Nuk ka një tregues të konsumit. Nuk ka gjithashtu as edhe ndonjë tregues bindës që lidhet me prodhimin e vendit (duhani i grirë), por sidomos më ‘industrinë” e prodhimit të cigareve në vend. Në këto kushte mbetet evazive të gjykosh një shifër ekzakte konsumi të këtij produkti.
Por, sidomos, të bësh një analizë të plotë dhe shteruese sa i përket kontrabandës së cigareve, Autoritetet, as e pohojnë dhe as e mohojnë kontrabandën, por e largojnë mundësinë zyrtare që ajo të kryhet në rrugët legale, në pikat e kalimit të kufirit.
Në shifrat zyrtare të raportuara, nuk gjen asnjëherë lajme që kanë të bëjnë me investigimin, ndjekjen dhe identifikimin e aktorëve dhe faktorëve që favorizojnë importet e paligjshme të cigareve, por në mënyrë anemike gjen lajme për bllokim të sasive të vogla, ta paraportuara, të cigareve, që shmangin me këtë rast pagimin e detyrimeve ligjore doganore të mallit të importuar.
Gjithsesi, zyrtarët këtë vit kanë qënë të kënaqur me sasitë e zhdoganuara të cigareve të importit. Shifrat e 6 mujorit të parë të vitit e rritin me rreth ¼ sasinë e cigareve të importuara në krahasim me të njëjtën periudhë të një vit më parë, dukse i sjellë arkës së shtetit rreth 11 milionë USD më shumë.
Edhe muajt në vijim, psh korriku i 2016-ës, ka tregues pozitivë të zhdoganimit, do të thotë rreth 300 tonë më shumë cigare se janar-korriku i kaluar, ose 21 % më shumë se kjo periudhë. Çfarë ka ndodhur me këtë tregues?
Cilat janë faktorët që kanë ndikuar në këtë rritje të “performanës” të autoritetit kontrollues dhe mbikqyrës? Gjykoj se do të ishte guxim i madh të mendoje se ka një metodë të re pune, investigimi, mbikqyrjeje dhe kontrolli sa i përket këtij segmenti të tregut. Nuk ka ndryshuar asnjë gjë, mendoj, në drejtim të administrimit fiskal. Faktorë të tjerë janë bërë determinantë dhe kanë ndikuar në treguesit e mësipërm.
Fjala vjen, mbajtja e pandryshuar e akcizës së cigareve ka dhënë efektin e vet të ndjeshëm, sidomos në punën e kompanive të njohura ndërkombëtarisht, të cilat nuk kanë punuar nën presionin e ndryshimit të minutës së fundit të akcizës. Kjo lidhet, pra, me një situatë të normalizuar të fluksit të importeve, të pandikuar nga ndryshimet e nivelit të taksimit për vitin 2016, për produktin cigare.
Faktor tjetër ka qënë edhe presioni psikologjik dhe ligjor, praktik, i operacionit kundër informalitetit, i nisur nga shtatori i një viti më parë, ndaj biznesit, i cili ka punuar pa fatura tatimore dhe pra, edhe pa kontroll të institucioneve.
Sa i përket faktorëve të brendshëm, që lidhen me prodhimin e duhaneve dhe “industrinë” e prodhimit të cigareve, kanë qënë të ndjeshme efektet e masave të ndërmarra vitin e kaluar, kur u sekuestruan dhe asgjesuan sasi të konsiderueshme të duhanit të grirë, që kanë stepur një sërë prodhuesish të duhaneve për këtë vit, të cilët kanë ulur njësitë e sipërfaqeve të mbjella me këtë kulturë, duke tregtuar më pak gjatë këtij viti. Ekspertët kanë pohuar se gjethet e duhanit janë shituar edhe nën konsto, me qëllim që të mos kapeshin dhe asgjesoheshin nga kontrollorët shtetërore.
Importet e cigareve dhe konsumi shqiptar i tyre
Mjaft i vështirë ekuacioni i raportimit të saktë të një shifre që lidhet me konsumin e cigareve në Shqipëri. Ekspertë të ndryshëm, kompani importuese ndërkombëtare, njohës të tregut, madje dhe institucione shtetërore japin gjithnjë shifra kontradiktore, sa i përket konsumit.
