Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit po shfaqet gjithnjë e më pak si një proces real diplomatik dhe gjithnjë e më shumë si një skenar i shtyrë drejt përshkallëzimit. Ajo që në sipërfaqe paraqitet si negociatë, në thelb duket si një test force, ku Uashingtoni dhe Teherani matin kufijtë e njëri tjetrit, por pa vullnet të qartë për kompromis.

Ky ishte thelbi i analizës së ish ambasadorit dhe njohësit të gjeopolitikës Roland Bimo, i cili ishte i ftuar në rubrikën Bota Report në Report TV, ku edhe zbërtheu me detaje përplasjen mes Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, duke e cilësuar situatën si një lojë të rrezikshme ku paqja përdoret më shumë për imazh sesa si objektiv real.

Sipas Bimos, palët kanë hyrë në negociata me qëllime të ndryshme. Irani kërkon të kufizojë diskutimet vetëm te programi bërthamor, ndërsa pala amerikane zgjeron vazhdimisht agjendën, duke përfshirë tashmë edhe raketat balistike. Kjo rritje e kërkesave, sipas Bimos, tregon se, ndryshe nga retorika publike, presioni ndaj Teheranit nuk po ulet, por po intensifikohet. Në këtë kuptim, thotë ai, negociatat funksionojnë më shumë si një mekanizëm për të legjitimuar dështimin e tyre sesa për ta shmangur atë.

Në këtë ekuacion, roli i Izraelit mbetet vendimtar. Interesi i tij strategjik për dobësimin afatgjatë të Iranit e shtyn Uashingtonin drejt një linje më të ashpër, ku çdo hap përpara në tryezën diplomatike shoqërohet me një kusht të ri, duke e bërë marrëveshjen praktikisht të paarritshme.

“Izraeli, është i  interesuar të fusë SHBA-të në konflikt me Iranin. Ajo që tërheq vëmendjen eshtë se si ka mundësi që struktura e çështjeve që do diskutohen mbetet po ajo që ka qenë para luftës 12 ditore dhe tani i shtohet edhe çështja e raketave. Përpara se të fillonte lufta 12 ditore, çeshtja kryesore ishte programi bërthamor të cilin presidenti Donald Trump deklaroi se e ‘shkatërroi’ dhe shtyu për disa vite me rradhë, por tani del se duhet biseduar prapë për të. Kërkesat janë rritur. Kjo do të thotë që Izraeli do medoemos që t’i fusë SHBA-të në luftë me Iranin që të arrijë objektivat e tij dhe ta kthejë Iranin në një Siri të dytë e të copëtohet sipas linjave etnike. Pra edhe nëse arrihet një progres në bisedime, do gjendet një gjë tjetër nga pala amerikane e ndikuar nga Izraeli që ta fusë Iranin në bisedime deri sa të jetë e pamundur. Pra nesër thjesht do kemi një takim mediatik konstruktiv dhe produktiv” tha ai.

Bimo vëren se i njëjti ekip amerikan po merret paralelisht edhe me krizën në Ukrainë, çka tregon një stil vendimmarrjeje të centralizuar rreth president Donald Trump, i cili, sipas analistit, u beson më shumë njerëzve të afërt sesa institucioneve si Departamenti i Shtetit, Pentagoni apo CIA. “Kemi një proces politik që nuk kalon përmes institucioneve por është më shumë familjar dhe shoqëror” tha Bimo.  

Sipas Bimos, synimi real i SHBA-ve nuk është kompromisi, por vendosja e kushteve aq të papranueshme për Iranin sa ky i fundit të shtyhet drejt luftës. Por ky është një bast i rrezikshëm, sipas tij. Gjeneralët amerikanë, thotë Bimo, i kanë bërë të qartë Trumpit se nuk garantojnë një fitore të shpejtë dhe përfundimtare mbi Iranin.

