Cilat janë kompanitë mercenare ruse?

Cilat janë kompanitë mercenare ruse?

Asnjëherë duke mos i kursyer fjalët, Yevgeny Prigozhin, themeluesi i kompanisë famëkeqe mercenare ruse, Wagner, kritikoi ashpër komandantët ushtarakë rusë, duke përdorur edhe sharje, përmes një video të publikuar më 9 maj. Prigozhin u ankua lidhur me furnizimet me municione të luftëtarëve të tij, të cilët kanë luajtur rol kyç në sulmin 10-mujor ndaj qytetit lindor ukrainas të Bahmutit. Më pas, ai kritikoi një kompani private të sigurisë, të themeluar nga gjiganti shtetëror i gazit, Gazprom, duke u ankuar se luftëtarët e kësaj kompanie po zënë pozicione në luftimet afër Bahmutit.

“Ne po shpenzojmë para publike, po mbledhim njerëz, po i dërgojmë ata në grirëse të mishit?”, tha ai në videon e publikuar. “Nënat e tyre do të vijnë dhe do t’iu japin një [sharje] të mirë. Ndaloni këto marrëzira, kjo është luftë!”.

Wagner, që ka fituar famë në vendet sikurse Mali, Sudani dhe Republika e Afrikës Qendrore, tashmë është bërë emër i njohur për ndjekësit e taktikave ushtarake ruse. Por, kompania e Prigozhinit nuk është e vetmja e këtij lloji. Në këtë tekst mund të mësoni edhe për kompanitë e tjera, më pak të njohura, në industrinë komplekse, por në rritje, të sigurisë private në Rusi: disa prej tyre kanë dërguar ushtarë për të luftuar në Ukrainë, të tjerët kanë fituar famë përmes mënyrave të tyre të veçanta.

Redut

Ushtarët nga kompania e njohur si Redut ishin në mesin e ushtarëve të parë që hynë në Ukrainë, sipas ueb-faqes së lajmeve Meduza, kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të fqinjit të saj më 24 shkurt 2022. Fjala “redut” në gjuhën ruse ka kuptimin e fortifikimit apo ngritjes së fortifikatave për të forcuar mbrojtjen.

Por, origjina e këtij grupi mercenar daton disa vite më herët: në Siri, sipas të përditshmes në gjuhën ruse, Novaya gazeta. Në këtë shtet, sipas kësaj gazete, ushtarët e këtij grupi është raportuar se kanë qenë të përfshirë në ruajtjen e ndërtesave të ndërtuara nga Stroitransgaz, një kompani e inxhinierisë dhe ndërtimit që fillimisht ishte themeluar nga Gazprom, por më pas u ble nga miliarderi, Gennady Timchenko, që ka lidhje të ngushta me Kremlinin. Sipas Novaya gazeta, selia e grupit Redut është e vendosur në Kubinka, një qytet në rajonin e Moskës që është afër bazës së Brigadës së 45-të të forcave speciale ajrore të Rusisë.

Ky grup mercenarësh në mënyrë aktive ka rekrutuar ushtarë përmes rrjeteve sociale ruse, duke thënë se kandidatët e interesuar duhet të jenë të paktën 25 vjeç dhe duhet të kenë përvojë në ndonjë specialitet ushtarak apo përvojë në agjencitë e zbatimit të ligjit.

Një kopje e kontratës së Redut-it, që e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, nuk përmend Ukrainën apo ndonjë operacion ushtarak që po zhvillohet, por thotë se është kompani ndërtimore e regjistruar në qytetin jugor Rostov-on-Don, jo shumë larg nga pjesët e pushtuara nga Rusia në Donbas të Ukrainës. Në regjistrat e korporatave ruse, megjithatë, nuk jepet asnjë detaj për një korporatë të tillë.

Në kontratë, Redut po ashtu e identifikon veten si Laborator Rajonal për Kërkime Sociale dhe Psikologjike. Ky laborator, në fakt është një njësi e agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë, e njohur me shkurtesë GRU, që zyrtarisht njihet si njësia ushtarake 35555.

