Çmimet e naftës shtrenjtohen për herë të gjashtë në pak muaj, arrijnë 184 lekë, afër rekordit historik

Çmimet e naftës shtrenjtohen për herë të gjashtë në pak muaj, arrijnë 184 lekë, afër rekordit historik

Çmimet e karburanteve kanë shënuar një tjetër rritje ditët e fundit, për herë të gjashtë radhazi në vetëm pak muaj.

Në pikat e tregtimit të “Kastrati”, më i madhi në vend për shumicën dhe pakicën, nafta tregtohet me 184 lekë, ose 8 lekë më shumë se më parë. Benzina është shtrenjtuar në 186 lekë, po me rritje prej 8 lekësh. Bolv Oil e tregton naftën me 183 lekë dhe benzinën me 184 lekë. Tek Eida Petroleum, çmimet e naftës dhe benzinës luhaten përkatësisht nga 182 lekë në 186 lekë.

Gjatë këtij viti, çmimi i naftës është rritur disa herë, duke arritur në rreth 184 lekë aktualisht. Në krahasim me nivelin e ulët prej rreth 148 lekësh, që arritën gjatë periudhës së pandemisë, nafta në vend është shtrenjtuar me 36 lekë për litër, ose rreth 20%.

Aktorët e tregut pohojnë se arsyeja kryesore e rritjes së çmimeve lidhet me shtrenjtimin e karburanteve në bursa, ku nafta tregtohet me 84 dollarë për fuçi, nga rreth 20 dollarë që zbriti në mars 2020, kur bota filloi të vuante pasojat e pandemisë, ndërsa është afër niveleve më të larta që nga nëntori i vitit 2014. Nafta e papërpunuar është rritur në vitin 2021 ndërsa ekonomitë rikuperohen nga pandemia e  COVID-19. Ecuria e mëtejshme varet nga vendimi i OPEC-ut lidhur me nivelet e prodhimit.

Aktualisht nafta në vend është afër niveleve rekord historike prej 190-200 lekësh që arritën në periudhën 2008-2009, kur ari i zi në bursa i kaloi 140 dollarë për fuçi. Ndërsa aktualisht në bursa, nafta tregtohet me 84 dollarë për fuçi, por rritja e taksave mbi këtë produkt që nga ajo kohë ka bërë që karburanti në tregun vendas të tregtohet më shtrenjtë. Aktualisht taksat mbi naftën arrijnë në 110-120 lekë për litër, pas shtrenjtimit të fundit (nga akciza, rilicencimi, skanimi, markimi), ose 38 lekë më shumë se 10 vite më parë.

Ekspertët e tregut pohojnë se në bursa, nafta mund të arrijë deri në 100 dollarë për fuçi, që do ta çonte karburantin vendas në rekordet e 210 lekëve.

Një tjetër faktor që do të ndikonte në shtrenjtimin e karburanteve është plani i fundit i qeverisë, që synon të indeksojë nivelin e akcizës me inflacionin vit pas viti, në të gjitha mallrat që tatohen me akcizë si karburantet, kafeja, birra dhe cigaret. Nëse niveli i inflacionit mesatar kalon këtë vit mbi 2.5%, akciza e naftës rrezikon të arrijë në 38 lekë vitin që vjen nga 37 lekë aktualisht. Duke llogaritur shtrenjtimin e çmimeve dhe indeksim e inflacionit, vetëm taksat në një litër naftë pritet të arrijnë në 130 lekë, sipas operatorëve të tregut.

Në vitin 2020, sipas INSTAT, importet e karburanteve ishin rreth 533 mijë tonë, niveli rekord i pas viteve ’90. Në tregun e pakicës, nafta ka një vlerë totale rreth 710 milionë eurosh, me çmimin mesatar 160-165 lekë që zbriti vitin e kaluar, ose mbi 820 milionë euro me çmimet aktuale./Monitor

GRAFIKU / Ecuria e çmimeve të naftës në bursat globale gjatë 20 viteve të fundit (dollarë për fuçi)

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shkodranët në Eurovizion, si u krijua dyshja fituese! Gjetën njëri tjetrin në facebook: E nisën me aheng tani mbajnë kupën e festivalit të 63-të

Shkodranët në Eurovizion, si u krijua dyshja fituese! Gjetën njëri tjetrin në facebook: E nisën me aheng tani mbajnë kupën e festivalit të 63-të