Çmimet Oscar të vitit 2026 po konsiderohen ndër më të veçantat dhe më historiket e dekadave të fundit, me rekorde të reja, ndryshime të rëndësishme dhe një film që ka dominuar plotësisht sezonin e çmimeve.

Në qendër të vëmendjes është filmi “Sinners”, i cili bëri histori duke siguruar 16 nominime për Oscar, një rekord absolut që tejkalon edhe klasikë si “Titanic” dhe “La La Land”. Drama horror e vitit 2025, me regji të Ryan Coogler, ka fituar njëkohësisht publikun dhe kritikën, ndërsa nga shumëkush konsiderohet si filmi më i rëndësishëm kulturor i vitit.

Ngjarjet e “Sinners” zhvillohen në Misisipin e viteve ’30, ku dy vëllezër binjakë, të dy të interpretuar nga Michael B. Jordan, përpiqen të nisin një jetë të re duke hapur një restorant me muzikë blues për komunitetin afro-amerikan. Por ëndrra e tyre përplaset me racizmin e dhunshëm dhe kërcënime mbinatyrore. Filmi ndërthur hororin, dramën, muzikën dhe mitologjinë, duke përdorur vampirët si metaforë për shtypjen, dhunën dhe luftën për identitet.

Kritika ndërkombëtare ka qenë kryesisht entuziaste, duke vlerësuar vizionin regjisorial, kinematografinë dhe përdorimin e muzikës si element narrativ. Megjithatë, disa kritikë e kanë konsideruar filmin të zgjatur dhe tepër ambicioz në përzierjen e zhanreve. Edhe publiku mbetet i ndarë.

Përveç “Sinners”, ky vit shënon edhe rekorde të tjera. Stilistja e kostumeve Ruth E. Carter mori nominimin e saj të pestë, duke u bërë gruaja me ngjyrë më e nominuar në historinë e Akademisë. Një tjetër risi është rikthimi i çmimit konkurrues për Kastin më të Mirë, për herë të parë që nga viti 2001.

 Akademia ka vendosur një rregull të ri: votuesit duhet të kenë parë të gjithë filmat e nominuar përpara votimit.

Por nuk mungojnë as surpriza të tjera. Disa filma që pritej të ishin pretendentë, si: ‘Ëicked: For Good’, ku interpretonin Cynthia Erivo si aktore kryesore dhe Ariana Grande si aktore mbështetëse u përjashtuan plotësisht nga nominimet.

Timothée Chalamet fitoi nominimin e tij të tretë për Aktorin më të Mirë me rolin e tij në “Marty Supreme”, duke e bërë atë një nga aktorët më të rinj që ka arritur ndonjëherë këtë moment historik.

Këtë vit ka gjithashtu një prani të fortë ndërkombëtare midis të nominuarve, me disa aktorë në filma jo në gjuhën angleze. Me një konkurrencë të fortë me filma, si: “One Battle After Another”, “Hamnet”, “Frankenstein” dhe “Marty Supreme”, Oscar 2026 premton jo vetëm spektakël, por edhe debat kulturor.

Një gjë është e sigurt: edicioni i 98-të i Oscar-ëve tashmë ka hyrë në histori edhe përpara se të ndahen çmimet më 15 mars 2026, në Teatrin Dolby në Hollywood.

Komedia dhe ironia do të rikthehen në skenë me Conan O’Brien, i cili prezanton ceremoninë për të dytin vit radhazi. Transmetimi do të realizohet në ABC dhe në platformën Hulu.