Zgjedhjet presidenciale në Ukrainë vendosën njëherësh disa rekorde: Pas rezultatit paraprak që publikoi të hënën në mëngjes, Komisioni Zgjedhor, aktori i komedisë fitoi me gati 3/4 e votave. Këtë rezultat nuk e ka arritur askush që prej 30 vitesh nga pavarësia e vendit. Për presidentin Poroshenko dhanë votën vetëm, 25% e votuesve. një rekord tjetër është tempi i shpejtë, me të cilin Selenskyj u ngjit në majat e pushtetit. Ai e bëri publike kandidaturën e tij në Natën e Vitit të Ri dhe tre muaj më vonë, arriti të fitojë 30% të votave që në raundin e parë. Tre javë më vonë në balotazh ai i dyfishoi votat. E reja është, se fituesi i zgjedhjeve nuk vjen nga politika, por është një aktor që u bë i njohur me një seri televizive, ku një mësues luan rolin e presidentit.
Cili është sekreti i suksesit të Selenskyjt?
Si mund të fitonte një besim kaq të madh një 41 vjeçar pa një program të qartë dhe gati pa fushatë zgjedhore? Duhet theksuar se rezultati që arriti Selenskyj është vetëm në vështrim të parë i çuditshëm - Demoskopët prej vitesh thonë, se pakënaqësia e ukrainasve ndaj politikanëve është shumë e madhe. Qytetarët duan të shohin politikanë të rinj.
Sipas një sondazhi të Institutit Ndërkombëtar të Kievit për Sociologjinë, (KIIS) para një viti, Selenskyj kishte arritur vlerat më të mëdha të simpatisë në listën e 30 personave të njohur. Poroshenko vlerësohej pozitivisht vetëm nga 10% e të anketuarve. Fitorja e Selenskyjt është fitore nga zhgënjimi, që madje kufizohet deri në zemërim me parardhësin. Në duelin e propozuar nga Selenskyj në një stadium të Kievit, ai i tha presidentit aktual, Poroshenko: "Unë nuk jam kundërshtari juaj, unë jam dënimi juaj."
Por ka edhe arsye të tjera për këtë ndryshim pushteti në Ukrainë: Ukrainasit nuk i japin me dëshirë një shans të dytë krerëve të shtetit. Nga 5 presidentët pas pavarësisë, vetëm Leonid Kutshma arriti të rizgjidhej në vitin 1999. Sipas vëzhguesve, Poroshenko i mbivlerësoi sukseset në politikën e jashtme si udhëtimin pa viza në Shengen apo marrëveshjen e asociimit me BE.
Pasi tek qytetarët ndërkohë rritej pakënaqësia - duke filluar nga politika e sforcuar kulturore proukrainase pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, përmes ndërrimit të emrit të qyteteve, rajoneve apo rrugëve që mbanin emra sovjetikë - e duke vazhduar me rritjen e çmimit të gazit dhe akuzat për korrupsion nga rrethi i Poroshenkos. Përpjekja e Poroshenkos për t'u profilizuar si komandat i forcave të armatosura në luftën e Donbasit nuk funksionoi. Sipas vëzhguesve, fushata zgjedhore e Poroshenkos ishte e dobët dhe pa ide të reja. Në të njëjtën kohë konkurrenti i tij mënjanoi intervistat, ai u përpoq të fitonte votues përmes mediave sociale - me sukses.
Do të bëjë Selenskyj kompromise me Rusinë?
Poroshenko e humbi mbështetjen në rajonet qendrore të vendit. Por pesha e tyre duket se është rritur pas humbjes së Krimesë dhe një pjese të Donbasit. Kjo vlen edhe për rajonin shumë të populluar, Dnipropetrovsk. Ndoshta rezultati kaq i mirë i Selenskyjt lidhet edhe me atë, se ai vjen nga Kryvyj Rihu, qyteti i dytë industrial më i madh i rajonit. Por rezultatet më të mira Selenskyj i arriti në rajonet rusishtfolëse në jug dhe lindje të vendit.
Pyetja se si do të sillet Selenskyj ndaj Moskës është një nga provat më të mëdha të presidencës së tij. Ende ai flet pak për këtë dhe pranon kursin e deritanishëm të integrimit proeuropian. Por vëzhguesit llogarisin me një gatishmëri më të madhe të tij për kompromise ndaj Moskës, të cilat ai vetë madje i ka lënë të kuptohen. Një nga pikat më të rëndësishme do të jetë fati i marrëveshjes së Minskut, gati të bllokuar, që do të bënte riintegrimin e rajoneve separatiste, Donjeck dhe Luhansk.
Rreziqet më të mëdha pas fitores
Për të tejkaluar pikën e vdekur të marrëveshjes së Minskut dhe për të bërë reformat në vend, Selenskyjt i duhet shumica në parlament, që do të zgjidhet në vjeshtë. Në sondazhe partia e re e krijuar e Selenskyjt, "Shërbëtor i popullit" kryeson sondazhet. Por shumë gjëra varen nga muajt e parë të presidencës së tij. Poroshenko ndërkohë bëri të ditur, se do të qëndrojë në politikë për të mbrojtur arritjet e deritanishme. "Presidenti i ri do të ketë një opozitë të fortë", tha ai.
Një nga rreziqet më të mëdha pas fitores është rreziku i një konfrontimi të ri në shoqërinë ukrainase. Zgjedhjet tregojnë sërish ndarjen e vjetër në një kamp pro rus dhe pro perëndimor. Kësaj i shtohet një vijë e re ndarëse brenda kampit properëndimor - në përkrahës dhe kundërshtarë të Selenskyjt. Rrezik tjetër sipas kritikëve është influenca në rritje e oligarkëve, sepse Selenskyjt i mungon përvoja në politikë.
Pas raundit të parë të zgjedhjeve, Poroshenko bëri të ditur, se Selenskyj është një marionetë në duart e oligarkut, Ihor Kolomojskyj. Sfidë tjetër për fituesin e zgjedhjeve është edhe pritshmëria e lartë e njerëzve ndaj tij. Por krahasuar me paraardhësit e tij, Selenskyj e ka një avantazh: Ai premtoi kandidimin vetëm për një mandat./DW