Një person, që i ishte bashkuar Redut-it, i tha REL-it se para pushtimit, kontraktorët dërgoheshin në Ukrainë – Rusia ka mbështetur forcat lokale në Donbas që nga viti 2014 – dhe ata paguheshin me para të gatshme, në dollar amerikan. Por, që nga nisja e pushtimit, rrogat janë paguar në rubla.

Pritjet dhe përgjegjësitë nga kontraktorët përfshijnë “ekzekutimin e çdo detyre të posaçme në çdo kohë dhe çdo vend që kërkohet nga punëdhënësi”, thuhet në kontratë.

Një tjetër ish-kontraktor i tha REL-it se ushtarët u nënshtrohen disa trajnimeve në ndërtesën e trajnimeve ushtarake dhe të inteligjencës që gjendet afër qytetit Tambov, në jugperëndim të Rusisë.

Mercenarët e kompanisë Gazprom

Përveç Wagner-it, që përveç famës së keqe, që cili sipas ligjit rus vazhdon të jetë një kompani privat ilegale ushtarake, ka edhe kompani të tjera të armatosura të sigurisë që janë të pranishme në fushëbetejat në Ukrainë, e që nuk janë ilegale. Ekzistenca edhe e një kompanie private ushtarake, që mbështetet nga Gazprom, është kritikuar nga Prigozhin. Kryeministri rus, Mikhail Mishustin, më herët gjatë këtij viti autorizoi nëndegën e Gazpromit, Gazpromneft që të krijojë një entitet të tillë nën klasifikimin “kompani private e sigurisë” dhe kompani të tilla janë të legale sipas ligjeve ruse. Sipas Shërbimit rus të BBC-së, entiteti privat i Gazpromit fillimisht ishte krijuar në qytetin siberian, Omsk, dhe ishte emëruar Gazpromneft Okhrana- apo Sigurimi Gazpromneft. Ky entitet ishte udhëhequr nga Stanislav Bauman, ushtrues i detyrës të drejtorit rajonal të Arkangelskit në Ministrinë e Brendshme.

Sipas deklaratave të Prigozhinit dhe raportimeve të tjera, ka disa entitete private të sigurisë që ekzistojnë nën ombrellën e Gazpromit. Një, që njihet me emrin Potok, apo “rrjedha”, u vu në qendër të vëmendjes së publikut në prill, kur një grup i kontraktorëve publikuan një video duke u ankuar se nuk kishin furnizime në fushëbetejë. Ata po ashtu u ankuan se u ishte thënë se do të merrnin kontrata zyrtare përmes Ministrisë së Mbrojtjes, por në vend të kësaj ata ishin dislokuar nën autoritetin e kompanisë Redut.

Unioni i vullnetarëve të Donit dhe Donbasit

Brigada Don, që ka lidhje me Redut-in, përbëhet nga vullnetarë, shumica prej të cilëve janë kozakë. Brigada është e listuar në sistemin kombëtar të rezervistëve të gatshëm, të njohur si BARS, dhe zyrtarisht është e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes. Një zyrtar i lartë i organizatës kozake, të quajtur Unioni i Luftëtarëve Kozakë të Rusisë dhe Diasporës ka rekrutuar vullnetarë përmes mediave sociale. Një tjetër zyrtar i lartë i grupit është Aleksandr Borodai, një rus i cili zyrtarisht ishte lider i separatistëve në Donbas. Tani ai është anëtar i Parlamentit të Rusisë.

Një ushtar i brigadës Don, i cili u prezantua vetëm me emrin Maksim, i tha Radios Evropa e Lirë se ai iu bashkua kësaj brigade në bazë të kushtit të moshës që ka përcaktuar Redut-i. Por, ai tha se rrogat për kontraktorët në Don dhe në Unionin e Vullnetarëve të Donbasit, paguhen nga kompania Redut. Ky ushtar tha se disa kontraktorë janë dërguar që t’i bashkohen Redut-it, ku janë krijuar njësitë speciale të brigadës Don. Megjithatë, këta ushtarë zyrtarisht konsiderohen anëtarë të Unionit të Vullnetarëve të Donbasit. Dhe, sikurse luftëtarët e tjerë të kompanisë Redut, mercenarët e brigadës Don nuk janë të përfshirë në sistemin BARS. Sipas faqes së Unionit që ka në rrjetin social VKontakte, grupi ka tri batalione që ushtrojnë në qendrën e trajnimeve Kadamovski në rajonin Rostov.

