ÇMIMET
Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimit të banesave për Tiranën ra në tremujorin e katërt 2012 për të dytën herë radhazi me 11.9%, ndërsa indeksi i qirasë ra me 14.5%. Megjithatë, agjentët e pronave mendojnë se një rënie e çmimeve vërehet vetëm në zonat periferike, ndërsa niveli i përgjithshëm i tyre vazhdon të mbetet i lartë. Ekspertët e tregut shprehen se rënia e çmimeve është e ulët dhe sporadike. Veçanërisht brenda “vijës së verdhë” të Bashkisë së Tiranës, ka rezistencë për të mos ulur çmimet, megjithë rënien e kërkesës. Imobiliarët konstatojnë se ndërtuesit parapëlqejnë të mbajnë stoqe të pashitura, sesa të ulin çmimet.
STOKU
Sipas Shoqatës së Ndërtuesve, numri i apartamenteve të pashitura në shkallë vendi ka arritur aktualisht shifrën 12 mijë. Mësohet se rreth 5 mijë apartamente të pashitura janë në Vlorë, rreth 2.500 janë në Sarandë, rreth 300 në Korçë, rreth 4.500 në Durrës. Ndërkohë periferi të kryeqytetit shifra e apartamenteve të pashitura është rreth 1.000. Përveç ngërçit që ka shkaktuar ulja e kërkesës dhe mungesa e kreditimit në sektorin e ndërtimit, detyrimet që qeveria ka ndaj ndërtuesve arrijnë në 100 milionë euro dhe kjo ka qenë një nga pengesat për bllokimin e punës në këtë sektor. Stoku i lartë i ndërtimeve të pashitura dhe kriza ekonomike nuk japin shumë nxitje për investime të reja në këtë sektor.
TREGU
Sipas të dhënave në “Century 21 Albania”, të mbledhura nga rrjeti i agjencive në qytete të ndryshme të vendit, ecuria e shitjeve të të patundshmeve tregon se numri i transaksioneve për apartamente është rritur me rreth 10% në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, ndërkohë që transaksionet mbi pronat tregtare kanë mbetur praktikisht në të njëjtat nivele. Ajo që vihet re është rënia e ndjeshme e kërkesës për troje, e cila duket thuajse “e ngrirë”.
Në treg vazhdon të rritet kërkesa për apartamente me sipërfaqe të vogla, garsoniera apo apartamente 1+1, por apartamentet 2+1 janë ato që kanë edhe kërkesën më të madhe të blerësve. Vijon rënia e kërkesës për apartamente të tipit 3+1, me rreth 10%. Shkak është fakti se tashmë ata që blejnë apartamente janë individët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, të cilët kanë mundësi të blejnë një apartament me çmim 40.000-70.000 euro. Këto lloj çmimesh ofrohen për apartamente që kryesisht janë në periferi në Tiranës dhe në pjesën dërmuese janë ndërtime të reja. “Zonat ku kërkohet janë ato të periferisë, por me infrastrukturë të rregulluar, duke preferuar ndërtime të reja në krahasim me ato ekzistuese”, thotë Estela Ziu e “Century 21 Albania”.
Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)