‘Ç’më tha Enveri ditën kur u arrestua Koçi Xoxe, dhe si i’a dorëzoi sovjetikëve, dokumentin sekret, ku thuhej…’/ Dëshmia e rrallë, e ish-ministrit të Punëve të Brendshme

‘Ç’më tha Enveri ditën kur u arrestua Koçi Xoxe, dhe si i’a dorëzoi sovjetikëve, dokumentin sekret, ku thuhej…’/ Dëshmia e rrallë, e ish-ministrit të Punëve të Brendshme

Enver Hoxha

Memorie.al /  “Ndoshta dy vjet më parë, megjithëse kjo nuk ka edhe ndonjë rëndësi të veçantë për çka do të shkruhet me poshtë, në manifestime të ndryshme masive, që zhvilloheshin në vende të ndryshme të Evropës Lindore, me kërkesat për më shumë liri e demokraci, shpalosej madhështore edhe një parullë impresionante: “Proletarë të të gjithë vendeve na falni”! Doemos, lajmet e dhëna në ato vite ishin shpresëdhënëse, tronditëse, veç të tjerash, për këtë parullë të re, tronditëse do të thoja, më bëri shumë përshtypje, e them se për kushtet dhe gjendjen time, ky sllogan i ri, më bëri më shumë kureshtar se çdo lajm tjetër i atyre viteve, për anën e veçantë të tij.

Grupi Komunist i Korçës e zgjodhi pa ngurrim kryetar të tij dhe tashmë dihet se Grupi Komunist i Korçës, nuk e kishte në asnjë periudhë të veprimtarisë së vet, në praktikën e tij terrorin dhe krimin. Kjo praktikë u zbatua kur në krye të PKSH-së ishte Enver Hoxha e, kur Koçi ndodhej në burg. Gjatë Luftës nuk ka asnjë rast të vetëm që të jetë dënuar kush me vdekje, apo që të jetë eliminuar pas shpine me urdhër të Koçi Xoxes, si në ato raste që urdhëronte Enver Hoxha me, Miladin Popoviçin e Dushan Mugoshën.

Pas çlirimit të vendit nga okupatorët nazi-fashistë, kurrsesi nuk është bërë asnjë veprim, arrestim, pushkatim, dënim, sekuestrim e kështu me radhë, pa lejen e Byrosë Politike dhe platformës së saj, si dhe pa dijeninë e Enver Hoxhës. Çdo deklarim i kundërt me këto që po them unë, janë shpifje apo mashtrime të qëllimshme. Koçi Xoxe nuk ishte injorant, përkundrazi, ai njihte disa gjuhë të huaja, çka i kishte dhënë këtë mundësi rajoni shumë gjuhë folës, ku ishte lindur e rritur ai deri në moshën 18-19-vjeçare.

Ai ishte një nxënës studios i shkëlqyer, çka vërtetohet nga regjistrat shkollore e shumë dokumente të tjera arkivore të kohës.

Ai ishte sportist i mrekullueshëm. I qeshur, i dashur dhe i shkueshëm me shokët e të gjitha shtresave; studionte pa u lodhur literaturë marksiste e përparimtare, perfeksionohej në mësimin e gjuhëve të huaja e, sidomos të asaj frënge çka vërtetohet edhe nga praktika zyrtare e korrespondencës me vendet e huaja kur ishte ministër i Brendshëm apo Sekretar Organizativ i PKSH-së, si dhe të tjera fakte si këto i dimë shumë më mirë ne që e kemi njohur në rini e jetuam me të në luftë, në burgje dhe pas lufte në funksione shumë të larta partie dhe qeveritare.

Por, po i largohem këtij fakti se do të duket sikur unë po bëj biografinë e Koçi Xoxes, ndërsa qëllimi i këtij shkrimi është krejt tjetër, por në funksion edhe të këtyre shtrembërimeve banale të Enver Hoxhës dhe shumë shokëve dhe shoqeve të tij.

Figura e Enver Hoxhës përballë asaj të Koçi Xoxes

Në këto kushte, dënimi i Koçi Xoxes, nuk duhet të merret i shkëputur nga dënimet e shumta që u dhanë në vendet e Evropës Lindore, përkundrazi. Nëse kështu, dënimet që iu dhanë atij, duhet të ishin kufizuar vetëm me ato masa që u vendosën në Plenumin e Xl-të të KQ të PPSH-së, pra: përjashtimi i tij nga Byroja Politike, shkarkimi nga detyra e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme dhe caktimi si ministër i Industrisë e, lënia si anëtar i KQ të PKSH-së.