Grupi Moran, korpusi sllav dhe korpusi E.N.O.T.

Kompanitë e tjera ushtarake dhe të sigurisë së Rusisë njihen më shumë për aktivitetet në të kaluarën, për aktivitetet jashtë fushëbetejave ukrainase apo për përkrahjen e ideologjive ekstremiste. Ka data të ndryshme se kur grupi i sigurisë Moran është shfaqur për herë të parë. Sipas dokumenteve të korporatave, që japin detaje nga një raport i vitit 2019 i Fondacionit Amerika e Re, thuhet se kompania ishte inkorporuar në Belize më 2011, që u pasua nga Moska po të njëjtin vit. Materialet reklamuese thonë se ky grup ka ofruar siguri për anijet ruse nga piratët që nga vitet ’90. Në mesin e klientëve më të mëdhenj të grupit Moran është Sovcomflot, kompania më e madhe shtetërore ruse e transportit.

Sipas gazetës nga Shën Petersburgu, Fontanka, Wagner i ka rrënjët nga korpusi Sllav, një kompani private ushtarake që rekrutonte ushtarë më 2013. Një tjetër kompani, me po të njëjtin emër, korpusi Sllav, u shfaq për herë të parë në regjistrat e korporatave në Hong Kong më 2013; dy drejtorët e saj ishin ish-punonjësit e Moran-it, Vadim Gusev dhe Yevgeny Sidorov. Po të njëjtin vit, luftëtarët e korpusit Sllav u shfaqën në Siri me kërkesën e Qeverisë siriane, e cila veçse po përballej me kërcënimin në rritje nga grupe të ndryshme, përfshirë grupin militant Shteti Islamik që kishte marrë nën kontroll disa ndërtesa të naftës.

Pas një beteje ku ishin plagosur disa luftëtarë të korpusit Sllav, Gusev dhe Sidorov u kthyen në Rusi dhe u arrestuan nga Shërbimi Federal i Sigurisë. Një vit më vonë, ata u gjetën fajtorë për udhëheqjen e një kompanie ilegale mercenarësh dhe u dënuar me burgim nga një gjykatë në Moskë. Një prej krerëve të parë të Wagner-it ishte Dmitry Utkin, një veteran i inteligjencës ushtarake ruse që kishte punuar për grupin Moran dhe më pas edhe për korpusin Sllav. Një tjetër kompani private, që hulumtuesit ukrainas kanë thënë se ka marrë pjesë në pushtimin rus Gadishullit ukrainas të Krimesë më 2014, ishte korpusi E.N.O.T, i themeluar nga aktivisti nacionalist, Igor Mangushev.

Ushtarët e E.N.O.T. janë parë edhe në Siri, sipas një raporti të vitit 2018 të publikuar nga Instituti polak për Çështje Ndërkombëtare, dhe po ashtu janë përfshirë edhe në operacione paramilitare në Taxhikistan dhe Nagorno-Karabak. Grupi po ashtu ka pasur kampe “patriotike” për të rinjtë në shtete të ndryshme, përfshirë në Serbi, Mal të Zi, Bjellorusi e të tjera. Më 2018, grupi ishte shënjestruar nga forcat e rendit të Rusisë në rajonin Krasnodar dhe disa anëtarë të tij – disa prej të cilëve ishin oficerë federalë të sigurisë dhe të inteligjencës – u akuzuan për vjedhje dhe zhvatje. Vitin e kaluar, Roman Telenkevich, që ka udhëhequr këtë grup që nga viti 2016, u dënua me 13 vjet burgim për zhvatje, kërcënim dhe akuza të tjera./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë