Lufta ndaj krimit të organizuar dhe konfiskimi i aseteve kriminale janë kushte për integrimin europian. Gjatë fjalës së tij në konferencën nga “Konfiskimi tek e Mira Publike”, i ngarkuari me punë i BE, Andre Rizzo nënvizoi se krimi i organizuar luftohet duke goditur në zemër.

Ai vlerësoi iniciativën e Shqipërisë në ripërdorimin e pasurive të konfiskuara në dobi të së mirës publike.

“Lufta ndaj krimit të organizuar dhe konfiskimi i aseteve kriminale janë thelbësore për konsolidimin e Shqipërisë dhe integrimin në BE. Lufta kundër krimit të organizuar vijon të jetë sfidë në Shqipëri, rajon dhe të tjera shtete. Krimi i organizuar sot vepron përmes kufijve, teknologji gjithmonë e më të sofistikuar, minojnë besimin publik, gërryejnë sundimin e ligjit. Shtetet duhet të ndjekin penalisht aktorët kriminalë dhe të godasin në zemër të krimit të organizuar. Trafikantët e drogës, zyrtarët e trafikuar mbledhin pasuri. Shqipëria ka bërë hapa përpara të rëndësishëm në këtë drejtim duke forcuar bashkëpunimin me ndërkombëtarët, organizma si SPAK dhe ngritur zyra si AAPSK. Një nga mesazhet më të qarta është që krimi nuk paguan. Ja pse përdorimi i aseteve të konfiskuara për qëllime sociale është i dobishëm sepse kthen pasurinë e paligjshme në vlerë publike. Duam të sigurojmë që këto burime të përdoren efektivisht në ndihmë të grupeve në nevojë. Shqipëria ka luajtur rol pioner duke e bërë pjesë të kuadrit ligjor”, u shpreh Rizzo.

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari tha se fuqia ekonomike e krimit është objektiv. Ai nënvizoi se sfida nuk përfundon me konfiskimin e pasurive, por me mënyrën se si ato rikthehen në shërbim të publikut.

“Objektivi ynë është fuqia ekonomike e krimit. Jemi të angazhuar që ato pasuri t’i kthejmë aty ku e kanë vendin, qytetarëve dhe komuniteteve”, tha Lamallari. “Pasuritë e krimit nuk mund të humbasin apo të harrohen në qitapët e agjencisë që gjetëm kur erdhëm në pushtet. Pasuri që s’mund të degradojë ose mbeten rrangullina të së shkuarës kriminale. Ato duhet të kthehen në dobi publike, në investime për qytetarët dhe në shërbim të komunitetit. Hapësirat që dikur simbolizonin paligjshmëri po transformohen në qendra komunitare, ambiente për fëmijët, art dhe kulturë. Ky është mesazhi më i fortë që mund të japë një shtet demokratik: pasuria e krijuar nga krimi po kthehet në vlerë për qytetarët. Shqipëria është e vendosur të ecë përpara, të forcojë standardet kundër krimit të organizuar. Një shtet i fortë nuk është vetëm ai që arreston kriminelët. Një shtet i fortë është ai që i heq krimit pasurinë, fuqinë dhe ndikimin në shoqëri. Shqipëria 2030 është shteti që u kthen qytetarëve atë që u është marrë padrejtësisht”, shtoi ai.

Lajm në përditësim...