Përse dhe si u hodhën poshtë këto masa? Si u kalua dhe përse në masa të tjera drastike, tej mase të rënda në Kongresin e I-rë të PKSH, në kundërshtim me atë që kishte vendosur Plenumi? Pse iu bënë PKSH mashtrime të tilla rrugaçërore? Gjithsesi këto janë çështje më vete e shumë të rëndësishme dhe për sqarimin e tyre, mendoj se ka ende njerëz të interesuar dhe dokumente autentike që mund të ndihmojnë në zbardhjen e tyre.

Unë mendoj, gjithashtu, se; përcaktimi i saktë i figurës komplekse tepër negative të Enver Hoxhës, do të përcaktojë dhe shumë tipare të tjera pozitive të figurës interesante të Koçi Xoxes. Po iu përmend një fakt, tepër domethënës. Atë ditë që u arrestua Koçi Xoxe, më mori në telefon Enver Hoxha dhe me zë shumë të qetë më tha: “Dëgjo Nesti, sot kemi arrestuar Koçi Xoxen, po ti mos u shqetëso se, kjo nuk ka lidhje me ty”.

Ky lajm doemos mua më befasoi e më tronditi, ndaj nuk mund të mos i thoja Enver Hoxhës: “Shoku Enver, po unë kam qenë zëvendësi i tij dhe nuk di gjë për këtë, pastaj ju po thoni të mos shqetësohem…”! Masat e rënda për mua dhe gruan time do të vijonin më vonë, por unë nuk e kam fjalën atje. Përfytyroni, unë isha ministër i Punëve të Brendshme dhe nuk dija asgjë për këtë arrestim kaq të bujshëm!

Domethënë, Enver Hoxha ishte një diktator, i cili me metoda mesjetare diktonte për çdo gjë. Ai kishte policinë e vet të padukshme dhe me anën e saj godiste befasishëm kur deshte dhe kë person, ose grup personash të deshte. Me gjithë presionet e vazhdueshme dhe përndjekjet e egra, gjithsesi, ka pasur komunistë të ndershëm, të cilët në ato kushte të rënda për PPSH-në dhe vendin tonë, kanë shprehur mendime ndryshe rrymës së shfrenuar të fushatës kundër Koçi Xoxes, si faktet që përmenda pak më sipër dhe kjo dihet më mirë se unë nga shumë shokë të tjerë militantë të partisë e idealistë të saj.

Por le të kthehemi te dënimi dhe eliminimi fizik i tij, i cili nuk mund të merret kurrsesi i shkëputur nga dënimet analoge, që u dhanë me urdhër të Stalinit, në të gjitha vendet e Evropës Lindore.

Josif Broz Tito, guxoi kundër “Zeusit” Stalin

Titizmi u godit si rrymë “regresive antimarksiste e trockiste”, kudo, sepse nuk mund të mos goditej. Së pari, sepse Tito, ishte ai që guxoi i pari t’i bëjë autopsinë personit të Stalinit, e kjo ishte kryesorja, dhe së dyti, sepse ky ishte urdhri, kështu urdhëronte, jo shoku Stalin, por Stalini i Madh. Pse? Sepse J.B.Titoja, ishte i pari që guxoi nga tufa e bindur e vasalëve komunistë kominternistë, që nuk mendonin kurrë me kokën e tyre, por sipas shkopit të dirigjentit, të thyente tabunë e hekurt të autokratizmit e autoritarizmit stalinist.

Ishte ndër të parët, që guxoi të sulmonte kultin prej Zeusi të individit të Stalinit. Në ato vite, kjo lëvizje, kjo rrymë e re e shumë e guximshme e Titos, i ngjau një shpërthimi të madh kozmik, një tërmeti të vërtetë me përmasa kontinentale dhe botërore. Menjëherë pas këtij “tmerri” të jashtëzakonshëm, që ndodhi me denigrimin e figurës “së udhëheqësit të madh të proletariatit botëror”, duheshin marrë masa të tilla tmerri që jo vetëm të llahtariseshin drejtuesit e bindur të Kampit të Socializmit, por edhe çdo anëtar partie i thjeshtë.

