SHKODER- Në ambientet e Arqipeshkvisë Shkodër-Pult u prezantua kalendari i aktiviteteve që do të organizohen në kuadër të 130-vjetorit të shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë si Pajtore e Shqipërisë si dhe shpalljes së Vitit Jubilar. Gjatë prezantimit, u theksua rëndësia shpirtërore dhe historike e këtij përvjetori për Kishën Katolike dhe për mbarë besimtarët.

Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkev i Arqidioqezës Shkodër-Pult tha se: “Aktivitetet do të nisin më 25 prill 2026 me praninë e kardinalit nga Roma, Rolandas Makrickas, arqipeshkv i bazilikës papnore Santa Maria Maggiore. Ndërsa më 26 prill do të mbahet kremtimi zyrtar i hapjes i Jubileut”.

Ndërkohë, Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë i ka dërguar një ftesë zyrtare Papa Leone XIV për të vizituar vendin tonë në kuadër të këtij jubileu, por deri më tani nuk ka një përgjigje zyrtare nga Vatikani.

Dom Artur Jaku, Rektor i Bazilikës së Nanës së Këshillit të Mirë thekson se: “Një nga elementët kryesorë është logoja zyrtare e 130-vjetorit. Ajo paraqitet në formë rrethi, duke simbolizuar botën, por edhe një mesazh shpirtëror për mbarë Shqipërinë".

Dom Mark Pashkja, zëdhënës i Konferencës Ipeshkvore  bën të ditur se: “Do publikohen disa botime me vlerë historike, mes të cilave një përmbledhje e revistës “Zoja e Shkodrës” , korrespondenca historike mes dioqezës së Shkodrës dhe Italisë për ndërtimin e kishës, si dhe botimi për herë të parë i një dorëshkrimi të At Marin Sirdanit mbi këtë devocion”.

Aktivitetet do të shtrihen përgjatë gjithë vitit dhe do të përfshijnë fusha të ndryshme, nga ato liturgjike e shpirtërore, te ato akademike dhe kulturore.

Në këto kremtime pritet të marrin pjesë përfaqësues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, si dhe diaspora shqiptare në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu janë planifikuar jubile të veçanta për grupe të ndryshme si meshtarë, familje, studentë, artistë dhe diplomatë.