Kjo e hënë ka shënuar lirimin e hapësirës përpara shkollës 9-vjeçare “Ndre Mjeda” në Shkodër, një zonë që prej rreth 30 vitesh ishte e zënë nga ndërtime dhe pengesa që kufizonin funksionimin normal të mjedisit shkollor.
Gjatë ditës së sotme u ndërmor aksioni për largimin e objektit të vendosur përpara godinës së shkollës, duke i kthyer kështu komunitetit një hapësirë të rëndësishme publike dhe duke përmirësuar ndjeshëm sigurinë për nxënësit dhe banorët e zonës.
Aksioni u ndoq nga afër nga kryetari i Bashkisë Shkodër, i cili deklaroi se puna për lirimin e hapësirave publike në funksion të shkollave dhe ambienteve mes pallateve nuk do të ndalet në asnjë moment, si pjesë e angazhimit për një qytet më të rregullt dhe më të sigurt për komunitetin
"Ky është vetëm fillimi i ndërhyrjeve. Ka qenë një rast jashtëzakonisht shqetësues për ne, një servis në derën e shkollës, i legalizuar, na është dashur të bëjmë disa procedura për ta liruar ambientin. Si këto kemi shumë objekte të tjera nëpër shkolla në të cilat do të ndërhyjmë. Sot e më tej do lirohet jo vetëm hapësira për nxënësit, do të ulet rrezikshmëria por edhe trafiku i zonës. Një akt flagrant i papërgjegjshmërisë në vendimmarrje në kohë të caktuara. Me kënaqësi ne po lirojmë hapësirën e rradhës dhe shkollat janë prioriteti ynë. E gjithë puna që bëhet është jo vetëm për shkollën por edhe për hapësirën mes pallateve” tha kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci
Shkolla “Ndre Mjeda” ka kaluar një transformim të plotë falë investimit të qeverisë shqiptare, duke ofruar tashmë kushte moderne për zhvillimin e procesit mësimor. Ndërhyrja jo vetëm i ka dhënë një pamje të re institucionit arsimor, por ka rritur edhe standardet e sigurisë për nxënësit, mësuesit dhe banorët përreth.
Komente











