Çmimet e produkteve bazë, që prej muajsh rëndojnë mbi buxhetin e familjeve shqiptare, janë në radarin e Autoritetit të Konkurrencës këtë fundvit.
Institucioni ka përfunduar mbledhjen e të dhënave për çmimet e shportës ushqimore për periudhën tetor–dhjetor dhe po përgatitet të analizojë nëse rritjet e konstatuara të çmimeve janë të justifikuara apo pasojë e sjelljeve tregtare që dëmtojnë konkurrencën.
Analiza do të shkojë përtej çmimeve në raftet e marketeve. Në fokus do të jenë të gjitha hallkat e zinxhirit, nga furnizimi dhe kostot, deri te marzhet e fitimit, për të kuptuar se ku dhe pse çmimet janë rritur.
Qëllimi është të identifikohen rritjet që nuk lidhen me tregun, por me koordinim të paligjshëm ose abuzim nga operatorët ekonomikë, thotë Autoriteti i Konkurencës në një njoftim për mediat, të publikuar në Facebook.
Lëvizja e Autoritetit të Konkurencës vjen në një moment kur shtrenjtimi i jetesës është shqetësimi kryesor i qytetarëve. Sipas Barometrit të Ballkanit 2025 të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në fillim të dhjetorit, 72% e shqiptarëve e konsiderojnë rritjen e çmimeve problemin më të madh ekonomik, përqindja më e lartë në rajon pas Kosovës.
Raporti tregon se inflacioni dhe çmimet vazhdojnë të kryesojnë listën e shqetësimeve edhe në vitin 2025, duke lënë pas çështje të tjera si situata e përgjithshme ekonomike dhe korrupsioni.
Autoriteti i Konkurrencës ka paralajmëruar se, nëse nga analiza do të dalin rritje të pajustifikuara ose praktika të ndaluara nga ligji, do të hapen procedura hetimore. Një sinjal që nuk vjen me fjalë boshe duke qenë se vetëm pak kohë më parë, institucioni gjobiti gjashtë ndërmarrje grumbulluese për bashkërendim çmimesh në dëm të fermerëve, pas një hetimi që zgjati gati dy vite.
Njoftimi i plotë i Autoritetit të Konkurencës
Autoriteti i Konkurrencës nis analizën e të dhënave për çmimet e produkteve të shportës Autoriteti i Konkurrencës informon publikun se është në përfundim të procesit të mbledhjes së të dhënave lidhur me çmimet e produkteve të shportës për periudhën tetor – nëntor – dhjetor, duke përfshirë të gjithë hallkat e zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit.
Në vijim, Autoriteti do të realizojë një analizë të detajuar krahasuese të ecurisë së çmimeve për secilin produkt, me qëllim identifikimin e çdo rritjeje të mundshme të pajustifikuar, që mund të vijë si pasojë e sjelljeve jo konkurruese apo e koordinimit të paligjshëm ndërmjet operatorëve ekonomikë.
Procesi i analizës do të fokusohet në:
- krahasimin e çmimeve ndërmjet periudhave të ndryshme kohore;
- vlerësimin e strukturës së kostove dhe marzheve të fitimit;
- evidentimin e çdo sjelljeje që mund të cenojë konkurrencën e ndershme në treg.
Në rast se nga analiza statistikore dhe ekonomike do të konstatohet ekzistenca e rritjeve të pajustifikuara apo e praktikave të ndaluara nga legjislacioni në fuqi, Autoriteti i Konkurrencës do të ndërmarrë pa hezitim veprimet përkatëse ligjore, përfshirë hapjen e procedurave hetimore ndaj subjekteve përgjegjëse. Autoriteti mbetet i angazhuar për të garantuar funksionimin e drejtë të tregut, mbrojtjen e konkurrencës dhe interesit të konsumatorëve, duke ushtruar me përgjegjësi të plotë kompetencat e tij ligjore.
Komente













Bravo.keni punu.2500 lek kastraveci sot.te vazhdoj apo ta lej me kaq? Pyes se zakonisht keto komente SI postojn kta zotrinjt
Përgjigju