Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar sërish ndaj deklaratave kontradiktore të avokatit, Gentian Sejrani, lidhur me pretendimet për ushtrim të dhunës ndaj një personi të ndaluar prej Policisë së Shtetit. Në reagimin e tij, Lamallari vë në dukje faktin se i njëjti avokat ka përgënjeshtruar veten e tij në dy reagime të ndryshme.
“Cilit avokat t’i besojmë, këtij ‘avokatit të provave’ që thotë me zë e figurë se “mbrëmjen e djeshme klienti i tij është dhunuar nga policia”, apo këtij tjetrit ‘avokat zëdhënës’ që po sot në një reagim të tij përgënjeshtron veten, duke thënë se është e vërtetë ajo çfarë ka konstatuar Avokati i Popullit, se deri të premten (dje) s’ka pasur probleme??? Kjo nuk është propagandë, por detyrimi për të demaskuar keqinformimin që buron qoftë dhe nga papërgjegjshmëria etiko-profesionale!”, thotë ministri Lamallari.
Ai ka bashkëngjitur edhe një postim të Sejranit ku thuhet:
“Lidhur me deklaratën e Avokatit të Popullit, është thënë se deri të premten nuk ka pasur probleme, gjë që është e vërtetë. Megjithatë, sot punonjësit e Avokatit të Popullit po e trajtojnë këtë çështje dhe nuk mund të pritet që ata të dalin menjëherë me një deklaratë përfundimtare”, shkruan Sejrani.
Lajmi kryesor:
Përplasjet te Kuvendi/ Avokati: Një protestues me epilepsi u gjakos nga policia! Burimet: Hoqi me forcë vigonin për serum! Ministri: Akuzat, të pavërteta











