PRISHTINË, 11 Dhjetor /ATSH-B.Jashari/.- Mes 12 projekteve europiane u prezantua sot në Riga (Letoni), projekti "Cirku fluturues", produksioni Kosovë-Shqipëri-Kroaci, i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.
Qendra Kinematografike e Kosovës bën të ditur se, sot në Riga filloi punimet European Script Meeting, që do të zgjasë dy ditë dhe është pjesë e eventit ndërkombëtar filmik Riga Meetings. Në mes të projekteve filmike që do të prezentohen është edhe projekti "Cirku fluturues" nga skenaristi dhe regjisori Fatos Berisha dhe producente Vjosa Berisha. Ky projekt gjendet mes 12 projekteve të selektuara nga gjithë Evropa. Mbi 20 profesionistë në fushën e filmit, skenaristë, regjisorë dhe producentë do të kenë mundësi të takohen në Riga dhe bisedojnë gjatë ditëve të ardhshme lidhur me projektet e tyre si pjesë programit të European Script Meetings.
"Jemi të lumtur dhe krenarë që projekti ynë është selektuar dhe do ta prezentojmë para ekspertëve europianë të skenarit. Pas pjesëmarrjes në workshopin EAVE on Demand muajin e kaluar, ky është eventi i dytë që projekti ynë merr pjesë dhe them se jemi në rrugë të mirë ta zhvillojmë dhe përmirësojmë projektin duke e bërë gati për në fazën e prodhimit", u prononcua nga Riga, Vjosa Berisha producentja e projektit "Cirku Fluturues".
European Script Meeting dhe Riga Meetings janë forumet e produksionit që mbahen në Riga në datat 10-14 dhjetor dhe organizohen nga Qendra Kombëtare e Filmit e Letonisë dhe Riga International Film Festival. Ndër folësit në panelet e Riga Meetings do të jenë edhe Wim Wenders, Liv Ullmann, Nik Powell, Agnieszka Holland dhe Nikolaj Nikitin. Riga këtë vit është edhe mikpritëse e ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve vjetore europiane të filmit, Europan Film Awards që mbahet me 13 dhjetor dhe organizohet nga European Film Academy./m.m/