Për të vënë në jetë këtë kryqëzatë anti-Tito, “kokat e turkut” u gjetën shumë shpejt, çka nuk ishte e vështirë të gjendeshin disa të tilla, në përbërjen e qeverive autokratike dhe autoritariste ose në gjirin e partive të majta tipike vasale të vendeve të Evropës Lindore. Fat keqët në këtë rast, i caktonte kryeregjisori Stalin, me ndihmën e KGB-së e do të ishin medoemos, ministrat e Punëve të Brendshme të të gjitha vendeve të Evropës Lindore pa përjashtim, si dhe represioni ndaj një sasie marramendëse kuadrosh të devotshëm e besnikësh të komunizmit, të cilët përfunduan në plumb.

Lind pyetja, a pati një urdhër të tillë madhor apo jo? Logjika e sendeve dhe fenomeneve të kohës, ajo e veprimtarisë udhëheqëse dhe e diktatit të Stalinit, praktikisht e pakufizuar edhe jashtë Bashkimit Sovjetik, të dikton të pranosh pa u lëkundur: Po! Për këtë “po”, në vendet Perëndimore ka më shumë se një gjysmë shekulli që po hetohet, gërmohet, studiohet në arkiva të hapura e sekrete. Kërkohet vërtetimi absolut i kësaj “PO” deri më sot dhe një përgjigje të saktë askush nuk e ka gjetur!

Letra sekrete e një vendi Perëndimor, që Enveri ja dorëzoi sovjetikëve

Në atë kohë pra, në vitin 1948, Sigurimi i Shtetit Shqiptar, me anën e një njeriu tonë tepër të besuar, shtiu në dorë një letër, një dokument shumë të rëndësishëm që Ministria e Punëve të Jashtme e një shteti Perëndimor, ia dërgonte legatës së vet në kryeqytetin bullgar në Sofje.

Në atë letër sekrete, kërkohej që të hetohej intensivisht, nëse edhe në Bullgari po punohej e po hetohej për zbulimin e lidhjeve agjenturore të ministrit të Punëve të Brendshme të Bullgarisë, me Jugosllavinë, duke vënë në dukje se një aktivitet i tillë, tashmë po ndodhte me ministrin e Punëve të Brendshëm të Hungarisë, i cili ishte vënë në përpunim. Kopjen e kësaj letre, ia dorëzova menjëherë Enver Hoxhës.

Të nesërmen, këshilltari sovjetik në Ministrinë tonë të Punëve të Brendshme, më kërkon urgjentisht një takim pune si dhe një kopje të këtij dokumenti, madje ai ishte mbushur gjithë zemërim e pakënaqësi ndaj nesh, sepse këtë njoftim kaq të rëndësishëm e kish marrë e para, nëpërmjet rrugëve agjenturore, Ministria e jonë e Punëve të Brendshme dhe menjëherë Enver Hoxha, i cili ja paraqiti të gatshme këtë të dhënë ministrit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë sovjetik në Tiranë.

D.m.th., po merrte njoftim për përmbajtjen e këtij dokumenti me vlera të mëdha e shumë të rëndësishme nga Shqipëria, më parë Ministria e Punëve të Jashtme sovjetike e, më pas KGB-ja, ky organ fuqiplotë, i heshtur e impresionant me reputacion të padiskutueshëm botëror. Përfundimisht, si rezultat i gërmimeve intensive nëpër analet e fëlliqura të shërbimeve inteligjente të shumë vendeve të Botës e, trillimeve të paskrupullta të KGB-ja sovjetike, Lazlo Raiku në Hungari e më parë se ai, Trajço Kostovi në Bullgari, Rudolf Slanski në Çekosllavaki, Koçi Xoxe në Shqipëri, u gjykua e u pushkatua i pari sipas radhës, në këtë proces trullosës si të ishte një reaksion zinxhir bërthamor, në të gjitha vendet e Evropës Lindore.

