Fort të dashur kuqezinj,

I shtrenjti kapiten i skuadrës,

Carissimo Gianni,

I nderuar President i Federatës Shqiptare të Futbollit,

Miq të ekipit teknik të Kombëtares dhe të Federatës,

më lejoni që përulësisht t’Ju falenderoj me gjithë zemër dhe t’Ju shpreh mirënjohjen më të thellë për arritjen Tuaj historike.

Mbrëmë, Ju kurorëzuat me sukses, vrapimin më të vështirë e më emocionues të jetës Suaj dhe padyshim, të të gjithë historisë së futbollit shqiptar; vrapimin dyvjeçar, drejt një ëndrre të pamundur. Të cilën, deri dy vjet më parë, askush nuk guxonte ta shihte as me symbyllur dhe jo më me sy hapur. Ndoshta përveç trajnerit tonë, që përderisa mori nënshtetësinë shqiptare ka pasur me siguri, të fshehur në mendje, idenë e çmendur se mund ta ngjiste me fanellën kuqezi, majën e frikshme të Finaleve të Europianit.

Rikthimi, i papritur, i mallkimit të minutave të fundit, në dy ndeshjet që pararendën apoteozën e mbrëmjes së djeshme, e fashiti në sytë e shumëkujt, ëndrrën e jashtëzakonshme. Madje, fatkeqësisht, nuk ishin të pakët ata që u sollën keq me Ju, pas humbjes së beftë me Serbinë. Harruan gjithçka që kishit bërë deri aty. Harruan se edhe sikur deri aty të kishte zgjatur vrapi Juaj drejt ëndrrës, prapëseprapë, Ju i kishit dhuruar futbollit, shoqërisë shqiptare, mbarë kombit tonë, diçka që askush përpara Jush nuk kishte arritur as ta imagjinonte; një Shqipëri të denjë, konkuruese, krenare, e cila në grupin e vet arriti për herë të parë në historinë tonë, të luftonte për të shkuar në finalet e mëdha. Harruan se në fund të fundit, kishit përballë një skuadër që në letër nuk krahasohet me tonën, as për nga talentet individuale, as për nga vlera monetare. E harruan fare, se grupi ynë ishte një ferr i vërtetë, nga ku pas hedhjes së shortit, as më optimistët nuk do të guxonin të vinin bast për vendin e tretë dhe lëre pastaj për kualifikimin direkt për në Francë. Madje as deshën t’ia dinë fare se Ju kishit siguruar ndërkohë, objektivin e Play Off-it, teksa skuadra shumë më të njohura europiane nuk e kishin arritur as këtë objektiv.

Ngatërruan lojën me luftën; topin me armët; dashurinë e gjithëkohshme për ngjyrat e kombëtares, me urrejtjen e vjetër për fqinjët. Dhe u lëshuan në kanalet e rrjeteve sociale, me fjalë të padenja ndaj Jush, ndaj trajnerit tonë fantastik, ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, – nuk po llogaris këtu, hiç çfarë, gjuajtën ndaj meje, sepse balta e akuzave dhe mllefeve është kaherë pjesë e punës sime.

Kush nuk e ka veshur asnjëherë fanellën kuqezi, as që nuk e parafytyron dot dhe jo më ta kuptojë, peshën e rëndë të përgjegjësisë që ajo fanellë, fanella juaj, sjell mbi kokë, mbi supe, mbi zemër, stomakun, këmbët e duart. Për mua që e kam pasur atë privilegj në rininë time, për ndeshje ku e ku më të parëndësishme se Tuajat e pa asnjë presion publik mbi krye, është më e lehtë ta marr me mend, se çfarë keni ndjerë Ju, teksa çdo ndeshje bëhej një ngjitje më shumë drejt majës së frikshme. Po prapëseprapë, kur maja u afrua shumë, në tre ndeshjet e fundit përpara të mbrëmshmes, vetëm Ju e dini se çfarë barre të tmerrshme psikologjike Ju është dashur të mbani, përballë erërave që sa më lart të ngjitesh, aq më të forta bëhen. E praktikisht, erërat e presionit të lartësisë u bënë stuhi që Ju rrëzoi dy herë në fund. Madje rrëzimi i dytë, në minutat shtesë, i ngjau këputjes së litarit një krah larg nga arritja e majës dhe rënies në boshllëkun e humnershëm të një dëshpërimi pa ngushëllim.

