City fiton derbin e Manchesterit, Chelsea dhe Arsenal ngecin në barazime (GOLAT)
Supersfida e javës në “Premier League” mes Manchester Cityt dhe United ka përfunduar në favor të skuadrës së Guardiolës që ka triumfuar 3-1. Ndërkohë Chelsea dhe Arsenal janë ndalur në barazime, ndërsa Liverpool ka marrë tre pikët në “Anfield” pasi ka mposhtur Fulham.
Nga sfida mes Manchester City dhe Manchester United
Ernest Koçi 11 Nëntor 2018, 21:05 | Përditesimi: 11 Nëntor 2018, 22:12
Derbi i Manchesterit i ka takuar skuadrës së Perp Guardiolës që ka mposhtur 3-1 United në “Etihad Stadium”. Supersfida e javës në Premier League u zhbllokua shumë shpejt, pasi në minutën e 12-t David Silva mposhti për herë të parë De Gean. Dyfishimi i rezultatit do të vinte në fillimin e pjesës së dytë, me Aguerron që realizoi një gol mjaft të bukur nga një kënd i prirët.
Pak çaste më vonë shpresat e United për pikë do të zgjoheshin nga Martial që ngushtoi diferencat në 2-1. Gjithsesi skuadra e Mourinhos nuk do t’i rezistonte presionit dhe në minutën e 86-t pësoi golin e tretë nga Gundogan që njëkohësisht vulosi sfidën dhe i dha fitoren City-t.
Në Londër ndërkohë si Chelsea ashtu Arsenal nuk kanë shkuar më shumë se një barazim në javën e 12 të “Premier League”. Chelsea barazoi pa gola kundër Everton, ndërsa “topçinjtë” e Arsenalit u ndalën me shifrat 1-1 kundër Wolves.
Ndryshe nga dy skuadrat e mësipërme Liverpool ka marrë tre pikët pasi ka mposhtur 2-0 Fulham. Të besuarit e Jurgen Klopp fillimisht zhbllokuan rezultatin me Salah në fundin e pjesës së parë, ndërsa në fraksionin e dytë të lojës vulosën gjithçka me Shaqirin. Shtatshkurti në këtë mënyrë jep një mesazh të qartë për skuadrën që në ndeshjen e humbur të Champions League kundër serbëve të Crvena Zvezda nuk u grumbullua për çështje politike.
Pas 12 javësh kampionat Manchester City mban vendin e parë me 32 pikë, 2 më shumë se Liverpool I vendit të dytë. Ndërkohë Chelsea renditet i treti me 28 pikë.