Vitin e kaluar, psh, ulja e importeve u vlerësua nga Ministria e Financave si ulje e konsumit të cigareve dhe e kërkesës më të dobët të tregut, ndikuar nga masat thuajse represive të marra në zbatim të ligjit antiduhan. Vetëm një pjesë e aktorëve ranë dakort me këtë logjikë.
Të tjerë argumentuan se konsumi është rritur, por janë gjetuar rrugë të tjera të plotësimit të kërkesës së rritur në treg, duke dëmtuar arkën e shtetit, nga mosakëtimi i të ardhurave që janë detyrime ligjore në një treg legal.
Kështu shitja e sasive në rritje të duhanit të grirë, të cigareve “artizanale” (me çmime qesharake prej rreth 30-50 lekë/paketa) flisnin për një treg jashtë kontrollit. Por nuk kanë munguar edhe rastet e kontrabandimit të pikat e kalimit të kufirit. Këto fenomente, të njohura dhe madje, edhe historikë, thjesht kanë ndikuar në dëmtimin e interesave të ligjshme të kompanive serioze që punojnë në këtë treg, por doemos edhe në të hyrat fiskale nga ky produkt.
Në fakt, burimet nga tregu pohojnë se konsumi i cigares në vend është mbi 4 mijë tonë, duke komentuar se shifrat entuziaste të zhdoganimeve aktuale janë ende poshtë importeve reale.
Ministria e Financave, në një publikim të sajin, vlerëson se për vitin 2016, importet e cigareve në vend do të jenë rreth 3100 ton, 334 ton cigare më shumë se një vit më parë. Por sërish këtu nuk kupton se mbi bazën e cilave të dhëna rezultohet kjo shifër.
Ana tjetër e “medaljes”
Në një takim të pak kohëve më parë, të ministrave të Financave të vendeve të rajonit tonë, një agjenci serioze investigimi, në mënyrë analitike, tregoi se shuma e parave evazioniste, vetëm nga tregu i cigareve (mallra të fortë që paguajnë akcizë) është jo më pak se 400 milionë Euro. Pra, vendet e rajonit, përfshirë sigurisht edhe Shqipërinë, e kanë të hapur këtë gropë parash të munguara. Sigurisht këto miliona menaxhohen nga duar të stërvitura.
Kohët e fundit, agjenci të njohura ndërkombëtarisht të shteteve perëndimore, e kanë identifikuar rritjen në treg të mallrave të falsifikuara dhe shitjen e cigareve të paligjshme, si një rrugë efikase për financimin e grupeve terroriste. Lajmet që vijnë nga këto raporte dhe që pasqyrohen shpesh edhe në media të njohura ndërkombëtare flasin se pirateria e produkteve dhe kontrabanda janë pjesë e tregut të paligjshëm, që financon terrorizimin.
Qoftë Al Qaida, Hamas ose IS, të gjitha këto dalin në dosjet qeveritare në të gjithë botën si prodhues dhe shitës të produkteve të falsifikuara dhe kontrabandë. Autoritetet Doganore Gjermane, psh, kanë arrestuar një kontrabandist cigaresh, i cili mbante kontakte me një anëtar të rrezikshëm të IS në Gjermani, thonë Sabina Wolf, Wolfgang Kerler, Michael Kubitza (BR24).
Për të dhënë një shembull, sipas mediave gjermane, në sulmet e përgjakshme në Janar 2015 në zyrat e “Charlie Hebdo” dhe supermarketin në Paris, dy nga tre sulmuesit ishin të njohur për policinë si shitës produktesh të falsifikuara dhe për kontrabandën e cigareve. Jean-Charles Brisard nga instituti i kërkimit të terrorit, CAT, në Paris ka analizuar financimin e organizatave terroriste. Ai del në përfundimin se “terroristët kanë përfituar të ardhura për 20, 30 vite nga “tregu i paligjshëm”.
“Sepse është e thjeshtë. Dhe sepse është shumë fitimprurëse. Dhe sigurisht që materialet për fillimin e këtij biznesi gjenden lehtë. Veshje, cigare, kontrabandë. Të gjitha këto ekzistojnë”- thotë Jean-Charles Brisard, Qendra e Kërkimit të Terrorizmit.Në fillim të vitit, Autoritetet doganore Gjermane hetuan një rast kontrabande në të cilin kishte lidhje me të ashtëquajturin Shtet Islamik.
