Automjete luksoze të blera me para të krimit, me vlera marramendëse që shkojnë në mbi gjysmë milioni euro për vetëm një prej tyre, janë në duart e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Lista e përditësuar e mjeteve luksoze me ato të vitit 2025, një pjesë e të cilave janë me status konfiskimi, është tashmë publike.

Materiali hapet me një “Lamborghini URUS” të zezë, të vitit 2022, të sekuestruar në tetor të vitit të shkuar nga GJKKO, me kërkesë të SPAK. Vlera e saj shkon 140 mijë euro. Në listën e makinave të sekuestruara në mars 2025 është edhe një BMV me vlerë 30 mijë euro, po ashtu për llogari të SPAK. Në listën e katalogut të gjatë të mjeteve luksoze nuk ka vetëm makina. Pjesë e tyre janë edhe sekuestrimet e 3 skafeve, përkatësisht 2 prej të cilëve me vlerë nga 45 mijë euro dhe tjetri me 18 mijë euro.

Kryekonfiskimi i katalogut është një “Rolls Royce”, modeli “PHANTOM”, e cila ka një vlerë prej gati 520 mijë euro. Tashmë në pronësi të shtetit, mjeti super luksoz u konfiskua në nëntor 2022 me vendim të GJKKO-së.

Agjencia ka në administrim edhe mjete të sekuestruara dhe konfiskuara, që akoma konsiderohen prova materiale të prokurorive, sidomos të SPAK.

Në mesin e tyre është ky “Mercedes Benz AMG G63” i zi me vlerë 150 mijë euro, i sekuestruar në vilën e Ermir Ndreajt, ish pronar i “Cinco Cavalli”, i arrestuar si pjesë e grupit që trafikoi mbi 411 milionë euro drogë në Evropë.

Dhje mjeti tjetër, i po të njëjtit pronar të fiksuar pas Benz-it, me vlerë 40 mijë euro.

Si provë materiale e rëndësishme, ne oborrin e SPAK vijon të jetë një Range Rover me ngjyrë kafe, i sekuestruar në 2023-shin, që ka një vlerë prej 59 mijë eurosh. Kjo autoveturë e zezë, BMV, mund të jetë mbuluar prej pluhurit nga sekuestrimi që prej 2022-shin, por gjithsesi sërish ka një vlerë prej 30 mijë euro. Ndërkohë, ky “Porsche” i zi, i sekuestruar në 2023-shin ka vlerë 65 mijë euro, ndërsa ky “Audi A8” i blinduar vlerë 45 mijë euro, i sekuestruar po në 2023-shin. E njëjta markë, por shumë më luksoz është ky “Audi RS Q8”, me vlerë 90 mijë euro, i vënë në duart e shtetit kur SPAK shkatërroi një tjetër grup të strukturuar kriminal që trafikonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropës.

Mjet luksoz konsiderohet edhe ky “Lexus”, model “LX570”, me vlerë 70 mijë euro, po i sekuestruar nga SPAK që prej 2022-shit.

Në administrim të AAPSK-së ka edhe shumë mjete të tjera të sekuestruara dhe konfiskuara në bazë të hetimeve të SPAK, me vlera të ndryshme që shkojnë prej 10 deri në 40 mijë euro. Vlerat e makinave të vendosura në katalog janë të blerjes së tyre, ndërsa shitja e tyre më vonë në ankand nuk pritet të ketë të njëjtën vlerë.

AAPSK publikon katalogun e përditësuar të mjeteve të sekuestruara dhe të konfiskuara

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) ka publikuar katalogun e përditësuar të mjeteve të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke vijuar procesin e transparencës dhe informimit publik mbi pasuritë që administrohen nga shteti. Ky publikim vjen vetëm pak ditë pasi AAPSK bëri publikë edhe katalogët e përditësuar të pasurive të tjera të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke ofruar një panoramë më të plotë të portofolit të pasurive nën administrim.

Katalogu i mjeteve përfshin një gamë të gjerë automjetesh dhe mjetesh të tjera, të ndara sipas statusit ligjor – mjete të sekuestruara dhe mjete të konfiskuara – për secilën prej të cilave paraqiten të dhëna të detajuara mbi bazën ligjore të sekuestrimit apo konfiskimit, përshkrimin teknik, vitin e prodhimit, si dhe vlerën e përafërt të pasurisë. Dokumenti përfshin si automjete të përdorimit të përditshëm, ashtu edhe mjete me vlerë më të lartë tregu, duke reflektuar diversitetin e pasurive të administruara nga agjencia.

Publikimi i këtij katalogu synon të rrisë transparencën dhe aksesin e publikut në informacion, duke i dhënë mundësi çdo pale të interesuar të njihet me pasuritë e luajtshme që ndodhen nën administrimin e AAPSK-së. Njëkohësisht, ky hap krijon bazën për procese të mëtejshme të administrimit, përdorimit ose tjetërsimit të këtyre pasurive, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe vendimet gjyqësore përkatëse.

Në vijim të publikimit të katalogëve të përditësuar të pasurive të paluajtshme, katalogu i mjeteve plotëson mozaikun e informacionit mbi pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara në Shqipëri. Kjo qasje e integruar e AAPSK-së shihet si një element i rëndësishëm për forcimin e besimit publik, rritjen e llogaridhënies institucionale dhe promovimin e një administrimi sa më efikas të pasurive që kanë kaluar në administrim të shtetit.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)