Sigurisht, pa gjë nuk do të kenë kaluar edhe vendet e tjerë të ashtuquajtura të Demokracive Popullore, si: Lukreciu Patrashkanu e të tjerë në Rumani, Berndt Shtainberger e të tjerë në Republikën Demokratike Gjermane e, kështu me radhë. Vetëm Vladislav Gomulka, pati fatin të mbetet pa u eliminuar fizikisht, sepse më 5 mars 1953 “regjisori i madh”, i këtyre skenarëve makabër, (Stalini), më në fund vdiq në Moskë, në kryeqytetin e vendit të vet të madh…”!

Rehabilitimi i Koçi Xoxes, gjithashtu lidhet logjikisht e krejt natyrshëm me rehabilitimin e të gjithë personave të represuar në vendet e Evropës Lindore. Raiku, Kostovi e Slanski, Patrashkanu, Shtajnbergeri e të tjerë, u rehabilituan mbas analizave dhe rivlerësimeve të figurave që u bënë në këto vende, lidhur me direktivat e Kongresit të XX-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik e, luftës kundër kultit të individit. Kurse Koçi Xoxe jo!

Ai nuk u rehabilitua! Natyrshëm, lind pyetja: Pse Koçi Xoxe nuk u rehabilitua?! Sepse në Shqipëri, diktatura e Enver Hoxhës nuk u përmbys kurrë. Në një farë mënyre, ideologjia e tij jeton ende edhe sot! Nëse normaliteti i zbatimit të ligjshmërisë do të ishte respektuar në Shqipëri pas eliminimet të “grupit të Koci Xoxes”, çdo gjë do të ishte e justifikuar, por, meqenëse ai vazhdoi edhe më i amplifikuar se më parë, do të thotë se autori i reprezaljeve ishte po ai. Ja, ky ishte përbindëshi Enver Hoxha!

Me sa dihet mirëfilli, nga pëshpëritjet vesh më vesh nga tmerri i shtypjes diktatoriale dhe nga dokumentet zyrtare, presion jo i vogël është ushtruar edhe mbi udhëheqjen e Partisë së Punës të Shqipërisë, nga ana e udhëheqjes sovjetike, për rehabilitimin e Koçi Xoxes e shokëve të tjerë. Veçse, i sigurt është fakti se Nikita Hrushovi, duke rehabilituar plotësisht personalitetin e Titos, punonte që ky rehabilitim të njihej, të legalizohej kudo, në çdo vend ku ai ishte goditur padrejtësisht si rrymë ideologjike e si praktikë shtetërore.

Rehabilitimi i figurës së Titos, donte të thoshte; hedhja poshtë e gjitha akuzave që i ngarkoheshin, doemos midis tyre edhe akuzat që çuan në pushkatimin e ministrave të Punëve të Brendshme të vendeve të Kampit Socialist.

Kundërshtimi që i bëri kërkesës së rusëve, Enver Hoxha!

Enver Hoxha, për të mbrojtur veten dhe bashkëpunëtorët e tij, nuk mund t’i pranonte ato këshilla që jepte udhëheqja e lartë sovjetike, ashtu siç nuk pranoi dhe e kundërshtoi me forcë të përbindshme këtë lëvizje, duke shtuar në maksimum terrorin dhe represionin, shantazhin dhe mashtrimin brenda vendit dhe manovrat me ndërkombëtarët. Kështu, është i kuptueshëm edhe qëndrimi i guximshëm i Tuk Jakovës, lidhur me rishikimin e historisë së Shqipërisë, PKSH-së dhe PPSH-së që u analizua në Plenumin e V-të të KQ të PPSH-së në vitin 1955, që e çoi të mrekullueshmin Tuk Jaskova, në dënimin e padrejtë politik me 20 vjet burg, bashkë me guximtarin e pashembullt Bedri Spahiu.

Sa e sa komunistë të tjerë të ndershëm e guximtarë, hodhën në Konferencën e Partisë të Tiranës në vitin 1956, mbi tavolinën e diskutimeve, problemin e rehabilitimit të Koçi Xoxes me shokë? Po diskutime nuk pati, pas Konferencës pati vetëm arrestime. Po ashtu, i kuptueshëm është edhe qëndrimi brilant i Bedri Spahiut në gjyq, për këtë rehabilitim të domosdoshëm. Rehabilitimin e Koci Xoxes, atëhere dhe tani e kërkon koha, sepse ai në fakt, është “Nyja Gordiane” e historisë të PKSH-së, PPSH-së dhe Shqipërisë për kaq vite të lodhshme.

