Ai pason librin e shkruar nga dy gazetarë francezë, Gérard Davet dhe Fabrice Lhomme, "Një president nuk duhet ta thoshte këtë", të botuar në tetor 2016[i].
Në të dy librat del në pah se presidenti në detyrë, François Hollande, ka dhënë urdhër për vrasjen e më shumë se 40 personave, jashtë territorit francez .
Ja si e citon Le Monde këtë të fundit :"sa herë që të ketë sulme ndaj ushtarëve tanë, sa herë që të ketë marrje pengjesh, të rrëmbyer dhe të burgosur, çdo herë përgjigja do të jetë e adaptuar". Këto operacione të quajtura "Homo" janë vrasje me paramendim të autorëve të atentateve, të organizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Jashtme (DGSE)".[ii]
Le Monde boton pjesë të librit :"i rrethuar nga këshilltarë të prirur nga aksioni ( …) François Hollande i ka dhënë urdhër të qartë shtabit të tij të përgjithshëm ushtarak të DGSE mbi këtë çështje : ata kanë dritën e gjelbër për të vrarë, edhe jashtë vendit(Francës) bile edhe fshehurazi, "shefat e terroristëve" dhe armiq të tjerë të prezumuar të Francës"
Shumë vende janë të përfshirë : Siria, Iraku, Saheli.
Gazeta vazhdon të citojë "së paku 40 veta janë ekzekutuar jashtë vendit midis 2013 dhe 2016. Është e qartë se bëhet fjalë për ekzekutime pa gjyq.
E njëjta gazetë kohë më parë do të shkruante në 1999 se Kosova ishte viktimë prej më shumë se 10 vjetësh e politikës së aparteidit të udhëhequr nga Beogradi.
Më 10 prill 1999, Joshka Ficher, ministri gjerman i punëve të jashtme të kohës, do të shprehej kështu për Le Monde :"kur ta njohim të gjithë të vërtetën, besoj se do të jetë shumë e vështirë për ta përballuar". Ai e krahason luftën e Jugosllavisë me Luftën II Botërore.
Më 3 prill, për të njëjtën gazetë, Rudolf Scharping, homologu i tij i mbrojtjes do ta quante atë çka po ndodhte "Gjenocid" ( Le Monde, 3 prill 1999).
Ndërsa Bill Clinton do të thoshte për The New Statesmen, (15 nëntor 1999) se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte "përpjekje e qëllimtë dhe sistematike e gjenocidit".
Lionel Jospin, kryeministër francez, në atë kohë shprehej se bombardimet e NATO-s ishin "në shërbim të së drejtës, në emër të lirisë dhe të drejtësisë" ( Le Monde, 27 mars 1999).
Ndërsa Tony Blair, duke iu referuar të njëjtës, thotë :"ju premtoj se Millosheviçi dhe gjenocidi i tij i urryer do të marrin fund këtu". (The Guardian, 28 tetor 1999).
Ato që ndodhnin në Kosovë u krahasuan prej klasës politike perëndimore me tmerret e shkaktuara nga nazistët në Evropë, kundër të cilëve rezistenca franceze dhe gjenerali De Gaulle iu kundërvunë me aksione konkrete dhe rezistencë të armatosur.
Mbi një milion persona, shumica burra e gra, u dëbuan dhe u zhvendosën nga shtëpitë e tyre, mbi 20 mijë gra e vajza u përdhunuan nga ushtarët dhe paramilitarët serbë. Përdhunimi u përdor si mjet lufte.
Më 14 dhjetor 2015, gazeta Zëri do të raportonte: "Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë 13 mijë e 549 persona, prej tyre 76 për qind civilë, kurse 24 për qind pjesëtarë të formacioneve të armatosura. Prej viktimave civile, 1 mijë e 400 ishin nën moshën 18-vjeçare. Sa i përket përkatësisë etnike (…) shumica prej tyre janë shqiptarë me numrin prej 8 mijë e 693, kurse 1 mijë e 196 janë serbë dhe 445 romë dhe të tjerë”.[iii]
Ndërkohë policia franceze arreston Ramush Haradinajn, ish komandant i UÇK-së, që luftoi kundër dhunës dhe terrorit shtetëror serb të Millosheviçit.
Sjell në kujtesë se Haradinaj iu nështrua procedurave penale të tribunalit të Hagës dhe ky i fundit e shpalli të pafajshëm. Pra ai arrestohet për një "faj" tashmë të gjykuar dhe të shfajësuar. A mos po hasim në një drejtësi me dy kute?
Ciceroni do kish vënë duart në kokë e do kish thirrur: O tempora, o mores…. /Lexo.al
d.i./Shqiptarja.com
*Ish-Ambasador i Kosovës në Zvicër
[i] http://www.msn.com/fr-fr/actualite/france/hollande-aurait-autoris%C3%A9-une-quarantaine-dassassinats-cibl%C3%A9s-de-terroristes/ar-BBxSzgp?li=BBwlBpb&ocid=spartandhp
[ii] http://www.msn.com/fr-fr/actualite/france/hollande-aurait-autoris%C3%A9-une-quarantaine-dassassinats-cibl%C3%A9s-de-terroristes/ar-BBxSzgp?li=BBwlBpb&ocid=spartandhp
[iii] http://zeri.info/aktuale/67223/ne-luften-e-kosoves-u-vrane-8-mije-e-693-shqiptare/