Donald Trump u largua nga Kina pas një samiti dyditor me Xi Jinping, i mbushur me ceremoni madhështore dhe deklarata për stabilitet global, por pa ndonjë rezultat konkret për çështjet më të nxehta mes dy superfuqive. Edhe pse presidenti amerikan foli për “marrëveshje fantastike tregtare”, takimi në Pekin nuk prodhoi përparim të dukshëm për Iranin, Tajvanin apo garën SHBA-Kinë në inteligjencën artificiale, raportoi The Guardian.

Trump hyri në bisedime i dobësuar politikisht nga lufta e zgjatur në Iran, ndërsa gjatë samitit ishte Xi Jinping ai që dominoi retorikën, sidomos për Tajvanin, pa hasur në kundërshtim të fortë nga presidenti amerikan.

Pas largimit nga Pekini, Trump postoi në rrjetin e tij Truth Social: “Kina ka një sallë balloje dhe edhe SHBA duhet ta ketë një të tillë”, duke iu referuar projektit të tij për ndërtimin e një salle prej 400 milionë dollarësh në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti amerikan kthehet në Uashington me luftën në Iran ende të pazgjidhur dhe me pikëpyetje mbi presionin që SHBA po përpiqet t’i ushtrojë Kinës për të ndikuar te Teherani. Kina mbetet blerësi më i madh i naftës iraniane dhe Uashingtoni kërkon që Pekini të përdorë ndikimin e tij për të bindur Iranin të rihapë ngushticën e Hormuzit.

Gjatë takimit në kompleksin Zhongnanhai në Pekin, Trump deklaroi: “Diskutuam për Iranin. Mendojmë njësoj për mënyrën si duhet të përfundojë kjo situatë. Nuk duam që Irani të ketë armë bërthamore. Duam që ngushtica të mbetet e hapur”.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se dy liderët ranë dakord që ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për të garantuar qarkullimin e lirë të energjisë, ndërsa Xi Jinping theksoi kundërshtimin e Kinës ndaj militarizimit të saj.

Më vonë, Trump deklaroi për Fox News se po shqyrton heqjen e sanksioneve ndaj kompanive kineze që blejnë naftë iraniane. Ai shtoi se Xi i kishte premtuar se Kina nuk do t’i furnizojë Iranit pajisje ushtarake, por kishte nënvizuar se Pekini dëshiron të vazhdojë blerjet e naftës iraniane.

Ministria e Jashtme kineze përsëriti të premten thirrjen për armëpushim në Iran dhe kërkoi rihapjen sa më të shpejtë të ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, shumë analistë në Pekin besojnë se kriza iraniane nuk është përgjegjësi e Kinës. Zhou Bo, ish-kolonel i ushtrisë kineze dhe studiues në Universitetin Tsinghua, deklaroi: “Pse duhet të pastrojmë ne problemet tuaja?”, duke iu referuar presionit amerikan ndaj Pekinit.

Në qendër të takimeve ishte edhe Tajvani. Xi Jinping paralajmëroi Trump se marrëdhëniet SHBA-Kinë mund të përfshihen në “përplasje dhe madje konflikte” nëse çështja e Tajvanit nuk trajtohet siç duhet, duke e cilësuar atë si temën më të rëndësishme në raportet mes dy vendeve.

Trump deklaroi më pas se “asgjë nuk ka ndryshuar” në politikën amerikane ndaj Tajvanit, por pranoi se ende nuk ka vendosur nëse do të miratojë paketën e re të armëve për ishullin.

Kina e konsideron Tajvanin pjesë të territorit të saj dhe Xi Jinping e sheh bashkimin e ishullit me Kinën si pjesë kyçe të trashëgimisë së tij politike. Pekini kërkon prej kohësh që SHBA të ndalojë furnizimin me armë për Tajvanin.

Vitin e kaluar, SHBA miratoi një paketë armësh prej 11 miliardë dollarësh për Tajvanin, duke shkaktuar reagim të ashpër nga Kina. Një tjetër paketë prej 14 miliardë dollarësh pritet të diskutohet këtë vit, por sipas raportimeve, Shtëpia e Bardhë e kishte pezulluar përkohësisht para vizitës së Trump në Pekin.

Vizita e presidentit amerikan u shoqërua me pritje madhështore, vizita simbolike dhe darka shtetërore luksoze. Xi Jinping deklaroi se “rilindja e madhe e Kinës” mund të ecë “krah për krah” me sloganin “Make America Great Again”.

Trump, nga ana tjetër, lavdëroi mikpritjen kineze dhe tha se vizita kishte qenë “e jashtëzakonshme”. Ai pretendoi se Kina kishte rënë dakord të blejë naftë amerikane, sojë dhe 200 avionë Boeing, me mundësinë që numri i avionëve të arrijë deri në 750, edhe pse zyrtarët kinezë nuk i konfirmuan këto pretendime.

Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare vlerësojnë se Kina po përpiqet të konsolidojë një ekuilibër të ri global me SHBA-në. Sipas Julian Gewirtz, ish-zyrtar për Kinën në administratën Biden, Xi Jinping ka punuar prej vitesh për këtë moment, ku një president amerikan shkon në Pekin dhe trajtohet si i barabartë me liderin kinez.

Edhe Wu Xinbo, profesor në Universitetin Fudan dhe këshilltar i qeverisë kineze, deklaroi se balanca e forcës mes SHBA dhe Kinës po shkon drejt një “barazie më të madhe”./TheGuardian