Politologjia, historiografia, sociologjia, diplomacia e të tjera fusha të ndryshme të jetës shqiptare, janë të lidhura drejtpërsëdrejti me zgjidhjen e drejtë të këtij problemi juridik të kancerizuar. Ai,lidhet me forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis vendeve fqinjë, rritjen e besimit midis tyre në bazën e koncepteve të reja. Ashtu si edhe në vendet e tjera, çështja e rehabilitimit u bë problem që kërkonte zgjidhje edhe tek ne në Shqipëri, por në të kundërt, u hodh poshtë nën goditjet e pamëshirshme e të egra të proceseve të reja gjyqësore të regjimit të Enver Hoxhës, i cili për të mbajtur pushtetin e tij personal, nuk ndalte përpara asgjëje.

Dua unë apo jo, duan apo nuk duan të zhgënjyerit, duan apo nuk duan demokratët, socialistët apo militantët e çdo rryme politike, duan apo jo enveristët, duan apo jo ekstremistët e djeshëm dhe të sotëm, probleme të tilla që nuk kanë mbetur pak, si peng i së kaluarës dhe i të sotmes; shpejt ose vonë, këto probleme do të analizohen e do të gjejmë zgjidhjen e saktë juridike, morale dhe qytetare medoemos. Historia do ta bëjë edhe këtë detyrë madhore të saj.

Vizita e Enver Hoxhës në Jugosllavi

Kam qenë anëtar i delegacionit qeveritar të kryesuar nga Enver Hoxha, me cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë në Jugosllavi në vitin 1946. Po ashtu, si shumë të tjerë anëtarë të delegacionit, edhe unë kam qenë në delegacion sa për emër e numër, ashtu si edhe gjeneral-major Myslim Peza, kolonel Kristo Themelko, Manush Myftiu, Manol Konomi e shumë shoqërues të tjerë, si; gazetarë, specialistë të ndryshëm, ekonomistë, financierë, inxhinierë, personalitete të artit e të kulturës, historianë, pedagogë etj.

Gjithnjë më ka ardhur pështirë e më vjen krupë edhe sot kur e kujtoj, (më falni për fjalën jo gazetareske dhe pa etikë që po përdor, por s’kam ç’bëj, nuk gjej dot fjalë tjetër ekuivalente), kur më vijnë në kujtesë të ashtuquajturat tregime, ose më mirë të them mashtrime të Enver Hoxhës, mbi atë vizitë zyrtare të nivelit të lartë.

Vizita qe e gjatë në kohë dhe me shtrirje territoriale të gjerë, deri në Kroaci, Slloveni, Serbi, Maqedoni, Beograd etj. Vetëm kohë për të vizituar Kosovën, Enver Hoxha nuk gjeti, sepse plani i detajuar i vizitës në Jugosllavi, ishte përgatitur muaj më parë në Tiranë e Beograd dhe nga servilizmi ndaj Titos se mos ai, mbetej qejfprishur për ndonjë send, nuk kërkoi për të shkuar të vizitonte bashkatdhetarët e vet. Pra, e shiti Kosovën për dy grosh qejf të Titos!

Po një delegacion të madh të kosovarëve, pse nuk kërkoi ta priste në Beograd a kudo? Po një telegram të madh përshëndetës pse nuk ua dërgoi “krye prijësi” i shtetit amë, apo nga frika se mos transmetohej në radio apo botohej në gazetë? Ne, anëtarëve të delegacionit, doemos që na bëri përshtypje shumë të madhe mospërfillja e Kosovës dhe kosovarëve, po a varej gjë nga ne?! Vetëm pëshpërisnim.

Përmasat e gënjeshtrës, mashtrimit e të qëllimit të mbrapshtë për t’i fshehur popullit tonë gjithçka mbi atë vizitë, janë të pakonceptueshme dhe ç´ka e bëjnë këtë tregimtar shumë qesharak në sytë e ndërkombëtarëve, e sidomos të fqinjëve, të cilët e ndiqnin ecurinë e vizitës me shumë interes. Pritjet pompoze dhe lajkat ishin aq të mëdha, sa ne, anëtarëve të delegacionit, na bëri përshtypje të jashtëzakonshme, thua se po bënim ndonjë vizitë në perandorinë e Shahin Shahut të Persisë.

