TIRANE - Pak ditë pas emërimit në krye të Policisë së Shtetit të Haki Çakos, strukturat blu kanë njohur edhe disa ndryshime të reja. Ardian Çipa, është transferuar nga detyra që mbante si drejtor i policisë së Tiranës duke u emëruar në një detyrë më të lartë, zv/drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për Departamentin e Hetimit të Krimeve, funksion që e mbante Haki Çako përpara se të emërohej në krye të Policisë së Shtetit 
 
Ndërkohë që në postin e drejtorit të Policisë së Tiranës është emëruar Ervin Hodaj (në foto). Më herët ai ishte Drejtor në Drejtorinë e policisë së qarkut Fier, 39 vjeç nga Tepelena.
 
Po ashtu në krye të Policisë së Fierit është emëruar Neritan Nallbati, që kishte të njëjtën detyrë por në Elbasan.Të tre këta drejtues policie i mbanin funksionet e mëparshme drejtuese që nga muaji tetor i vitit 2013, kur ata u emëruan në këto detyra, pak kohë pas ardhjes në pushtet të qeverisjes së majtë. 

Ndërkohë në vend të Nallbatit në Elbasan është emëruar Alfred Çepe.
 
Po ashtu ka ndryshuar edhe kreu i Anti-krimit Ekonomik në Policinë e Shtetit, post në cilin është emëruar Rebani Jaupaj, që më parë mbante detyrën e zv/drejtorit të Policisë së Qarkut të Tiranës

Redaksia Online
(s.k/Shqiptarja.com)