste të ndryshme në administratën shqiptare dhe në sektorin industrial, që më parë mbaheshin nga specialistët sovjetikë.
Detaje të tjera mungojnë, por kjo tendencë besohet se ekziston në vend. Në mënyrë që të mbajnë një lidhje të rregullt mes dy republikave popullore, komunistët bullgarë kanë organizuar një urë sekrete ajrore, e cila lidh dy vendet dhe që bën të mundur transportin e njerëzve dhe materialeve të lehta.
Linja ajrore, bazuar në punën e avionëve bullgarë, kalon mbi territorin jugosllav natën, në një lartësi të konsiderueshme. Këta aeroplanë bullgarë me shumë gjasa operojnë nga aeroporti “Konti Ignatievo” në veri të qytetit të Pllovdivit.
Raport i datës 28 maj 1953, Nr. 05544
ISH-LIDERI KOMUNIST, ZHIVKOV: SHQIPËRIA LIDHJE TË VEÇANTË ME BULLGARINË
Për Shqipërinë, për këtë vend ballkanik, me të cilin shumë vite më parë kemi pasur marrëdhënie të mira, kisha një përfytyrim të përgjithshëm, si për një vend të bukur ndërtuar në brigjet e Adriatikut, kisha një përfytyrim si për një popull patriot, punëdashës e liridashës.
Udhëheqja shqiptare, Enver Hoxha, deklaronte jo rrallë, lidhjen, miqësinë e pathyeshme me Bashkimin Sovjetik, me vendin e sovjetëve dhe Bullgarinë. Një djall e di se ku shkuan më vonë këto betime e stërbetime! ..Specialisteët bullgarë që kishin ardhur ( dhe ata vinin hërë pas here) për të dhënë ndihmesën e tyre, më thanë hapur: Shoku Zhivkov, ne nuk mund t’ju japim asnjë ndihmë, sidomos atyre specialistëve që vijnë në Bullgari.
Sepse ndodh kështu: Shqiptarët vijnë, qëndrojnë 2-3 ditë, maksimumi një javë. Dhe pastaj kërkojnë të ikin. Gjatë një kohe kaq të shkurtër çfarë mund t’u japim, ç’përvojë mund të marrin? Nuk e merrja me mend se në Evropë do të mudn të kishte një vend kaq të varfër.
Vërtet njerëzit brohorisnin “Enver, Enver”, por brohoritjet, parullat ishin një gjë, ndërsa jeta e njerëzve ishte gjë tjetër. M’u duk një farë primitiviteti. Shqipëria u izolua, u vetizolua.
Fragmente nga libri “Nga Gorbaçovi tek Ramiz Alia”, Pavllo Gjidede, “Botimet Erik”, 2000, fq. 254-256
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.04.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)