Gjithsesi, ne ishim të prirur të prisnim rezultatet e vizitës “madhështore”. Kur, aty për aty, pa pritur e pa kujtuar, së bashku me Nako Spirun dhe Hysni Kapon, pa njoftimin apo konsultimin më të vogël e më formal me specialistët dhe anëtarët e tjerë të delegacionit, madje pa miratimin paraprak të Byrosë Politike e të Këshillit të Ministrave, Enver Hoxha, nënshkroi vetë të gjitha marrëveshjet, që nga marrëveshja më madhore politiko-juridike, ajo e bashkëpunimit dhe ndihmës reciproke, e deri te marrëveshja për bashkimin doganor, marrëveshja e paritetit skandaloz monetar, marrëveshja e shoqërive të përbashkëta etj.

Më thoni, ju lutem: ç’i mungonte tjetër këtij vasaliteti total politik e ekonomik? Asgjë! Kurse shpifjet, për të ashtuquajturën Republikë të 7-të të Federatës jugosllave, janë vetëm trillime të Enver Hoxhës, sepse arkitekti i vërtetë i këtyre federatave (sepse ishte parashikuar strukturimi i disa federatave të mëdha sllave) ishte dhe mbeti i madhi Stalin në Moskë.

Por, realizimi i këtyre fantazive të shfrenuara, për ri kompozimin e kufijve të Evropës, pas gjithë atyre sakrificave kolosale aq të mëdha, që bëri bota antifashiste dhe derdhi oqean të tërë gjaku, nuk e lejonin kurrsesi dokumentet, që rregullonin ndërtimin e botës së pas Luftës së Dytë Botërore si: Karta e Atlantikut dhe Dokumentet e Konferencës së Jaltës, si dhe aktet e tjera finale të përfundimit të Luftës.

Pra, pas firmosjes të gjithë atyre akteve zyrtare në Beograd, personalisht nga Enver Hoxha, mungonte vetëm firmosja e akteve finale-formale, shpallja e datës së bashkimit “vëllazëror” të Shqipërisë me Federatën e sllavëve të jugut. Ky ishte mentaliteti oriental prej vasali i Enver Hoxhës. Por, shtetet, të vegjël apo të dobët qofshin, nuk mund të gëlltiten ashtu si i tha Stalini për Shqipërinë Milovan Gjilasit.

Pra, këto janë gjurmët që e kanë “preokupuar” dhe tmerruar vazhdimisht, komandantin tonë bukurosh, Enver Hoxha dhe jo ujku, pra, jo marrëveshjet që kish gatuar e nënshkruar ai vetë me J.B. Titon qysh në vitin 1946, por kolltuku i kreut të vendit.

Nëse do t’i kishte bërë tjetërkush këto akt-marrëveshje, ai do ta kishte cilësuar, patjetër, jo vetëm agjent, por krye agjent, super agjent e një kosh plot me epitete të kësaj natyre, por me siguri, do ta priste edhe asgjësimi fizik, çka për Enver Hoxhën, tashmë ishte gjëja më pa rëndësi, gjëja më e rëndomtë. Ai, eliminimet fizike i mësoi qysh gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ustallarët e tij ballkanikë, i kishte mjeshtra të përsosur.

Bisedat e Enverit me Titon, për vetëvendosjen e Kosovës

Është e turpshme që çështjen e vetëvendosjes së Kosovës, ajo ëndërr aq e përkëdhelur me një dashuri përvëlonjëse për të gjithë popullin shqiptar gjatë LANÇ në Shqipërinë mëmë e në Kosovë, e shtroi në bisedime i pari Titoja dhe jo Enver Hoxha. Kjo është e vërteta. Enver Hoxha, nuk guxonte të bënte një “gabim” të tillë përpara marshallit J.B. Tito. Doemos, Enver Hoxha ishte i parapërgatitur me kohë për atë qëndrim që mbajti në Beograd lidhur me çështjen e të drejtës për vetëvendosje të Kosovës, që në kohën e marrëveshjes së Mukjes.

