“Opera” shfaq sot në orën 19.00 koncertin simfonik “violonçeli misterioz” , me pjesëmarrjen e Orkestrës së Teatrit, instrumentistit Petar Pejcic dhe dirigjent Adrianio Martinolli D’Arcy.
Me rastin e datëlindjes së 87-të të shkrimtarit Ismail Kadare, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë organizojnë sot në orën 18.00 pranë “Arteve”, mbrëmjen poetike “Kadare në vargje”. Edhe shtëpia-studio “Kadare” mban sot dyert e hapura, shoqëruar me disa aktivitete. Vetë shkrimtari ka vizituar në orët e para të mëngjesit ish-banesën e tij.

Një vogëlush tepër i pasur, por pa shoqëri të sinqertë, që vendos të shkojë në shkollë publike ku askush mos ta dijë statusin e tij. Është kjo historia e ‘Djalit miliarder’ që mbahet sot e nesër në orën 10.30 e 11.30 nga Teatri i Kukullave në sallën ‘Tonin Harapi’
Sekrete që dalin në dritë në materntitet, humor, e ngjarje të befasishme, e rikthyer në teatrin "Eksperimental", komedia franceze "Dita më e bukur" me regji të Ledio Topallit, vijon të shtunën e të dielën në orën 19.00.
E konsideruar si një nga komeditë më të suksesshme bashkëkohore, shfaqja “Çifti” me regji të Altin Bashës, vijon të mbahet deri të dielën në orën 19.00 në Teatrin Kombëtar me aktorët Olta Daku dhe Arben Derhemi.
Komedia e trishtë “Profesionisti” me autor Dushan Kovaçeviç rikthehet sot dhe nesër në orën 18.00 në teatrin “Bylis” në Fier me regji të Dritan Boriçit. E njëjta pjesë shfaqet sot në orën 19.00 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, me regji të Leka Bungos.