Nuk do ta harroj kurrë, dhomën e zhveshjes, pas rënies së bilbilit të fundit në Elbasan Arena. Lotët, kokat e fshehura nëpër duar, trupat e ngrirë si pa jetë, britmat e mundimshme të trajnerit dhe zërin e kapitenit, që përkthente duke u munduar të nxirrte energjitë e fundit, për t’i dhënë frymë shpresës së vrarë. Ishte momenti dramatik i vetmisë, në rrugën e stërmundimshme pranë majës. Momenti që vendos të nesërmen dhe bën dallimin mes skuadrave të vërteta si e Juaja, ku yllin e bën uniteti i pathyeshëm i zemrave dhe skuadrave që mund të kenë në përbërje gjithë yjet e botës, por mund të treten, pa kthim, në helmin e humbjes së radhës. Ishte momenti i provës së madhe të karakterit, që vendos fatin e çdo ëndrre, programi, skuadre, përballë rrjedhës së padëshiruar të ngjarjeve.

Ishte një nga ato momente që vendosin rrjedhën e fatit të njeriut apo të një skuadre, për vitet që vijnë dhe vënë në provën e zjarrit të brendshëm, njerëzit përballë atij që, në ato momente, duket si ndëshkimi i fatit të tyre. Në fakt, fati është me ata që nuk dorëzohen dhe sfida Juaj, pas humbjes therëse të atyre minutave shtesë, që ngjanin si shqelma të pamëshirshëm të fatit, mu pranë ëndrrës që buzëqeshte dhe dukej si e paarritshme më, ishte me vetveten dhe jo me kundërshtarin e radhës.

Në të vërtetë, ndeshjen e mbrëmshme, ose do ta fitonit Ju, ose do ta humbnit Ju. Fati i ëndrrës së pamundur të Shqipërisë, të cilën Ju dhe vetëm Ju e sollët kaq pranë, mvarej vetëm nga forca që Ju do të gjenit brenda vetes së rrëzuar e të braktisur, në vetminë e papritur të pjesës më të fundit të rrugëtimit drejt majës.

Siç e patë edhe vetë, kur fiton, nuk mbarojnë ata që duan të të mbajnë në krahë. Ndërsa kur humbet, ke vetëm veten dhe ata që kanë mbetur rreth e rrotull. Unë ndjehem shumë me fat, që mu dha mundësia të jem ndër këta të dytët. Dhe dua t’ju them sot se e doja me gjithë shpirt, për Ju në radhë të parë, fitoren e mbrëmshme. Por këtë ceremoni këtu, në këtë sallë, e kisha përgatitur pavarësisht nga rezultati. Ndërsa atë tjetrën në rrugë, nuk guxova ta mendoj pa dalë rezultati.

Sot rrugët janë plot. Po të kishim humbur, ne do të ishim përsëri këtu. Ndërsa në rrugë nuk e di sesa shumë do të ishin. Po e vërteta është se, edhe sikur Ju të mos ia kishit dalë fundit të lumtur të kësaj historie fantastike, që do mbahet mend për breza të tërë, të shkruar me pasion atdhetar e sakrificë të pashoqe sportive, prapëseprapë, kjo Kombëtare do të ishte në majën më të lartë të historisë së futbollit shqiptar. Dhe do të meritonte një mirëkthim po kaq madhështor në atdhe.

Sepse, si kurrë më parë, Ju e bëtë Shqipërinë dhe shqiptarët, anembanë, të prekin ëndrrën e daljes në Finalet e një Europiani. Për herë të parë në historinë e këtij sporti, po edhe të çdo sporti kolektiv në Shqipëri, Ju i mblodhët shqiptarët rreth arenave të këtij grupi eliminator të stërvështirë, apo përpara televizorëve, anembanë trojeve shqiptare e botës mbarë, duke e kthyer çdo ndeshje në një finale emocionesh torturuese.

Ju fituat, barazuat, humbët, u ngjitët, u rrëzuat dhe u ringjitët, duke shkruar një faqe të lavdishme, që padyshim do të shkëlqejë përgjithmonë falë kualifikimit, por nuk do të ishte pa shkëlqim, edhe sikur mos ishit kualifikuar.