Autori kryesor, një person i lindur në Siri, por me pasaportë gjermane, ka kontrakte me anëtarë të rrezikshëm të IS në Gjermaninë Veriore. Më 11 Shkurt, më shumë se 100 forca të sigurisë konfiskuan një kontenier me shtatë milionë cigare kontrabandë të markës Richman, në një pronë afër qytetit. Një informator me njohuri të shkëlqyera në piraterinë ndërkombëtare të produkteve dhe kontrabandën e cigareve është i shokuar se sa pak po bëjnë agjensitë europiane kundër këtij fenomeni, citojnë burime të shtypit gjerman.
Duke përmendur këto fakte, me të drejtë shtrohet shqetësimi se çfarë janë duke bërë autoritetet shqiptare, nisur nga shqetësimi i mësipërm. A ka tregues se niveli i kontrabandës, i identifikuar indirekt në Shqipëri, ka lidhje me fenomentet e financimit terrorist, apo ato të pastrimit të parave? Po referoj vetëm disa nga shqetësimet e trajtuara në këtë segment të tregut të paligjshëm.
"Niveli i tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit në Shqipëri është rreth 20-25% të konsumit të përgjithshëm, e cila çon në gati 50 milion euro të humbura nga të ardhurat për Qeverinë Shqiptare, duke mos mbledhur taksën e pritur të akcizës dhe TVSH-në për produktet e duhanit.
Produktet e paligjshme, duke përfshirë cigaret, janë bërë tashmë një dukuri negative dhe serioze për tërë Evropën Juglindore”, thotë Roman Khrushch, Drejtor i Përgjithshëm për Phillip Morris për Shqipërinë dhe Kosovën. Kompania është duke punuar me një projekt që synon parandalimin e kontrabandës dhe kontrabandistët, duke ndarë 100 milionë euro për projektet që vijnë me ide kreative për të luftuar të gjitha llojet e krimeve.
Ja shifrat e humbjeve nga kontrabanda!
Qeveritë e vendeve anëtare të BE kanë humbur vitin e kaluar gati 11.3 miliardë € në tatimin e papaguar për shkak të shitjes së paligjshme të cigareve. Raporti i fundit i konsulencës i KPMG, që përfshiu 28 vendet e BE, duke përfshirë edhe Zvicrën dhe Norvegjinë, thotë se kontrabanda përbën shumën e 53 miliardë cigareve, pra 1 në dhjetë cigare në tregun e BE-së në vitin 2015 ishte i falsifikuar, të prodhuara në një vend me qëllim të eksportimit në mënyrë të paligjshme në vende të tjera, ku shiten dhe shpërndahen pa pagesën e tatimit.
Vëllimi më i madh i cigareve të paligjshme është raportuar në Francë dhe Poloni. Të ashtuquajturat cigaret e paligjshme, përbëjnë më shumë se një të tretën e cigareve të konsumuara në BE. Në Kroaci, e cila, me vëllimin nën 500 milionë cigare është një "trafikant" i vogël në BE, tregtimi i paligjshëm u shfaq për herë të parë sasi të vogla nga Italia.
Nga 5.74 miliardë cigare të konsumuara në vitin 2015, e cila është rreth 700 milionë më pak se viti më parë, 1 në pesë cigareve në tregun kroat ishte e paligjshme. Edhe pse shumica e cigareve të paligjshme në Kroaci arrin nga Bosnjë- Hercegovina (55% ose 160 miliardë cigare) dhe nga Serbia (20 miliardë cigare), vitin e kaluar u raportua një rënie mbi 50% në këto rrugë.
Transferimi më i madh i cigareve nga Kroacia është Gjermania, Sllovenia dhe Austria. Përafërsisht, 2 miliardë turistë gjermanë janë duke përdorur mundësinë për të blerë cigare më të lira se ato që marrin me vete.
Çmimi mesatar i një paketë cigare në Kroaci arrin në 3 €, 5.34 në Gjermani, 1.63 në Serbi dhe 1.95 € në BiH. BAT, Imperial, JTI dhe PMI, të cilat inkurajuan studimin KMPG, besojnë se rezultatet e studimit treguan se është intensifikuar bashkëpunimi në mes qeverive, agjencive të zbatimit të ligjit, prodhuesve dhe shitësve dhe kjo kontribuoi në goditjen më efikase të tregtisë së paligjshme të duhanit në BE.
d.b/shqiptarja.com