Çlirohu Lulzim!

Çlirohu Lulzim!

Ambasadorja amerikane Yuri Kim e la topin në fushën e Lulzim Bashës, për të thënë ai fjalën e fundit, nëse e pranon kompromisin e ofruar në tokën amerikane. Zhvillimi i bisedimeve pikërisht në selinë diplomatike të Shteteve të Bashkuara, është njësoj sikur palët të kenë qenë ulur në Uashington e jo në Tiranë.

Nga deklarata e zonjës Kim, duket se përfaqësuesi i PS-së ka lëshuar shumë pe, natyrisht edhe me miratimin e kryeministrit Rama. Kjo gjë i lehtëson negociatat në vetvete, por i dramatizon në kampin opozitar, sepse ata presin pikërisht të kundërtën, që qeveria të tregohet refraktare dhe të mos tundet nga istikami.

Kryeministri Rama dihet që është xhongler i shkëlqyer politik dhe nuk tutet të rrezikojë duke ofruar më shumë se sa u takon tekave të demokratëve. E tregoi këtë gjë kur i ofroi opozitës më shumë se gjysmën e kabinetit qeveritar, me portofolet më të rëndësishme të saj, përpara zgjedhjeve të vitit 2017.

Edhe tani ai duket që ka ofruar sërish bonuse të tjera për opozitën, saqë kam frikë se ajo këtë ia merr për dobësi për të rritur dozën e kërkesave.

Mbaj mend kur afro 10 vite më parë, Edi Rama, atëherë në rolin e kryetarit të opozitës, lumturohej teksa kishte arritur një marrëveshje modeste me kryeministrin Berisha në një restorant francez në Strasburg me emrin “Krokodil”, nën ndërmjetësimin e partnerëve evropianë.

Në atë kohë lideri opozitar nuk kishte kërkesa kaq të papërfytyrueshme të tilla si: qeveri teknike përpara zgjedhjeve, identifikim biometrik të zgjedhësve, votim elektronik, depolitizim të komisionerëve, transparencë në financimin e partive, etj. Me të tilla kërkesa kaq të “çmendura”, Sali Berisha do ishte ngritur menjëherë nga tavolina e bisedimeve dhe do largohej demonstrativisht.

E vetmja gjë që pretendonte opozita e atëhershme dhe që e arriti vetëm si një premtim të dhënë nga kryeministri Berisha, ishte që ajo të kishte të drejtë që pas zgjedhjeve, nëse dyshonte në manipulim rezultati, t’i jepej mundësia për të hapur dhe hetuar kutitë e dyshuara. Kjo, duke marrë si shembull manipulimin e provuar në komunën Rruzhdie prej komisionerëve demokratë.

Mjafton ky premtim gojor prej Sali Berishës, që Edi Rama të përmbyllte grevën e urisë që zhvilloi në bulevard nën moton “Hap kutitë ose largohu”!

Vini në peshore se çfarë modestie në kërkesa kishte opozita e dikurshme përballë qeverisë së Sali Berishës dhe çfarë kërkesat ka opozita e sotme për qeverinë “Rama”, për të kuptuar diferencën e evoluimit të standardeve demokratike që ofron Edi Rama për palën tjetër.

Është interesant fakti që 10 vjet më parë Edi Rama nuk kishte nevojë të konsultohej me askënd kur e quante arritje të madhe për opozitën hapjen e kutive të votimit. Natyrisht, nuk bëhej fjalë më për kutitë e zgjedhjeve të vitit 2009 (sepse ato Berisha nxitoi t’i djegë me benzinë), por për zgjedhjet e mëpasshme.

Ndërsa sot, lideri i opozitës, Lulzim Basha, nuk merr dot asnjë vendim të pavarur, pa pyetur më parë Berishën, Metën e Kryemadhin.

Aq i kapur është prej tyre, saqë besoj që mallon një mijë herë Edi Ramës se përse lëshon kaq shumë pe dhe nuk e bën situatën më të vështirë me qëllim që Basha të ketë alibi ku të justifikohet.

Fakti që negociatat janë mbajtur me dëshmitarë amerikanë dhe evropianë, e vë Lulzim Bashën në pozitë të vështirë. Këta partnerë kanë pasur mundësinë t’i dëgjojnë palët drejtpërdrejtë në tavolinë dhe kësisoj tashmë e dinë se cilët janë për konsensus e cilët për bllokim.

Lulzim Basha nuk ka alternativë tjetër veçse të pranojë. Por që ta bëjë këtë do t’i duhet që të çlirohet më së pari nga Sali Berisha. Rrugëtimi i një lideri nis nga çlirimi prej hijeve që i mbeten pas. A do mundet dot vallë Luli Basha ta bëjë këtë?!

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • O tej: 04/06/2020 17:40

    Pirdhu Lulzim

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Korçë/ Kontrabandë bagëtish dhe cigaresh nga Greqia, 2 të arrestuar dhe 2 të tjerë nën hetim

Korçë/ Kontrabandë bagëtish dhe cigaresh nga Greqia, 2 të arrestuar dhe 2 të tjerë nën hetim