“Problemi është sa është në gjendje Trump të krijojë garanci që ky operacion do jetë i sukesshëm njësoj si ai i Venezuelës. Gjeneralët e tij, me 14 janar , i  thanë që ‘nuk garantojnë një fitore decizive dhe përfundimtare mbi Iranin’. Nëse iranianët e zgjasin këtë konfrontim me Amerikën, nëse rezistojnë e përgjigjen duke goditur bazat amerikane ne rajon, Izraelin dhe puset e naftës, atëherë kostoja do të jetë aq e lartë sa Trump rrezikon të humbë presidencën. Amerika kërkon që Irani të mos ketë asnjë lloj mundësie për tu mbrojtur që fuqitë e tjera të bëjnë ç'të duan në territorin e tij siç bënë në luftën 12 ditore. Amerikanët duan që të bëjnë në Iran siç duan ata. Trumpit i duhet shumë suksesi ndaj anon shumë nga goditja e Iranit sepse situatën e brendshme nuk e ka në favorin e tij dhe shifrat e pëlqyeshmërisë në popull janë në kuotat më të ulëta. Pra i duhet një fitore si ajo e Venezuelës por nuk ka asnjë garanci që mund ta arrijë këtë në Iran. Kjo sepse, në luftën 12 ditore, Irani tregoi një lloj elasticiteti ndonëse u vranë të gjithë ushtarakët kryesorë sepse kontrolli u mor për 2 ditë dhe vunë në vështirësi edhe SHBA-të dhe Izraelin. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe në këtë rast, dhe ky skenar e tremb presidentin Trump” shtoi ai.

Analisti paralajmëron se nëse Irani zgjedh të zgjasë konfliktin, të godasë bazat amerikane në rajon, Izraelin apo infrastrukturën energjetike, kostoja do të jetë enorme. Një përshkallëzim i tillë do të çonte në rritje të çmimit të naftës, rritje inflacioni dhe goditje të rëndë për ekonominë globale – pasoja që do të ndiheshin edhe në Shqipëri.

“Në rast se fillon konflikti, do të rritet çmimi i naftës, po u rrit çmimi i naftës rriten të gjthë çmimet e tjera dhe ka të bëjë me një inflacion që po mbahet nën fre me shumë sforco. Edhe ne në Shqipëri do ta ndjejmë përshkallëzimin e konfliktit në Iran dhe  bllokimin e ngushticës së Hormuzit. Jo vetëm që ne ndikohemi direkt nga çmimi i naftës, por ne ndikohemi nga rënia ekonomike e gjithë botës, sepse lindja (Kina, Japonia, Korea) dhe Europa që marrin energji nga gjiri persik do të ndikohet negativisht dhe do të ketë një rënie të ekonomisë botërore” parashikoi ai.

Bimo thekson se Irani ka treguar elasticitet edhe në përballjen e fundit ushtarake, duke ruajtur kontrollin institucional pavarësisht goditjeve të forta. Ai rrëzon idenë se regjimi iranian është pranë kolapsit, duke argumentuar se nëse do të ishte kaq e thjeshtë, ai do të kishte rënë prej kohësh.

“Numri i viktimave është më i larti në republikën islamike. Por rëndësi ka çfarë besojnë njerëzit. Pse? Edhe në kohën e SHAHut në 1979, njerëzit besonin që ishin vrarë qindra mijëra vetë, dhe pasi u vra Shahu, u kuptua që në protesta nuk ishin vrarë më shumë se 2000 vetë. Është jashtëzakonisht me rëndësi se çfarë beson populli iranian. Për momentin ata besojnë që është bërë hataja dhe kjo e ka dobësuar regjimin por nga ana tjetër vihet re një lloj elasticiteti nga ana e Iranit. Ky regjim nuk është në fundin e tij, por sipas Teheranit është një keqllogaritje e Perëndimit.

Në fund, Bimo u ndale edhe te dimensioni i brendshëm amerikan. Sipas tij, Trump ndodhet nën presion të madh të brendshëm, me nivele të ulëta popullariteti dhe tensione sociale në rritje. Një luftë e gjatë dhe e kushtueshme me Iranin mund të kthehet në një humbje politike të pariparueshme për të në Uashington.

“Nëse do të ishte kaq e lehtë sa regjimi i Iranit të binte për çështje ditësh, siç thotë presidenti Trump apo kancelari gjerman Merz, do kishte ndodhur prej kohësh. Nuk po ndodh sepse ka një dyshim të bazuar që Irani mund të jetë në gjendje të godasë edhe Izraelin edhe interesat amerikane në rajon dhe t’i shkaktojë Donald Trumpit një humbje të pariparueshme në Uashington. Trumpi për izraelitet është i zëvendësueshëm, por për Amerikën, konjuktura është shumë delikate” tha ai.

Në këtë ekuacion të brishtë, përfundon Bimo, Trump duhet të ecë “mbi litar”, duke balancuar presionin e lobit izraelit, rreziqet ekonomike globale dhe krizën e brendshme amerikane, një ekuacion ku çdo gabim mund të ketë pasoja historike.