Por, sidomos kur divizionet tona derdhnin gjakun në Kosovë, Mal të Zi, Sanxhak e në Bosnje, sipas urdhrit të tij si Komandant Suprem. Duhet thënë se për dërgimin e dy divizioneve tona, me moton e ndihmës internacionaliste, nuk ka ndonjë vendim të posaçëm të K.Q. të Partisë apo Qeverisë, por vetëm një kërkesë të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave të firmosur nga Tito. Siç duket, për shokun Komandant, dërgimi i forcave të armatosura jashtë territoreve të shtetit, nuk ishte ndonjë çështje e rëndësishme për ta shtruar në Byronë Politike të PKSH-së ose në Qeverinë e Republikës Popullore Demokratike Shqiptare.

Në këtë fushë, historisë bashkëkohore të kombit shqiptar, i del një punë e madhe për sqarimin e qëndrimit të Enver Hoxhës, duke u mbështetur veç të tjerash edhe në materiale e fakte zyrtare të vlefshme e të pavlefshme, që na ka lënë ai vetë në “veprat” e tij të ndritura, letra sekrete e një vendi Perëndimor, që kundërzbulimi shqiptar, shtiu në dorë në Sofje përpara KGB-së dhe si Enver Hoxha, ja dorëzoi ministrit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë sovjetik në Tiranë.

Kush ishte Nesti Kerenxhi?

Nesti Kerenxhi, lind në Korçë, më 5 shtator të vitit 1920 dhe familja e tij është me origjinë nga Vithkuqi, kurse babai i tij, Pilo Kërenxhi, ka qenë shok me Mihal Gramenon dhe Spiro Bellkamenin e, së bashku me ta, ka luftuar për pavarësinë e vendit. Arsimin fillor, plotor dhe Liceun Francez i ka kryer në vendlindje. Me lëvizjen komuniste është lidhur që në vitin 1936-1937, kur zhvillohej Lufta e Spanjës. Në Grupin Komunist të Korçës, është lidhur që në muajin qershor-korrik të vitit 1939. Ka marrë pjesë në të gjitha demonstratat Grupit Komunist të Korçës, kundër pushtimit fashist. Që me themelimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, ai është nj♪7 nga 200 komunistët e parë të saj.

Me krijimin e qarkorit të partisë dhe atij të rinisë, ka qenë anëtar i tyre. Në vitin 1942, u zgjodh sekretar politik i Komitetit Qarkor të Rinisë. Në Konferencën e Parë të vendit të PKSH-së, në mars 1943, është një nga 6 delegatët e Qarkorit të Korçës. Më pas në mbledhjen kombëtare të rinisë zgjidhet anëtar i KQ të RKSH-së. Me krijimin e Brigadës së IV-ët Sulmuese, caktohet përgjegjës i sektorit politik të brigadës. Me hapjen e kurseve të kuadrove politikë të ushtrisë në Panarit të Korçës, u caktua përgjegjës i shkollës së parë të partisë. Prej këtej niset për të shkuar si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare pranë Shtabit të Përgjithshëm jugosllav dhe Mareshallit Tito. Në plenumin e 2 të KQ të PKSH-së, rizgjidhet anëtar i KQ të PKSH-së.

Pas çlirimit, caktohet në detyrën e zëvendësdrejtorit të Mbrojtjes së Popullit (Sigurimit të Shtetit), ku drejtor ishte Koçi Xoxe, me unifikimin e Ministrisë së Brendshme, ministër u emërua gjeneral-lejtnant Koçe Xoxe dhe kolonel Nesti Kerenxhi. Më vonë, Kerenxhi emërohet ministër i Brendshëm dhe anëtar i Byrosë Politike. Pas Kongresit të Parë, ai dhe gruaja e tij, Naxhije Dume, e cila ishte ministre e Arsimit dhe anëtare e KQ të PKSH-së, u përjashtuan nga të gjitha funksionet qeveritare dhe partiake dhe filloi kalvari i gjatë i persekucionit enverist. /Memorie.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Laberia: 26/01/2023 08:48

    Po dihet boterisht qe koci xoxe e pallonte enverin ,kur i tha koci o enver kjo qe po bejm eshte turp enveri e nxori armik dhe e pushkatoi kjo eshte historia nuk duronte dot enveri se i hante suma ,homos.!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

'Shkodra Elektronike' fiton Fest 63! Kënga 'Zjerm' do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025

'Shkodra Elektronike' fiton Fest 63! Kënga 'Zjerm' do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2025