Në Llogara nuk gjen vetëm turistë të huaj por edhe punëtorë që kanë ardhur nga Fipilinet e largëta. Ne takojmë fillimisht Vidën e më pas bashkëshortin e saj, Romelsiun, të cilët janë punësuar prej dy vitesh në bizneset e zonës turistike të Llogarasë në Vlorë.

Ata kanë mbërritur në Shqipëri të kontraktuar nga një agjenci punësimi dhe paguhen 400 euro në muaj. Shpenzimet për fjetjen dhe ushqimin i kanë të mbuluara nga kompania që i ka punësuar. Paga tregojnë ata është më e mirë se në vendin e tyre, ndaj po mendojnë të qëndrojnë gjatë këtu.

“Më quajnë Vida. Kam dy vjet qe jetoj e punoj këtu si pastruese. Po më pëlqen dhe ndoshta do te vijoj te qëndroj këtu. Kam ardhur me agjenci më sugjeruan miqtë se ka shumë filipinez në Shqipëri, por ata janë të punësuar më së shumti në Tiranë. Jam këtu me tim shoq dhe çdo gjë shkon mirë, edhe njerëzit mjaft miqësor me ne”, shprehet ajo.

Ndërsa Romelsiu na tregon se sakrificat janë të mëdha sepse në Filipine kanë lënë fëmijët, po përpiqet të bëjë dokumentet që të jetojnë familjarisht në Shqipëri.

“Jam nga Filipinet dhe ndodhem këtu prej dy vitesh. Nuk ka probleme me pagesat, jetesa është e mirë, por dy fëmijët i kemi në Filipine por ndoshta një ditë do mundem t’i sjell këtu”.

Për herë të parë këtë vit ka mbërritur në Vlorë edhe Diksoni, cili thotë se këtu ka më shumë mundësi punësimi se në Filipine.

“Kam pesë muaj këtu dhe kontratën e kam për dy vite. Puna shkon shumë mirë dhe kam miq sepse në Vlorë kane ardhur edhe shume te tjere nga Filipinet. Ndërsa shqiptar një kam deri tani “”Baba Fiqo” është miku im...”

Mungesa e fuqisë punëtore në vend i ka orientuar bizneset të kërkojnë punëtorë të huaj, sidomos për ndërtimin, peshkimin, turizmin dhe fasonerinë, thotë Gjinovefa Xhori, Specialiste në Drejtorinë e Shërbimit të punësimit në Vlorë.

“Kërkesat për leje pune këtë vit janë dyfishuar krahasuar me një vit me pare ndërsa punonjësit janë te kombësive te ndryshme, si Filipine, Egjipti, India, Bangladeshi dhe Nepali. Në turizëm prurja më e madhe gjatë verës, sidomos shtetas filipinas. Numër i konsiderueshëm, në rritje të madhe krahasimisht me vitin e kaluar”.

Zona bregdetare është gjithnjë e më lakmuar edhe për biznesmenët e huaj, jo vetëm për punëtorët e krahut. Kryesisht janë rusët dhe ukrainas që po investojnë në turizëm dhe pasuri të paluajtshme.

“Do të veçoja, kemi një kategori të vetëpunësuar ata kanë rekrutuar të huaj në sektorin e pasuri të paluajshme, të operatorë turistike. Janë Ukrainas rus”, vijon ajo.