Art, kulturë dhe spektakël, në vijim, rubrika “Ciceron”, ju njeh me ngjarjet që mund të ndiqni gjatë ditës:
1. "Në emër të lirisë", 153 piktura të realizuara nga ish komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, gjatë dy viteve në paraburgim në Hagë, ekspozohen në Qendrën për Hapje dhe Dialog deri në 28 shkurt.
2. Histori, mitologji, personazhe e vende, në ekspozitën e Ardian Pepës me skulptura e instalacione "Çdo histori ka dy anë". Të kuruara nga Ardian Isufi dhe Altin Lika, punimet e artistit presin vizitorët deri në 28 shkurt.
3. Një situatë e komplikuar mes çifteve e shokëve të ngushtë e bën kurorëzimin e planifikuar “Një dasmë të hatashme”. Komedia e Robin Hawdon vijon sot dhe nesër në orën 19.00 në teatrin “Eksperimental”, me regji të Kiço Londos.
4. Nga sot në orën 11.00, për katër ditë radhazi, mbahet në Teatrin e Operas nën regjinë e Ada Gurras, opera për fëmijë "La Serva Padrona".
5. Vijon të qëndrojë e hapur deri në 28 shkurt në Muzeun "Shtëpia me gjethe" ekspozita "Qëndresa", e realizuar në bashkëpunim me studiuesin Kastriot Dervishi ku pasqyrohet reagimi antikomunist gjatë diktaturës në vend.
6. Mbahet sot në orën 11.30 në Teatrin e Operas, konferenca për shtyp, për operetën e artistit të ndjerë Avni Mula “Karnavalet e Korçës”, që vihet në skenë nga e bija Inva Mula.
7. Nga nesër në orën 19.00, për katër net radhazi mbahet në Teatrin Kombëtar, komedia "Tërësisht të huaj" me regji të Erion Isait.
Komente