Kualifikoheshit ose jo mbrëmë, unë sot do t’Ju jepja sidoqoftë Juve dhe të gjithë kuqezinjve me besë për Ju, lajmin se kemi vendosur së bashku me Presidentin e Federatës së Futbollit, të nisim menjëherë punën për ndërtimin e Arenës Kombëtare në Tiranë. Një tjetër stadium i ri, më i madhi sigurisht në Shqipëri, që do të jetë shtëpia e madhe e kuqezinjve në kryeqytetin e gjithë shqiptarëve. Arena Kombëtare do t’Ju kushtohet Juve dhe në hyrjen e saj do të shkruhen në një pllakë të artë, të gjithë emrat Tuaj, një për një.

Kur ndërtuam Elbasan Arenën, e bëmë sepse Ju ishit të pastrehë në atdheun Tuaj dhe Shqipëria rrezikonte t’i luante në shtëpitë e fqinjëve, ndeshjet e këtij Europiani. Kur nisëm rindërtimin nga themelet të “Loro Boriçit”, në Shkodër, e bëmë sepse Juve Ju duhej një shtëpi më e madhe këtë vit dhe ne ende s’i kishim mundësitë, po as kohën në dispozicion, të fillonim me Arenën Kombëtare. “Loro Boriçi” do të ishte gati për ndeshjen me Serbinë, por UEFA kërkoi që ajo ndeshje të luhej në Elbasan për arsye të rrepta sigurie. Tani që Ju e bëtë Kombëtaren, sipërmarrjen më të madhe europiane të Shqipërisë dhe e kthyet në atraksionin më të madh kombëtar, Arena Kombëtare e Tiranës është një imponim për ne.

Nuk e dyshoj që cinikët e pandreqshëm, të cilët, siç e patë edhe vetë, i kemi jo aq të paktë mes nesh, sidomos kur ngjarjet nuk shkojnë siç dëshirojmë, do të hedhin helmin e tyre.

Nuk do të mungojë as ajo shprehja kulmore e varfërisë së aspiratave, “Populli s’ka bukë, ju merreni me sport e me stadiume!”, siç nuk munguan as dje të thonë, “Shqipëria po përmbytet, kryeministri e ka mendjen tek futbolli!”, a thua se sporti e stadiumet u hanë bukën këtyre mendjengushtëve, apo se mesazhet e mia për Kombëtaren dje, më pengonin të kryeja detyrën lidhur me ujërat e dalë nga shtrati në disa zona të vendit.

Miku im Salihi, tha atë natë, kur u takuam përpara nisjes Suaj në Armeni, “Mezi pres me fitu, se kam qejf me të pa kur t’ju thush qepeni gojën!”. Eh mor mik, gojët e shqepuna të atyne që nuk dinë ç’a është puna, nuk dinë ç’a janë mundimet për me arrit rezultate, nuk dinë ç’a duhet për me përballu kur stuhitë të prekin, teksa mundohesh të ngjitesh lart, nuk qepen kurrë. Prite kur të fillojnë prapë në qershor dhe të na tregojnë kush e ka fajin që nuk dolëm kampion Europe!

Sot që me mëngjes, Kryeministri i Italisë më çoi një mesazh: “Rroftë Shqipëria që hyri në Europën e Futbollit. Tani ju presim në Europën e Politikës”!

E vërteta është se historia që Ju shkruat, rrezaton përtej historisë kombëtare të futbollit. Ajo është një mësim i çmuar për shoqërinë tonë, për çdo shqiptar e shqiptare që ëndrrave dhe shpresave të veta u jep krahë me zemër e mendje, përmes punës këmbëngulëse e sakrificave të mëdha, për çdo shqiptar e shqiptare që duke ndjekur ëndrrën, ngrihet, rrëzohet, ringrihet përsëri dhe ngulmon për ta kapur atë.

