Ciceronët e politikës shqiptare

Ciceronët e politikës shqiptare
Nuk besoj se në 20 vjet demokraci shqiptare ka pasur një fjalim më të fortë se sa fjalimi i kryeministrit shqiptar Edi Rama, atë ditë kur kryesocialisti po u thoshte "jo" miqve strategjikë amerikanë, ani se gjithë dynjaja e kishte kuptuar se ai po i thoshte jo edhe vetes së tij, sepse pak muaj më herët, po këtyre miqve u kishte dhënë një përgjigje pozitive.

I plotë, i ndjeshëm, i thellë dhe mbi të gjitha me një stil krejt të veçantë. Një fjalim i gjatë, me plot figura politike e filozofike dhe me plot stil që të kujton fjalimet e filozofëve dhe politikanëve të karrierës, por që në thelb dukej krejt demagogjik, sepse kishte plot të vërteta të pathëna. Ka më shumë se një shekull qe shqiptarët kanë një standard jo fort të pëlqyer të oratorisë e të shkrimit dhe prandaj fjalimi i kryeministrit shqiptar sikur dilte jashtë klisheve të fjalimeve politike shqiptare.

Dhe ndërsa e dëgjoja fjalimin e Edvin Ramës, kryeministrit më kontravers shqiptar, nën hijen e tij renditeshin një dyzinë politikanësh nga Prishtina dhe Tirana, që përpos arrogancës dhe demagogjisë politike, me vete bartin edhe garderobën evropiane dhe stilin turkoshak të komunikimit politik.

Paralelisht me mjeshtërinë e oratorisë së kryeministrit shqiptar, si hije dilnin krejt kryeministrat e Kosovës, që nga Haradinaj, Kosumi, Çeku e Thaçi dhe ciceronët e Qeverisë së sotme të Kosovës, që nga zëvëndëskryeministri i parë e deri te kryeparlamentari, dhe nën ta edhe ciceronët e debateve politike elektorale, të zgjedhjeve që më në fund përfunduan.

Është thënë me qindra herë sa të ngjashëm jemi me “sivëllezërit” në Shqipëri. Sa njëlloj, madje edhe në poshtërsi i ngjajmë njëri- tjetrit. Por fjalimi i kryeministrit shqiptar tregon se sa të ndryshëm jemi, të paktën në mënyrën se si flasim, shkruajmë e themi. Kjo është një dëshmi sa larg njëri- tjetrit jemi! Në këto dy vjet e pak e kam dëgjuar presidenten e Kosovës të flasë me qindra herë dhe sa herë e kam dëgjuar, jam ndier në siklet për të dhe përtej kësaj sa herë e kam parë të flasë, më kanë kapur të rrëqethurat e mundimit.

Por e folura e fundit e presidentes në Amsterdam preku njerëzit në sallë dhe njerëzit e vet. Fjalimi i saj, pavarësisht se nga kush ishte shkruar, u interpretua për bukuri. Ajo përcolli emocion dhe mesazh, por nuk e di nëse “shkëlqimi’ këtë herë i saj mund ta përmirësojë imazhin e keq të oratorisë së munguar të presidentes.

Kasta politike e Kosovës, sigurisht se është ndër më të shkolluarat, të paktën me letra, sepse shumica syresh kanë master apo phd dhe jo pak prej tyre shohin ëndërr të bëhen profesorë universiteti, ani se 90 për qind e tyre lënë shumë për të dëshiruar sa herë që flasin!

Nuk e di se cila është grada shkencore e kryeministrit shqiptar, por e di se plot deputetë, ministra e politikanë të Kosovës, kanë grada më të larta, kanë tituj më shumë dhe shkencës i kanë hipur përmbi. Çuditesha kur Rexhep Qosja, me përvojën e gjatë të akademikut, thoshte se Edi Rama ishte oratori më i mirë ndër politikanët shqiptarë, e nuk i shpëtonte ta bënte "lloq për gardh" Sali Berishën, që Kosova e donte pa kushte.

Po kështu është kur ai ishte shndërruar në politikanin më të dobët në mesin e akademikëve. Mbase “luftërat e nxehta” në trojet shqiptare i kanë dhënë më shumë ngjyrë e më shumë emocion gojës së njerëzve të politikës shqiptare, që nga fronti i luftës deri te froni i partisë, ku kanë marrë zemër e fuqi.

Fjalimet e mëdha të shekullit njëzet janë mbajtur po nga emrat e mëdhenj të kësaj kohe. Winston Churchill, John F Kennedy, Nelson Mandela, Nikita Khrushchev, Margaret Thatcher, Martin Luter King, dhe të tjerë po kaq të mëdhenj.

Në thelbin e këtyre fjalimeve shtrihet liria shtetërore dhe ajo individuale, ideali, ëndrra, kulti i njeriut dhe gjithçka rreth përmbysjeve e ngritjeve në epokën e re. Nuk është se në botën shqiptare kërkohen “ciceronët” e filozofisë moderne, sepse kjo është shumë pretencioze, por ata do të duhej të kishin pak më shumë kulturë në fjalimet e tyre. Edhe kur të na “rrejnë”, bile të na rrejnë bukur!

Marrë nga "Zëri"

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit