TIRANE - Një sasi e konsiderueshme Viagrash, të cilat kishin destinacion tregun e kryeqytetit u sekuestruan mbrëmjen e dy ditëve më parë, në aeroportin “Nënë Tereza”.

Viagra po hynte kontrabandë nga Austria në Tiranë dhe transportoheshin me çanta nga P.Z., 58 vjeç dhe bashkëshortja e tij.

Ata janë veçuar nga udhëtarët, që zbritën në aeroportin e Rinasit, pasi çantat e tyre kanë kaluar në skaner. Burime nga Drejtoria e Policisë Kufitare kanë treguar për Shqiptarja.com, se dyshimet për disa sende, që ndodheshin në çantat e dorës kanë bërë, që bagazhet e çiftit nga Tirana t’i nënshtrohen një kontrolli fizik më të imtësishëm. Pas kontrollit, në çantën e çiftit me mbiemër Z., policia kufitare dhe doganierët kanë gjetur një sasi medikamentesh Viagra, të blera në Austri dhe që nuk u deklaruan.

Çifti kishte udhëtuar katër ditë më parë drejt Austrisë, si vizitorë tek të afërmit e tyre. Pasa se të ktheheshin në Tiranë, ata kishin blerë nja sasi viagrash, fatura e blerjes së të cilave, ishte 1400 euro. Të pyetur se ku do t’i dërgonin, apo kush ishte porositësi i tyre, burrë e grua kanë deklaruar, se i kishin blerë në Austri për shkak të cilësisë së lartë, ndërsa ishin për përdorim vetiak.

Uniformat blu të Rinasit kanë pohuar, se në çantën e dorës së çiftit me origjinë nga Korça e banues në Tiranë janë gjetur 25 tableta me viagra, që në total, sipas të njëjtit burim, në total ishin 125 kokrra. Ndërkaq, burimet policore deklaruan, se çifti mund të ketë pasur njohje me ndonjë mjek apo farmacist në Austri, pasi duke qenë se janë ilaçe që nuk mund të përdoren pa rekomandim mjeku dhe kanë rrezikshmëri ëpr shëndetin nëse abuzohet, asnjë shitës i tillë nuk jep sasi kaq të mëdha.

Pas shoqërimit në ambientet e policisë së Rinasit, në “lojë” kanë hyrë doganat dhe hetimi tatimor. Meqë nga policia nuk është vërtetuar, megjithëse hetimi do të vazhdojë, që medikamenti nuk ishte i destinuar për t’iu shitur ndonjë farmacie, atëherë, çifti do të akuzohet vetëm për tentativë të shmangies së detyrimeve tatimore, pasi kur fatura e mallit të sillet nga jashtë kufirit, i kalon 250 eurot, atëherë ai duhet deklaruar dhe paguar tarifa doganore. Por, duke qenë se çifti nuk e kishte deklaruar është gjobitur nga hetimi Hetimi Tatimor me dhjetëfishin e vlerës.

Megjithëse burrë e grua janë munduar të bindin tatimorët, se ata nuk e dinin që aq pak mall (sasia e vogël) duhej deklaruar, duke menduar se disa ilaçe që i merr dikush jashtë shtetit për vete, s’ka pse t’i deklarojë. Megjithatë, tatimorët i kanë gjobitur me dhjetëfishin, ose e thënë ndryshe, 14.000 euro. Po t’i shtojmë dhe vlerën e blerjes në Austri duhet të paguajë në total, 15400 euro.

Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 13 prill 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)