Është padyshim një mësim, për të gjithë ata që s’e besojnë apo s’duan ta besojnë, se Shqipëria Europiane bëhet dhe do të bëhet, - po ama me punë, këmbëngulje, sakrifica, siç u bë kjo Kombëtare europiane. Duke e refuzuar varfërinë e aspiratave, që na fryn në vesh prej njëzet e kusur vitesh dhe na thotë, kjo është Shqipëria, s’bëhet dot shtet serioz; s’bëhet dot vend i drejtë; s’bëhet dot tokë që ushqen ëndrrat dhe shpresat e të rinjve. Duke e refuzuar dembelizmin mendor, që na ysht drejt zgjidhjeve më të lehta dhe na thotë, kap ç’të kapësh për vete, se s’do e bësh ti këtë vend; dale njëherë se nuk bëhen gjërat menjëherë; s’bëhet kjo kështu e as ajo ashtu, se s’janë bërë dot gjithë jetën e jo t’i bëjmë ne tani. Duke e refuzuar edhe frymën negative, që përhapet sapo një ngjarje e padëshiruar errëson shikimin dhe tërheq shumëkënd mbrapsht, në vorbullën e justifikimeve sepse nuk ia bëjmë dot deri në fund hyzmetin gjerave që i duam me gjithë shpirt.

Sikur Ju t’i dorëzoheshit varfërisë së aspiratave, sot, të gjithë do ngushëlloheshin me vendin e katërt. Sikur Ju t’i dorëzoheshit dembelizmit mendor, sot, secili do bënte hesapet sa ndeshje luajti vetë dhe me sa e rriti piacën e vet duke luajtur me Kombëtaren. Sikur Ju të ishit dorëzuar përballë frymës negative, pas ndeshjes së dhimbshme dhe ngjarjes së minutave shtesë të Elbasan Arenës, sot, historia e këtyre eliminatoreve do të ishte krejt tjetër. Por ju nuk u dorëzuat dhe e bëtë fatin e kësaj Kombëtareje, siç e deshët vetë. Ky është mësimi i madh, që forca e shembullit Tuaj përcjell për kombin tonë, për dy shtetet tona, Shqipërinë dhe Kosovën, për shoqërinë dhe për vetë qeverinë e Shqipërisë.

Unë ju jam thellësisht e sinqerisht mirënjohës, për forcën e pashoqe të këtij shembulli kaq të shkëlqyeshëm. I jam falenderues çdonjërit prej Jush, që nga Etriti, i cili më dha mundësinë ta doja me gjithë shpirt një Berishë, deri tek Salihi, falë të cilit munda ta shoh vetë, nga afër, në momentet e vështira, se sa i vlefshëm mund të jetë një lider në stol, pas gjithë atyre viteve lider në fushë. I jam falenderues çdokujt ndër Ju, që në Kombëtaren Kuqezi solli pasionin e Kosovës, forcën e Vlorës, talentin e Shkodrës, shpirtin punëtor të Fierit e të Lushnjës dhe shpirtin rebel të Kavajës, krenarinë e Tiranës dhe ambicien e Preshevës, të cilën lejomëni ta veçoj në fund, duke i uruar Beratit, kolosit preshevar që fatin e rrugës së tij ta bëjë po kaq të ndritshëm, sa ç’e bëri kjo Kombëtare që s’u dorëzua asnjë çast, në ngjitjen e mundimshme drejt majës tanimë të arritur.

Nuk e harrova, si mund ta harroj! Kush mund ta harrojë?! Kapitenin kozmopolit të Kombëtares sonë, Lorikun, Lorikun e Shqipërisë, Lorikun e Kosovës, Lorikun e shqiptarëve kudo që ndodhen, por dhe Lorikun e Francës dhe të Italisë që yllin e talentit të tij të madh, e vuri gjithnjë e me të gjitha forcat në shërbim të Kombëtares, dhe që këtë rrugëtim fantastik me forcën e pazëvendësueshme të veteranit, e udhëhoqi drejt Francës në fushë armatën e De Biasit. Prandaj medalja e parë e mirënjohjes së këtij institucioni dhe timin personalisht, me privilegjin e madh që më kanë bërë shqiptarët duke më vendosur në krye të qeverisë dhe duke më dhënë këtë mundësi historike që t’ju kem të gjithëve ju para syve, dëshiroj t’ia jap Kombëtares sonë dhe për të kapitenit tonë legjendar Lorik Canës.

*Fjala e plotë e Ramës gjatë pritjes së Kombëtares