Çmimet e konsumit në Shqipëri u rritën me 2,9% në shtator, sipas shifrave të publikuara nga ministri i Financave, Petrit Malaj, i cili thekson se inflacioni në vend mbetet ndër më të ulëtit në rajon dhe nën mesataren e Bashkimit Europian.

Në një postim në Facebook, Malaj bën të ditur se inflacioni në BE ishte 3,8%, ndërsa në vendet e rajonit arriti deri në 7,8%.

Sipas ministrit, këto shifra tregojnë qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare dhe efektin e masave të ndërmarra nga qeveria për të përballuar rritjen e çmimeve.

Malaj ndalet edhe te karburantet, duke theksuar se është rikthyer Bordi i Transparencës për monitorimin e tregut, ndërsa qeveria ka në dispozicion mekanizmin e uljes së akcizës për të zbutur ndikimin e shtrenjtimit të tyre.

Ministri përmend gjithashtu Pasqyrën e Çmimeve, përmes së cilës qytetarët mund të krahasojnë çmimet e produkteve të përditshme.

“Një ekonomi që rritet, çmime më të qëndrueshme dhe më shumë fuqi blerëse për familjet shqiptare”, shkruan Malaj.