Edhe 6 vite nën udhëheqjen e Putinit. Analistët skeptikë për të ardhmen e Rusisë

Edhe 6 vite nën udhëheqjen e Putinit. Analistët skeptikë për të ardhmen e Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin

Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 18 marsit në Rusi, sollën pak surpriza si për rusët, edhe për Perëndimin. Presidenti Vladimir Putin do të vazhdojë ta drejtojë vendin në 6 vjetët e ardhshëm. Por ndërsa Kremlini këmbëngul se zgjedhjet ishin të drejta dhe transparente, një numër analistësh për Rusinë kanë shprehur shqetësim dhe parashikojnë një krizë vazhdimësie në vitin 2024.

Me zgjedhjet e 18 marsit, Vladimir Putin e ruajti pushtetin në Rusi; ai do ta udhëheqë vendin edhe për 6 vite të tjera. Sekretari i Shtypit i zotit Putin, Dmitry Peskov, thotë se rezultatet flasin vetë: “Zgjedhjet e 18 marsit treguan se shoqëria jonë është plotësisht e konsoliduar. Ajo nuk është e tillë për shkak të sulmeve nga dikush, por në saje të planeve për zhvillimin e vendit në të ardhmen, gjë që e tregoi edhe rezultati i zgjedhjeve.”

Shumë analistë nuk e shohin kështu këtë çështje. Mes tyre, disa studiues rusë të shkencave politike me pikëpamje progresive, që u intervistuan nga shërbimi rus i Zërit të Amerikës. Mes tyre, është Dmitry Oreshkin: “Putini fitoi. Por cili është shqetësimi im? Zgjedhjet i ngjanë atyre të periudhës sovjetike. Pikësëpari, nuk pati alternativa të besueshme ndaj Putinit. Edhe në votimet sovjetike, kishte vetëm një emër në fletën e votimit. Së dyti, elektorati u çua në votime. Njerëzit nuk mund të marrin mbi vete rrezikun për të patur një qëndrim të tyrin politik. Bosët e tyre u thonë se duhet të shkojnë në votime, dhe ata shkojnë…

Një tjetër analiste, Ekaterina Schulmann, mendon se zgjedhjet mund të mos kenë qenë të drejta: “Një nga skandalet paszgjedhore është deklarata e Ministrit të Brendshëm rus Sergey Shoigu, se 99 për qind e ushtarakëve dhe familjeve të tyre votuan dhe 89 për qind e tyre mbështetën komandantin e përgjithshëm të Rusisë. Kjo është çmenduri, sepse ushtarakët votojnë në të njëjtat qendra votimi si njerëzit e tjerë, (me përjashtim të atyre që ndodhen në baza jashtë vendit). Nuk ka asnjë mënyrë të mësohet se për kë kanë votuar ata. Kjo e bën deklaratën e ministrit ose spekulative, ose provon se janë bërë mashtrime.”

Kur është fjala për të ardhmen e Rusisë, Dmitri Oreshkin është pesimist. Ai thotë se rusët mund të presin të ketë pak, ose aspak ndryshim, ndërsa Putini vazhdon ta udhëheqë vendin sipas modelit të tij. 

Ç’do të ndodhë në vitin 2024, kur ai të mos ketë më mundësi të kandidojë për postin e presidentit? “Kush do të jetë pasuesi i Putinit? Ai vetë. Nuk e dimë se në çfarë roli, si kryeministër, apo si udhëheqësi i një shteti të ri, por ai ka për ta patur të vështirë të largohet nga pushteti dhe çdo vit ka për të qenë edhe më e vështirë,”- thotë Oreshkin.

Studjuesi Oreshkin thotë se cilitdo që do të vijë në pushtet pas Putinit, do t’i duhet të gjejë mënyra për të kënaqur elitat dhe për t’i qëndruar besnik paraardhësit të tij./Zëri i Amerikës

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?